Kërko

2026.03.18 Parolin presentazione libro Prevost

Kard. Parolin: do t’i thoja Trumpit dhe Izraelit t’i japin fund luftës, rreziku i shkallëzimit është i madh

Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli në Dhomën italiane të Deputetëve, gjatë paraqitjes së një libri mbi Leonin XIV. Ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me skenën ndërkombëtare: “Të lihet i qetë Libani. Problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë”, kërkoi kardinali. Përsa i përket punës së tij krah Papës, deklaroi: “Ka dialog ndërmjet nesh, ai dëgjon shumë”

R.SH. – Vatikan

Nëse do të gjendej ballë për ballë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, do t'i thoshte "t’i jepte fund luftës sa më shpejt, sepse vërtet rreziku i shkallëzimit po troket në derë. Do t’i thoja edhe ta lëmë Libanin të qetë...". I njëjti mesazh duhet "t'u drejtohet edhe izraelitëve" që ata të përpiqen vërtet t’i "zgjidhin problemet që mund të ekzistojnë, ose që ata besojnë se ekzistojnë, përmes mjeteve paqësore të diplomacisë dhe dialogut".

Prelati i shprehu mendimet e tij për skenarët ndërkombëtarë, duke iu përgjigjur, më 18 mars, pyetjeve të gazetarëve në Dhomën e Deputetëve, gjatë paraqitjes së librit “Leoni XIV: Kush thoni se jam unë? Unë jam bir i Shën Agustinit”, botuar nga Cantagalli dhe shkruar nga vatikanisti Ignazio Ingrao së bashku me augustinianin, atë Giuseppe Pagano.

Puna krah Papës

E pikërisht për Papën u foli kardinali gazetarëve, që e pyetën se si është puna krah Papës së parë amerikan në histori: "Është shumë e lehtë," shpjegoi ai. "Ka dialog ndërmjet nesh, shkëmbejmë mendimet. Ai dëgjon shumë e kemi marrëdhënie të mira". Takimi u moderua nga vatikanistja e Associated Press, Nicole Winfield e, përveç Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, folën Eprori i përgjithshëm i Urdhrit të Shën Agustinit, atë Joseph L. Farrell; presidenti i Grupit Italian të Bashkimit Ndërparlamentar, Pierferdinando Casini; rektorja e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, Elena Beccalli.

Paqja e çarmatosur dhe çarmatosëse

Kardinali Parolin identifikoi idenë e "paqes së çarmatosur dhe çarmatosëse" si shtyllën e parë të papnisë së Leonit XIV, kërkuar prej tij që në fillim të shërbesës dhe përsëritur vazhdimisht: poshtë armët, të braktiset logjika e pushtetit dhe e fitimit. Ky mesazh, vërejti prelati, është pjesë e traditës së papëve të shekullit XX, nga Benedikti XV te Piu XII, duke kaluar përmes Gjonit XXIII dhe Palit VI, të cilët promovuan paqen kundër luftës dhe totalitarizmit. Në kontekstin aktual, të shënuar nga konflikte të përhapura dhe shpenzime ushtarake në rritje, Papa propozon alternativën e dëgjimit, të dialogut dhe të dashurisë ndërmjet popujve.

Impenjimi për unitet

Më pas, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u përqendrua në unitetin e Kishës. Parolin theksoi dy rreziqe të kundërta: nga njëra anë, një lloj hapjeje, që ia humbet kuptimin Traditës e, nga ana tjetër, një qëndrim i ngurtë, që hedh poshtë çdo ndryshim. Papa Leoni XIV propozon një rrugë të bazuar në dialog dhe në dëgjimin plot durim, me synimin për t’i përfshirë të gjithë në krijimin e bashkimit në Kishë. Edhe pse më e ngadaltë, kjo rrugë jep mundësinë për t’i kuptuar e për t’i zgjidhur arsyet e përçarjeve, duke nxitur takimin dhe paqen.

Stili sinodal

Së fundi, stili i shërbimit papnor të Leonit XIV, karakterizuar nga sinodaliteti, pra, nga pjesëmarrja dhe diskutimi. Papa, i cili ka marrë pjesë në Sinodin mbi sinodalitetin, vazhdon të promovojë vendime me konsensusin e të gjithëve, siç dëshmohet nga Koncistoret e mbledhura për të reflektuar mbi rolin e sinodalitetit. Kardinali Parolin sqaroi se ky stil nuk e dobëson autoritetin papnor, por e interpreton atë si shërbim. Papa favorizon gjuhën e matur dhe të menduar, në kontrast me tonin agresiv të debatit bashkëkohor. Edhe pse stili i tij është i ndryshëm nga ai i Papës Françesku, Leoni XIV vazhdon të ndjekë traditën e paraardhësve të tij, duke kontribuar në zhvillimin koherent të magjisterit të Kishës.

19 mars 2026, 10:29