Ordinariati personal, një identitet i përbashkët nëpër gjurmët e Krishtit
R. Sh. Vatikan
Ordinariatët personalë, janë struktura të themeluara nga Kisha Katolike, nëpërmjet dokumentit «Anglicanorum Coetibus», që shqip do të thotë, «Rreth grupeve anglikane» për të mirëpritur klerin anglikan që dëshiron të bashkohet me Kishën Katolike. Dokumenti u pat miratuar nga vetë Papa Benedikti XVI më 4 nëntor 2009.
Etosi dallues kishtar, bukuria e ungjillëzimit, angazhimi për të varfërit, kultura baritore e përditshme dhe familja si «kishë» shtëpiake. Për më tepër, predikimi i bazuar në Shkrimin e Shenjtë dhe roli i drejtimit shpirtëror dhe Sakramenti i Pendesës. Këto janë tiparet dalluese të Ordinariatëve Personalë që kontribuojnë në formimin e një identiteti "themelor" dhe "të përbashkët" në "udhëtimin e përbashkët nëpër gjurmët e Krishtit" në bashkësi të plotë me Kishën Katolike. Pikërisht, këto tipare u identifikuan nga ipeshkvijtë e strukturave të krijuara nga Kushtetuta Apostolike «Anglicanorum Coetibus» gjatë asamblesë plenare që u mbajt në Dikasterin për Doktrinën e Fesë, nga 1 deri në 3 mars. Njoftimi u bë nga i njëjti organ, i udhëhequr nga prefekti kardinal Víctor Manuel Fernández, i cili publikoi në faqen e tij të internetit një raport të titulluar "Karakteristikat e trashëgimisë anglikane siç jetohet në Ordinariatet e krijuara nga Kushtetuta Apostolike «Anglicanorum Coetibus»". Në njoftim, ipeshkvijtë përshkruajnë përvojën e tyre në Ordinariatet e tyre dhe se si janë pranuar dhe integruar elementët e traditës anglikane.
Trashëgimia anglikane
Në këtë mbledhje plenare, për shembull, doli në pah se megjithë largësitë e mëdha gjeografike të Ordinariateve – që shkojnë nga Inverness në Devon, nga Edmonton në Orlando, nga Perth në Sydney në Guam – prapseprap ekziston një ndjenjë e përhapur e identitetit të përbashkët që lind nga ndarja e asaj "trashëgimie të denjë të devotshmërisë dhe praktikës" së cilës Pali VI iu referua kur fliste për trashëgiminë anglikane. E njëjta trashëgimi ishte menduar të ruhej kur Gjon Pali II miratoi Dispozitën Baritore në vitin 1980 dhe më pas kur Benedikti XVI shpalli Kushtetutën Apostolike «Anglicanorum Coetibus» në vitin 2009. Duke reflektuar rreth kësaj “dhurate të çmuar”, ipeshkvijtë kujtuan predikimin e mbajtur nga prefekti Fernández gjatë shugurimi të ipeshkvit David A. Waller, në Katedralen e Westminster, më 22 qershor 2024, dhe në veçanti reflektimin mbi inkulturimin e fesë katolike në mesin e njerëzve që e kanë jetuar Ungjillin brenda Bashkimit Anglikan dhe “fytyrën e re” të Kishës e cila në këtë proces “jo vetëm që jep, por edhe pasurohet”.
Familja: Vendi i parë i besimit
Në përgjigje të ftesës për të përshkruar përvojën e tyre të jetuar, ipeshkvijtë nxorën në pah shtatë tipare që i konsiderojnë karakteristike të trashëgimisë shpirtërore dhe baritore të Ordinariatëve: së pari, një "etos kishtar" që i dallon këto ordinariate, ku bie në sy pjesëmarrja e gjerë e klerit dhe e laikëve në jetën dhe qeverisjen e Kishës; së dyti, "ungjillizimi përmes bukurisë", jo si qëllim në vetvete, por për fuqinë që ka për t'i udhëhequr njerëzit drejt Zotit. Tipari i tretë, "angazhimi i drejtpërdrejtë për të varfërit" në realitetet e lagjeve ku banojnë vetë prelatët. Për më tepër, ipeshkvijtë quajtën tipike "kulturën baritore" me ndërlidhje të thellë ndërmjet adhurimit hyjnor dhe jetës së përditshme sipas ritmit liturgjik, "pothuajse murgare, pasuri që buron nga tradita shpirtërore angleze", si dhe familjen si «Kishën» shtëpiake dhe vendin kryesor të fesë, të mësuar dhe të jetuar. Në fund, theksi u vu në traditën e fortë të predikimit të bazuar në Shkrimin e Shenjtë dhe rëndësinë e drejtimit shpirtëror dhe sakramentit të Pendesës.
Një bashkësi që mikpret si një e tërë por edhe veç e veç
Të gjithë këta elementë, sipas ipeshkvijve, çojnë përsëri te misteri i Mishërimit në trashëgiminë që Ordinariatët kanë krijuar brez pas brezi, gjë që shprehet te mënyra e mikpritjes si një bashkësi e tërë por edhe si individë veç e veç, si edhe te pjesëmarrja e plotë në misionin e Kishës. Në këtë mënyrë, përfunduan ipeshkvijtë, Ordinariatët rriten organikisht, duke pasqyruar një fytyrë të vetme të Kishës dhe duke pohuar identitetin e saj si "Një, e Shenjtë, Katolike dhe Apostolike".