Kërko

Principata e Monakos Principata e Monakos

Papa në Principatën e Monakos, "vend i vogël, por me horizonte të mëdha"

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, jep informacion mbi udhëtimin apostolik që do të bëhet në qytet-shtetin e Monakos, më 28 mars. Programi përfshin Meshën në Stadiumin Louis II dhe vizitën te Mbretërit monegaskë. Planifikohen reflektime mbi rolin e Papës në Evropë, mbrojtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e jetës

R.SH. - Vatikan

"Në Bibël, njerëzit e vegjël luajnë rol të rëndësishëm, ashtu si Principata" duke qenë "laborator paqeje" për "përdorimin e përgjegjshëm të ndikimit dhe të pasurisë". Një vend - i dyti më i vogël në botë, pas Shtetit të Qytetit të Vatikanit - i vogël në madhësi por "me horizonte të mëdha", ku Papa do të jetë në gjendje të "ofrojë reflektimin fillestar mbi rolin e tij në Evropë". Ky, udhëtimi apostolik që Papa Leoni XIV do të bëjë në Principatën e Monakos të shtunën, më 28 mars, njoftuar këtë mëngjes, 25 mars. Drejtori Matteo Bruni e paraqiti vizitën në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë informimit për gazetarët.

Pritja e Papës

Papa do të jetë i pari në kohët moderne që do të udhëtojë në qytet-shtetin e vogël të Evropës Perëndimore, ku katolicizmi është fe shtetërore, për një vizitë "të rrufeshme" që duhet të zgjasë afërsisht 13 orë, në prag të Javës së Madhe. Ky udhëtim i përgjigjet ftesës së bërë nga Princi Albert II i Monakos gjatë audiencës në Vatikan, më 17 janar. Udhëtimi i parë ndërkombëtar i Papës për vitin 2026 do të fillojë rreth orës 9:00 të mëngjesit në heliportin e Monakos, ku Leoni XIV do të ulet dhe do të mirëpritet nga Princi Albert II dhe Princesha Charlène. Më pas do të shkojë në rezidencën zyrtare të sovranëve monegaskë, në Pallatin e Princit. Papa do të shoqërohet në Oborrin e Nderit, ku do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes, me ekzekutimin e himneve kombëtare përkatëse, dhe një vizitë mirësjelljeje, me shkëmbimin e dhuratave, e cila do të kulmojë me përshëndetjen e Albertit II e, më pas, të Papës, nga ballkoni i Pallatit.

Matteo Bruni
Matteo Bruni   (AFP or licensors)

Reflektime mbi mjedisin dhe mbrojtjen e jetës

Pas nënshkrimit të Librit të Nderit dhe disa çasteve në lutje, në kapelën e ndërtesës, Papa do të zhvendoset me papamobil në Katedralen e Zojës së Papërlyer aty pranë, e cila i mbledh monegaskët në çastet më solemne të jetës së kryedioqezës dhe të Principatës. Papën do ta mirëpresë Kryeipeshkvi Dominique-Marie David, së bashku me Princin dhe Princeshën. Më pas, fjalimi i mirëseardhjes dhe kremtimi i Meshës, gjatë së cilës Leoni XIV do të mbajë një predikim për bashkësinë katolike vendase. Bruni deklaroi se mund të pritet që fjalët e Papës të theksojnë mbrojtjen e mjedisit, temë tejet e dashur për Princin Albert II, dhe mbrojtjen e jetës, veçanërisht në një kohë "polarizimi shoqëror", ku shpesh jetët "lihen pas dore" dhe nevoja për të "shëruar thyerjet" është e dukshme.

Mesha në stadiumin Louis II

Pasi t’i përshëndesë besimtarët, Papa do të niset përsëri me papamobil, për të arritur në Kishën e Sainte-Dévote, në lagjen La Condamine. Do të udhëtojë dy kilometra nëpër rrugët e Principatës, për të arritur tek të rinjtë dhe katekumenët. Do të takohet me ta, duke dëgjuar dëshmi dhe duke mbajtur një fjalim. Pasi t’i përshëndesë përsëri besimtarët, Papa do të shkojë me papamobil në kryeipeshkvi, ku do të drekojë. Rreth orës 15:00, do të mbërrijë në Stadiumin Louis II, ku do të bëjë një gjiro me karrocë golfi, përpara se të kryesojë Meshën para afërsisht 15,000 besimtarëve, rreth orës 15:30. Në fund të kremtimit, Kryeipeshkvi David do t'i drejtojë Papës fjalët e fundit të falënderimit. Para se të largohet nga stadiumi, Papa Leoni XIV do të përshëndesë disa njerëz të ndihmuar nga shoqatat kishtare dhe laike. Udhëtimi i fundit do të jetë me makinë deri në heliportin e Monakos, prej nga Papa do të niset për fluturimin e kthimit në Vatikan, rreth orës 17:45.

Pyetjet e gazetarëve

Të gjitha fjalimet, saktësoi Bruni, do të mbahen në gjuhën franceze. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zgjedhjen e Monakos si vend i udhëtimit të dytë apostolik të Papës, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë shpjegoi se ai ishte "i planifikuar dhe i organizuar" pas planifikimit të mëparshëm të udhëtimit në Afrikë, planifikuar për 13-23 prill.

Në fund të vizitës nuk do të ketë konferencë për shtyp.

25 mars 2026, 14:59