Kërko

Dita botërore e poezisë, de Mendonça: "Një fjalë që di t’i presë të gjithë”

Në një intervistë me median e Vatikanit, kardinali, poeti dhe prefekti i Dikasterit për Kulturë dhe Edukim, reflekton mbi lidhjen ndërmjet artit poetik dhe paqes

R.SH. - Vatikan

Poezia është një nga format më të thella të dëgjimit. Lind nga heshtja e ndoshta kërkon që poetët të bëhen, më shumë sesa autorë, interpretues të aftë për t'u lidhur me të dukshmen e të padukshmen. Nga ky dialog misterioz me krijimin, fjala merr formë në zërin e poetëve, por ka edhe aftësi për të bërë vend brenda vetes, gjë që e bën poezinë edukim në paqe. "Fluturimi i krahëve të një fluture", vëren Kardinali José Tolentino de Mendonça, "ose fluturimi i rrokjeve në një fjalë, ndez dinamikën e kuptimit, të dritës ose errësirës në zemrën njerëzore. Poezia na dhuron fjalë çarmatosëse, madje çarmatosje, sepse funksionon me surprizën. Poezia është përgatitore për artin e paqes". Këto janë mendimet e Prefektit të Dikasterit për Kulturën e Arsimin. Në Ditën Botërore të Poezisë,  themeluar nga UNESCO në vitin 1999, i përgjigjet pyetjeve lidhur me rëndësinë e këtij arti për njerëzimin gjithnjë e më të kërcënuar nga lufta. Kardinali dhe poeti nuk kanë dyshime: "Poezia është në anën e paqes".

Një pakt me të ardhmen

Një lidhje e lashtë e afron artin poetik me të vërtetën. "Siç thoshte Baudelaire - shpjegon kardinali - poezia e zbulon zemrën dhe ajo lakuriqësi e zemrës, pranë pyetjeve të mëdha njerëzore, vihet në kërkim të së vërtetës. Poeti i madh Paul Celan thoshte: 'Vetëm duart e vërteta shkruajnë poezi të vërteta'". Në vorbullën e modernizimit, fjala lirike shënon këmbënguljen e njerëzimit. Në letrën e tij apostolike, duke vizatuar harta të reja shprese, Leoni XIV kujton rëndësinë e saj:

"Asnjë algoritëm nuk mund ta zëvendësojë atë, që e bën edukimin njerëzor: poezinë, ironinë, dashurinë, artin, imagjinatën, gëzimin e zbulimit dhe madje edhe edukimin e gabimit, si mundësi për rritje". Prej këndej, de Mendonça vëren: “Algoritmi lulëzon nga përsëritja. Është mekanizëm i përgjumur i përsëritjes së hapave të ndërmarrë, ndërsa poezia na hap rrugën që nuk është ndjekur, na çon drejt asaj që ende nuk është zbuluar.” Ky kërkim për “fjalën e pathënë”, për të patreguarën, që banon në botë, është thesar: “Kur fillon një poezi, nuk e di, e kjo mosdije është kapital njerëzor në ndërtimin e vetvetes. Sepse, cili është rreziku i madh i algoritmit? Na grabit aftësinë për të mundshmen, për atë që ende nuk kemi qenë, por që mund të bëhemi në takim, në marrëdhënie, në dhënie, në afrimin misterioz ndaj një pragu. E nëse algoritmi gjithmonë flet për të djeshmen, poezia ka një pakt me të ardhmen”.

Vetmia përvëluese e poetëve

Rroftë poezia! shkruante Papa Françesku në një libër me këtë titull, duke kujtuar rëndësinë e këtij arti për "të qenë njerëzor" e edhe rolin që luan në formimin e priftërinjve. Nga kjo pikënisje, Kardinali, në përgjigjen e tij, pohon se "ka një mësim të madh në vetminë e zjarrtë të disa biografive poetike", që i referohet poetit portugez Fernando Pessoa, i cili vuajti për t'i qëndruar besnik vetes dhe jetoi çdo ditë "në tension të vazhdueshëm, duke u përpjekur t'i rikthejë të gjitha përvojat e mëdha të jetës në një përmasë poetike, domethënë, në një përmasë të vetëdijes, të vetëvetes". Prefekti kujtoi gjithashtu edhe vërejtjen e Papës Françesku gjatë fluturimit të kthimit nga udhëtimi në Tajlandë e Japoni, sipas të cilit shoqëria perëndimore mund të mësojë nga Lindja t'i "shikojë gjërat poetikisht". Kardinali vijoi të shpjegojë edhe se "Poezia është gjithashtu ngadalësi, është ceremoni para jetës, e është gjithashtu edhe nderim, është vetëdija se jemi afër shenjtërisë në jetën e përditshme, e edhe vlerësimi i kundrimit e i heshtjes. Në këtë kuptim, poezia mund të jetë edukim shpirtëror".

Mjet edukativ

Më 27 shkurt, në përfundim të ushtrimeve shpirtërore, Leoni XIV nënvizoi referencën ndaj Doktorit të Kishës, Shën Gjon Henri Njuman, dhe ndaj poemës Ëndrra e Gerontit, "ku Njuman" - pohoi Papa  - përdor vdekjen dhe gjykimin e Gerontit si prizëm, përmes të cilit lexuesi udhëhiqet të kundrojë frikën nga vdekja dhe ndjenjën e padenjësisë para Zotit".

Ky shenjtor, teolog dhe studiues i poezisë, ka shumë për të mësuar. "Shën Gjon Henri Njuman ka një rol shumë të rëndësishëm në themelimin e modernitetit dhe është thellësisht i kushtuar ndaj edukimit për paqe, duke pohuar se çdo brez duhet të marrë nga brezi i kaluar trashëgimin, të cilin duhet ta shndërrojë në forcë vizioni, planifikimi, aftësie për ta banuar botën me përgjegjësi". Në këtë kuptim, letërsia dhe poezia janë burime të nevojshme edukative. Një fjalë e lindur nga bashkëjetesa me heshtjen

Një shkollë e universales

Në një fjalim që mbajti para të rinjve të Pordenones në vitin 1991, titulluar "Pa kthesë nuk ka paqe", David Maria Turoldo deklaroi se paqja është ndoshta tema e vetme revolucionare, por edhe më e vështira nga të gjitha. Sipas de Mendonça-s, "paqja na mëson në vetvete, e flet për njerëzimin si trashëgimi e përbashkët". E këtu qëndron kompleksiteti i saj, sepse shpesh tundohemi të përçahemi, madje ta kundërvemë një gjuhë kundër një tjetre. Poezia, në këtë kuptim, na mëson se të gjithë jemi vëllezër, sepse ajo i tejkalon kufijtë kombëtarë dhe "ekziston si depo e madhe e njerëzimit". Kardinali shton: "Letërsia është shkollë e universales, sepse vlerëson universalen dhe kupton se idetë e mëdha, imazhet më të bukura, vërtet nuk kanë autor. Shumë poetë besojnë se poezia ekziston para të gjitha këtyre formave, dhe ne mund të sintonizohemi e ta dëgjojmë atë. E kjo na flet për paqen, sepse nuk është vizion kontradiktor apo justifikim i asaj që më përket mua, por kundrim, habi, pohim i asaj që u përket të gjithëve, sepse  një e mirë e përbashkët".

Pa heshtje nuk ka Poezi

Fjala poetike nuk mund ta injorojë heshtjen, e cila shpesh i tundon poetët. "Është një fjalë - përfundon de Mendonça - që fillimisht u themelua në heshtje, por që më pas mund të mbijë. Në fjalën poetike është ende rezonanca e heshtjes, sepse heshtje do të thotë të dëgjosh, do të thotë mikpritje. Atëhere  fjalët poetike janë fjalë që ruajnë etjen dhe shqetësimin e kërkimit; ato banojnë me përvujtëri në të vërtetën, por nuk e shpallin atë, nuk e imponojnë atë. E lënë të banojë në të vërtetën e heshtojnë. Poezia është fjala që pret, që di t’i presë të gjithë".

21 mars 2026, 11:45