Kërko

Atë Roberto Pasolini, Predikatari i Shtëpisë Papnore Atë Roberto Pasolini, Predikatari i Shtëpisë Papnore

Pasolini: Ungjilli nuk kumtohet për të fituar, por për t’u takuar

Ungjillëzimi është qendra e meditimit të tretë të Krezhmëve mbajtur sot, më 20 mars, në Sallën Pali VI, në prani të Papës. Predikatari i Familjes Papnore, duke pasur parasysh jetën e Shën Françeskut, theksoi se “kumtimi i Krishtit nga një qëndrim superioriteti, ose kontrolli” ka rrezik ta tradhtojë Ungjillin. “Autoriteti ynë”, pohoi ai, “nuk lind nga roli, por nga një jetë” e jetuar me dëshmi ungjillore

R.SH. - Vatikan

Të jemi të përvuajtur, duke e pranuar se varemi nga ndjeshmëria e të tjerëve, që të përgatisim kështu terrenin për takimin me Jezu Krishtin, pa pretendimin për të dhënë përgjigje të gatshme, por duke nxitur reflektimin, duke lënë hapësirë ​​për dialog, gati për të pranuar gjithçka të mirë nga të tjerët, në “një dinamizëm dashurie”. Në meditimin e tij të tretë të Krezhmëve, Predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Roberto Pasolini, u përqendrua në mënyrën e ungjillëzimit, duke u nisur nga përvoja shpirtërore e Shën Françeskut të Asizit. Tema: "Misioni. T’ia kumtojmë Ungjillin çdo krijese", u shtjellua sot paradite, 20 mars, në Sallën Pali VI, në prani të Papës Leoni XIV.

Misioni: t’ia shpallim Ungjillin çdo krijese

Atë Pasolini ftoi të hedhim një hap përtej kthesës së zemrës e vëllazërimit e ky hap është misioni. Nuk është vetëm shtysë e brendshme, por veprimtari, që arrin dhe prek jetën e të tjerëve. Udha shpirtërore e Shën Françeskut nuk ndalet te gëzimi i vëllezërve apo te vëmendja e dashuria e shndërruar prej Zotit, që ai e ndjeu personalisht, por plotësohet në dëshirën për ta kumtuar këtë hir nëpërmjet takimit me të tjerët, në një mënyrë që e tejkalon komunikimin me fjalë. Kumtimi i Ungjillit bëhet kështu çështje dëshmie autentike dhe përvujtërie.

Misioni: rrugë dëshmie dhe pranimi

Rruga e shpalljes së Ungjillit, sipas atë Pasolinit, ndahet në pesë hapa. I pari është primati i dëshmisë mbi fjalën: Krishti nuk kumtohet thjesht duke dhënë informacion për Të, por duke e ndryshuar jetën për ta bërë Atë të dukshëm e të pranishëm. Predikatari citoi Letrën e parë të Gjonit, ku nënvizohet: “Çka ishte qysh në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës… po jua kumtojmë edhe juve” (1 Gjon 1,1-3). Shën Françesku, ashtu si dishepujt, e dinte se më parë vjen bashkimi i jetës me Krishtin dhe më pas kumtimi i Tij. Predikimi nuk është thjesht transmetim fjalësh, por jetë që dëshmon Krishtin, një dëshmi që, si ajo e dishepujve të parë, nuk mund të mbahet për vete.

  (@Vatican Media)

"Të lindë Krishti në shpirt"

Thelbi i misionit, vijoi atë Pasolini, është ideja e "lindjes së Krishtit në shpirt". Shën Françesku dhe sivëllezërit e tij, pavarësisht nga varfëria e tyre, e kishin kuptuar se misioni nuk ishte të flisnin për Krishtin, por ta linin Krishtin të rritej brenda tyre, në një proces, që ngjan me atë të një nëne, e cila e mban fëmijën në bark e më pas, e lind. Ky proces shpirtëror është fryt i lutjes dhe i jetës së përditshme, në të cilën mishërohet Krishti. Siç na mëson Shën Françesku, fjala duhet ruajtur dhe duhet matur para se të shpallet.

"I lum është shërbëtori, i cili grumbullon për thesarin e qiellit pasuritë, që Zoti ia tregon dhe nuk lakmon t'ua paraqesë atyre njerëzve për të marrë ndonjë shpërblim, sepse vetë i Tejetlarti do t’ia shfaqë veprat e tij kujtdo që do t’i pëlqejë" (Paralajmërime XVI,1-3).

Nuk duhet të nxitohemi për t’u dukur me fenë tonë. Shën Françesku paralajmëronte kundër rrezikut të përdorimit të Ungjillit për të kërkuar lavde personale. Dëshmia bëhet më parë në heshtje, në jetën e përditshme dhe, vetëm më pas, me fjalë.

Mikpritja si hap i rëndësishëm

Hapi i dytë ka të bëjë me stilin e kumtimit: të mirëpritemi më parë e pastaj të ofrojmë diçka të re. Shën Françesku, duke ndjekur shembullin e Jezusit, na mëson se është e nevojshme të nisesh pa siguri, pa marrë asgjë me vete, duke pranuar ç’na ofrojnë të tjerët. Ungjilli nuk përhapet duke e paraqitur si diçka, që i mungon tjetrit, por si pasuri, që është e pranishme, një prani hyjnore që, thjesht, duhet të njihet. Kumtimi i Ungjillit, në këtë perspektivë, nuk është imponim, por marrëdhënie, dëgjim, pranim i tjetrit. Vetëm pas këtij gjesti të parë mund të flasim për Zotin, por në një mënyrë që lind nga përvoja dhe dëgjimi reciprok. E atë Pasolini citoi shën Tomën nga Çelano, i cili ka shkruar tri jetë të Shën Françeskut të Asizit:

"Shkoni, të dashur, dy nga dy në anë të ndryshme të botës dhe u shpallni njerzëve paqen dhe pendesën për faljen e mëkateve..." (1Celano, XII,29; FF 366).

Edhe në mandatin e Jezu Krishtit, mikpritja e pranimi i dishepujve vjen para kumtimit të Lajmit të Mirë. Apostujt shkojnë dhe, para se të flasin, duhet të priten në paqe. Misioni nuk është ndonjë veprim nga lart, por ftesë për të njohur atë, që është e pranishme në jetën e tjetrit.

  (@Vatican Media)

Të presim pyetjet: pedagogjia e dëgjimit

Mesazhi i krishterë nuk ka përgjigje të gatshme, por karakterizohet nga dëgjimi i thellë. Shën Françesku, vuri në dukje Predikatari i Shtëpisë Papnore, na mëson se shpallja autentike lind kur i dëgjojmë pyetjet e të tjerëve, të cilat shpesh janë përpjekje për ta kuptuar më thellë jetën. Misioni i të krishterëve nuk është të japin përgjigje, por t’i shoqërojnë të tjerët në udhëtimin drejt së vërtetës që, nganjëherë, del përmes vetë pyetjeve.

Ky parim është i dukshëm në takimin e Filipit me eunukun etiopian, përshkruar në Veprat e Apostujve. Nuk janë përgjigjet e Filipit ato që e prekin eunukun, por pyetja e tij: "A e kupton çka po lexon?" (Vap 8,30). Vetëm kur njeriu bën një pyetje të sinqertë, mesazhi bëhet i frytshëm.

Takimi me tjetrin: marrëdhënie respekti e dinjiteti

Misioni i Shën Françeskut, si ai i Jezu Krishtit, nuk është përpjekje për t’i kthyer njerëzit me çdo kusht në krishterim, por njohje e dinjitetit të tjetrit, edhe kur dallimet janë të thella. Takimi i tij i famshëm me sulltanin e Egjiptit është shembull për një mision, që nuk kërkon suksesin e menjëhershëm. Shën Françesku nuk imponon asgjë, por thjesht paraqitet si dëshmitar i fesë së tij. Takimi është i frytshëm jo sepse Shën Françesku e ndryshon sulltanin, por sepse të dy e pranojnë dinjitetin e tjetrit, vuri në dukje atë Pasolini.

“Ungjilli nuk shpallet për të pushtuar, por për t’u takuar. Tjetri nuk është ndonjë objektiv që duhet arritur, por një prag para të cilit ndalemi, duke pritur të na mirëpresin. Ungjillëzim nuk do të thotë të shkurtojmë distancat me çdo kusht, por t'i përshkojmë ato pa i zhdukur, duke e ruajtur ndryshimin, si hapësirë ​​ku Zoti vazhdon të veprojë në zemrën e secilit”.

  (@Vatican Media)

Të nënshtruar para të gjithëve: forca e mikpritjes së përvuajtur

Shën Françesku na mëson se Ungjilli nuk mund të shpallet me pretendimin se jemi superiorë, por me nënshtrim, që nuk do të thotë dobësi, por njohje e dinjitetit dhe e vlerës së çdo krijese. "Nënshtrimi ndaj të gjithëve" bëhet një vendim i qartë dashurie, ku respekti për të tjerët është forma më e lartë e shpalljes ungjillore. "Ne u nënshtrohemi të gjithëve për dashuri të Zotit" (Rregulli pa bulë XVI, 6; FF 43). Misioni i krishterë, pra, nuk është ndonjë akt pushtimi, por shërbimi.

Kjo dinamikë është e njëjta që Krishti përjetoi në mishërimin e tij. Nuk është çështje dominimi, por krijim i hapësirës për tjetrin, duke e lënë të dalë në pah e të jetojë, si në rastin e Birit të Zotit, që u bë foshnjë për t'u takuar me njerëzimin, përfundoi atë Pasolini.

20 mars 2026, 11:23