Kërko

2026.03.22 Padre Lucaci con Giovanni Paolo II

Ndërroi jetë Imzot Lucaci, për shumë vite drejtues i programit rumun të Radio Vatikanit

Më 21 mars, Prifti i cili për dy dekada drejtoi redaksinë e Radio Vatikanit në gjuhën rumune me energji, përkushtim dhe angazhim, duke ndihmuar në përçimin e mesazhit të Kishës Katolike në vend në epokën postkomuniste, ndërroi jetë në Romë. Ishte njeri i studimit dhe i lutjes, ish-profesor në Iashi-n e tij të lindjes, e edhe mësues i rumanishtes i Gjon Palit II, në përgatitje për udhëtimin e tij në Rumani në vitin 1999

R.SH. - Vatikan

Portreti i imzot Anton Lucaci-t, që do ta kujtojmë gjithnjë e që ndërroi jetë të shtunën, më 21 mars, në Romë në moshën 83 vjeçare, ishte ai i njeriut që punonte pa u lodhur në Radio Vatikan, nga ora 9:00 e mëngjesit e deri rreth orës 8:00 të mbrëmjes, kur pati mbajtur transmetimin e fundit. Për më shumë se njëzet vjet, që në vitin 1991, punoi në stafin editorial rumun të stacionit, duke u bërë më pas drejtor editorial. E mbajti këtë pozicion për më shumë se dy dekada (deri në vitin 2012), duke kontribuar ndjeshëm në transmetimin e mesazhit të Kishës Katolike në Rumani, veçanërisht në periudhën pas-komuniste.

I mbylli sytë për këtë botë në Shtëpinë Ndërkombëtare të Palit VI, në Via della Scrofa, ku banonte dhe ku kremtoi Meshën, në kishëz, një ditë më parë.

Origjina nga Rumania

I lindur më 11 shtator 1942, në Răchiteni, Qarku i Iașit (Rumani), Lucaci u shugurua prift në vitin 1968 dhe filloi punën e tij baritore në Dioqezën e Iașit si vikar famullie, pastaj si prefekt i studimeve dhe i disiplinës në Institutin Teologjik Katolik Romak "Shën Jozefi" në Iași, ku dha mësim latinisht dhe lëndë të tjera, duke përfshirë të Drejtën Kanonike dhe Teologjinë Dogmatike. Në vitin 1991, nisi punën në Radio Vatikan. U kujdes edhe për emigrantët katolikë rumunë në Itali e themeloi iniciativa ndihme për komunitetet e emigrantëve rumunë. U vlerësua me Kryqin "Pro Ecclesia et Pontifice".

Shërbesa për Gjon Palin II

Ishte gjithashtu edhe "profesor" i Papës Gjon Pali II, të cilin e mësoi të mbante fjalime të sakta në rumanisht gjatë përgatitjeve për vizitën e tij apostolike në vend, nga 7 deri më 9 maj 1999. Papa Gjon Pali II e vlerësonte shumë dhe kishte besim të plotë tek ai, siç dëshmohet nga fjalët e tij para se të nisej për në Bukuresht: "Po e lëshoj veten në duart tuaja!".

Kishte pasion dhe përkushtim! E ishte kërkues ndaj vetes. Nuk u mjaftua kurrë me një përkthim të nxituar dhe sipërfaqësor, por kërkoi variacionet më të përshtatshme, duke iu rikthyer disa herë një teksti.

Imzot Lucaci ishte njeri me kulturë të thellë. Etja e tij për dije e shoqëroi deri në fund të ditëve të jetës

Si prift e si redaktor vlerësohej shumë në Radio Vatikan. Frymëzonte respekt për seriozitetin, përkushtimin dhe qëndrimin e tij. Fliste me gjallëri dhe bindjeje në mikrofonin e stacionit radiofonik të Papës!

Me të njëjtin përkushtim dhe gjallëri, shpesh kremtonte Meshën në latinisht, në orën 7 të mëngjesit, në Kapelën e Palazzo Pio, transmetuar drejtpërdrejt.

Pas daljes në pension, vazhdoi të bashkëpunonte, duke u kujdesur për të dielat dhe festat.

Mbi të gjitha, Imzot Lucaci ishte njeri i lutjes së palodhur, pothuajse të vazhdueshme, jo vetëm me fjalë, por edhe me punë të përditshme në shërbim të Zotit, deri në frymën e fundit mbi tokë, e në takimin me Zotin në qiell!

Pushoftë në paqe!

22 mars 2026, 15:18