Kërko

Atë Pasolini: jeta e lirë është të duash gjithmonë dhe ta përballosh dhimbjen pa u mundur prej saj

Ungjilli na mundëson “një rrugë pastrimi dhe kthimi që na çon drejt lirisë së bijve të Zotit”: kështu predikatari i Shtëpisë Papnore përfundon meditimin e katërt dhe të fundit të Kreshmës, sot më 27 mars, në Sallën “Pali VI”, në praninë e Papës. Rregulltari Kapuçin rishikon pjesën e fundit të jetës dhe vdekjen e Shën Françeskut, i cili “ka mësuar të pranojë dobësinë e vet”, duke zbuluar se liria më e madhe është të vihesh në shërbim të Kishës dhe të botës me bujari

R.SH. / Vatikan

Në meditimin e fundit të kohës së Kreshmës, mbajtur, sot paradite, në prani të Papës Leoni XIV dhe të anëtarëve të Kuries Romake, në sallën Pali VI, në Vatikan, predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Roberto Pasolini, theksoi se Ungjilli na fton në një rrugë pastrimi dhe kthimi të brendshëm që na çon drejt “lirisë së bijve të Zotit”. Duke reflektuar mbi fundin e jetës së Shën Françeskut të Asizit, ai tregoi se kjo liri arrihet duke pranuar dobësinë, duke jetuar me përvujtëri dhe duke u hapur plotësisht ndaj dashurisë së Zotit.

Shën Françesku i Asizit, në vitet e fundit të jetës, përjetoi sprova të mëdha: sëmundje, vetmi e edhe ndjenjën e të qenit i lënë mënjanë nga urdhri që kishte themeluar. Megjithatë, pikërisht në këtë krizë ai kuptoi domthënien e “gëzimit të përsosur”: gëzimi i vërtetë nuk varet nga suksesi apo pranimi, por nga aftësia për të ruajtur paqen edhe kur përjetojmë refuzim, përbuzje, poshtërim apo dhimbje. Pra, nuk është mungesa e plagëve ajo që na bën të lirë, por fakti që nuk lejojmë që ato të na përcaktojnë.

Atë Pasolini në meditimin e tij shpjegoi se lumturia e krishterë nuk është ikje nga realiteti, por pranimi i tij në thellësi, edhe kur është i vështirë. Lumturitë e Ungjillit nuk janë thjesht rregulla morale, por një premtim: jeta e plotë mund të fillojë që tani, brenda përvojave tona konkrete. Kjo sjell një liri të re – një jetë që nuk varet nga rrethanat e jashtme, por nga mënyra se si ne zgjedhim t’i jetojmë ato, me dashuri dhe falje.

Duke folur për përvojën mistike të plagëve të Jezu Krishtit të riprodhuara në trupin e Shën Françeskut si shenjë e pjesëmarrjes në Mundimin e Krishtit, Atë Pasolini thekson se Zoti nuk shton dhimbje, por e shndërron atë që tashmë ekziston në jetën tonë. Vuajtjet, zhgënjimet dhe plagët mund të bëhen vend takimi me Krishtin dhe me të tjerët. Dhimbja nuk zhduket, por nuk e ka më fjalën e fundit: ajo mund të hapë rrugën drejt paqes së brendshme dhe pajtimit.

Në fund të jetës së tij, Françesku i Asizit bën hapin më të vështirë: mëson të marrë nga të tjerët, duke pranuar nevojën për afërsi, kujdes dhe dashuri nga të tjerët. Ai e quan vdekjen “motër”, jo si figurë poetike, por si shenjë e një pajtimi të plotë me jetën dhe me Zotin. Frika nga vdekja shuhet kur njeriu jeton i mbështetur në dashurinë e Krishtit.

Françesku i Asizit vdes në varfëri të plotë, i zhveshur nga çdo gjë, si shenjë e një lirie të thellë: ai nuk ka më nevojë të mbrohet apo të zotërojë, por pranon gjithçka si dhuratë. Në këtë mënyrë, ai bëhet shembull i një njeriu të pajtuar me veten, me të tjerët dhe me Zotin.

Në përfundim të meditimit të fundit të kohës së Kreshmës, Atë Pasolini thekson se kjo rrugë nuk është vetëm për shenjtorët, por për çdo të krishterë. Ungjilli nuk ofron rrugë të lehta, por një proces të vërtetë ndryshimi që na çon drejt lirisë së vërtetë: një jetë që di të dashurojë deri në fund dhe të përballet me dhimbjen pa u mposhtur prej saj. Kjo është liria më e madhe – të jetosh pa frikë, duke dhuruar jetën me bujari në shërbim të të tjerëve.



27 mars 2026, 11:20