Kërko

Kardinali Michael Czerny Kardinali Michael Czerny

Kard. Czerny: Amazona ofron një rrugë të re për kujdesin ndaj Krijimit

Në Bogota, më 17 mars, gjatë meshës së kremtuar me rastin e Asamblesë VI të përgjithshme të Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA), prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor e ftoi Kishën për një kthesë të trefishtë: baritore, ekologjike dhe sinodale. Në homelinë e tij, ai theksoi se Amazona nuk është vetëm hapësirë me rëndësi ekologjike, por shenjë e gjallë e bukurisë dhe e brishtësisë së Krijimit të Zotit

R.SH. - Vatikan

Kisha sheh në Amazonë bukurinë dhe brishtësinë e veprës së Zotit. Ky është një nga konceptet e shprehura nga prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny, në homelinë e meshës për kujdesin ndaj Krijimit, kremtuar më 17 mars, në Bogota, me rastin e Asamblesë VI të përgjithshme të Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA). Kremtimi u mbajt në selinë e Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan dhe të Karaibeve (CELAM), me pjesëmarrjen e kardinajve, ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve, laikëve, si edhe përfaqësuesve të popujve autoktonë të Amazonës.

Krishti në qendër të Krijimit

Duke reflektuar mbi leximet liturgjike, kardinali Czerny kujtoi se Krishti është themeli i gjithçkaje: “Gjithçka është krijuar në Të dhe gjithçka qëndron në Të”. Nga kjo pikëpamje, Krijimi nuk mund të reduktohet në një burim për t’u shfrytëzuar, por duhet parë si shprehje e dashurisë së Zotit, e destinuar për plotësi. Në këtë kuadër, Kisha ndjen përgjegjësi të veçantë për Amazonën.

Një vështrim kundrues mbi botën

Kardinali ftoi të rizbulohet ai vështrim për Krijimin, që sheh gjithnjë Zotin në të. Vlerësoi dëshminë e popujve të Amazonës, të cilët jetojnë në harmoni me natyrën, në marrëdhënie të bazuara mbi respektin e reciprocitetin. Udha e përbashkët me ta, nënvizoi ai, ndihmon për të kuptuar se kujdesi për Shtëpinë e Përbashkët nuk është vetëm çështje teknike, por rrugë kthese shpirtërore.

Shpresa në mes të stuhive

Duke iu referuar pjesës ungjillore, në të cilën Jezu Krishti qëtëson stuhinë, kardinali Czerny e krahasoi skenën me krizat e sotme globale: ndryshimet klimatike, humbja e biolarmisë dhe kërcënimet kundër bashkësive më të brishta. Këto “stuhi” mund të na frikësojnë, nënvizoi prefekti, por Krishti është gjithmonë i pranishëm: edhe kur duket sikur hesht, nuk e braktis historinë e njerëzimit. Kjo prani, phoi ai, është burim shprese dhe nxitje për impenjim.

Kishë, që ecën së bashku

Sipas kardinalit, Konferenca Kishtare e Amazonës (CEAMA) është fryt i rrugëtimit të nisur nga Sinodi për Amazonën për një Kishë, që i përfshin të gjithë: barinj, laikë dhe popuj indigjenë. Misioni në këtë rajon, shtoi ai, kërkon një kthesë konkrete në tri drejtime: në atë baritor, për të përforcuar shpirtin misionar; në atë ekologjik, për të integruar kujdesin ndaj Krijimit në jetën e përditshme; dhe në atë sinodal, për të dëgjuar së bashku zërin e Shpirtit Shenjt.

“Gjithçka është e lidhur”

Duke kujtuar mësimet e Papës Françesku në enciklikën “Laudato si'”, kardinali theksoi se shprehja e tij “gjithçka është e lidhur”, pra, e ndërvarur, gjen kuptimin e saj të plotë në Krishtin. Ai i ftoi pjesëmarrësit të luten për tri dhurata: kundrimin, për të njohur Zotin në gjithë Krijimin e Tij; shoshitjen, për të marrë vendime të dikuara nga Shpirti Shenjt dhe guximin, për të mbrojtur jetën dhe Shtëpinë e Përbashkët.

Në përfundim, rrugëtimi i Asamblesë iu besua ndërmjetësimit të Zojës së Aparesidës dhe Zojës së Guadalupe-s, shenja shprese për Kishën në Amazonë. Me këtë kremtim, CEAMA hapi një etapë të re reflektimi e impenjimi në shërbim të Krijimit, të Amazonës dhe të popujve të saj.

18 mars 2026, 13:37