Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës boton Rregulloren e tij të re të Përgjithshme
R.SH. – Vatikan
U publikua sot Rregullorja e re e përgjithshme e Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës publikoi, e cila ka për qëllim ripërcaktimin e identitetit, misionit dhe strukturës së kësaj Vepre Apostolike Papnore. Ajo nuk konsiderohet më lëvizje e thjeshtë kishtare, por rrjet universal në shërbim të drejtpërdrejtë të Atit të Shenjtë, e përbërë nga rreth 22 milionë vetë në më se 90 vende. Data e solemnitetit të Shën Jozefit, mbrojtës i Kishës universale dhe i Shoqërisë së Jezusit, nuk është rastësi, pasi Papa ua besoi pikërisht jezuitëve administrimin apostolik të kësaj Vepre Papnore, shërbimi i së cilës realizohet nëpërmjet Fondacionit Vatikanas me seli në Romë.
Vizioni i plotë i Rrjetit për sfidat e njerëzimit dhe të Kishës
Rregullorja paraqet vizionin e plotë të Rrjetit, duke e përcaktuar atë si Fondacion të Vatikanit në shërbim të Selisë së Shenjtë. Misioni i tij kryesor është të mobilizojë besimtarët - individualisht ose në grup - që t’u përgjigjen sfidave të njerëzimit dhe të Kishës përmes lutjes, formimit shpirtëror dhe shërbimit, në përputhje me ndjetet mujore të lutjes së Papës.
Përshpirtëria e Rrjetit bazohet në Zemrën e Krishtit dhe shprehet në itinerarin formativ “Udha e zemrës”, i cili bashkon lutjen me impenjimin konkret, duke nxitur dhembshurinë aktive para vuajtjeve të botës. Rregullorja e re synon të japë udhëzime për të ecur së bashku, në vazhdimësi me traditën e Apostullimit të Lutjes dhe në përgjigje të sfidave bashkëkohore. Vlefshmëria e saj fillestare është dy vjet.
(Këtu, teksti i plotë i Rregullores)
Katër pjesë: identiteti, organizimi, pjesëmarrja, mbrojtja
Teksti është i ndarë në katër pjesë: përkufizimi i identitetit të Veprës, përshkrimi i strukturës organizative (në nivel ndërkombëtar, kombëtar, dioqezan dhe lokal), mënyrat e pjesëmarrjes dhe normat për mbrojtjen e të miturve dhe të personave të cënueshëm, duke garantuar transparencë dhe përgjegjësi.
Struktura e Rrjetit ruan ekuilibrin ndërmjet përmasës universale të Kishës dhe bashkësive katolike lokale, falë koordinimit të Fondacionit Vatikanas me seli në Romë dhe bashkëpunimit me realitetet kishtare lokale. Një aspekt thelbësor është natyra e Rrjetit: jo një shoqatë e mbyllur, por një bashkësi e hapur e të krishterëve që, brenda realiteteve të tyre kishtare, bashkohen në misionin e përbashkët për t’u lutur dhe për të vepruar sipas ndjeteve të Papës.
Dy mënyra pjesëmarrjeje
Parashikohen dy mënyra pjesëmarrjeje: një e hapur për të gjithë, veçanërisht përmes lutjes mujore, si edhe një më impenjative, që parashikon një ritëm të përditshëm lutjeje dhe mundësinë për t’iu kushtuar Zemrës së Krishtit. Tregohet vëmendje e veçantë ndaj të rinjve përmes Lëvizjes Eukaristike Rinore, pjesë përbërëse e Rrjetit, e cila mundëson një rrugëtim formativ të frymëzuar nga Ungjilli dhe të përshtatur për brezat e rinj.
Të frymëzuar nga Papa
Në takimin e 30 janarit të këtij viti me anëtarët e Zyrës ndërkombëtare, bamirësit dhe miqtë e Rrjetit të Lutjes, Papa pati theksuar rëndësinë e misionit të Rrjetit si pjesë e veprës ungjillëzuese të Kishës, duke nënvizuar vlerën e lutjes si shprehje e dhembshurisë dhe duke i ftuar veçanërisht të rinjtë të marrin pjesë, për të formuar kështu një brez të ri besimtarësh të angazhuar në lutjen e ndërmjetësimit për problemet e njerëzimit.