Kërko

Familjet që ikin nga Libani në Siri Familjet që ikin nga Libani në Siri

Selia e Shenjtë: të ndalet përdorimi i një gjuhe “të mbushur me urrejtje dhe hakmarrje”

Deklarata e Vëzhguesit të Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, kryeipeshkvit Imzot Balestrero, në mbështetje të angazhimit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Ftesa për të lidhur ndihmën për refugjatët me ndërtimin e paqes, për të “gjetur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme” për krizat botërore dhe për t’u angazhuar në një “dialog të sinqertë”.

R.SH. – Vatikan

R.SH. – Vatikan

Selia e Shenjtë kërkon “t’i jepet fund përdorimit të një gjuhe të mbushur me urrejtje dhe hakmarrje dhe të angazhohemi në një dialog të sinqertë”, me synimin për të gjetur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme për krizat që prekin botën. Selia e Shenjtë mirëpret gjithashtu edhe përpjekjet e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) për të “lidhur ndihmën humanitare me zhvillimin dhe ndërtimin e paqes, në bashkëpunim të ngushtë me shtetet dhe aktorët lokalë”. Këtë e theksoi kryeipeshkvi Imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, në deklaratën e tij me rastin e mbledhjes së 95-të të Komitetit të Përhershëm të UNHCR-së, ku u paraqit një përditësim mbi operacionet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, mbajtur më 25 mars.

Burimet për refugjatët bien, nevojat humanitare rriten

Kryeipeshkvi Balestrero kujtoi shqetësimin e thellë me të cilin Selia e Shenjtë ndjek luftën në Lindjen e Mesme, duke cituar fjalët e Papës Leoni XIV gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të 22 marsit: “Vdekja dhe dhimbja e shkaktuar nga këto luftëra janë një skandal për gjithë familjen njerëzore dhe një britmë para Zotit!”. Fatkeqësisht, vuri në dukje imzot Balestrero, “ndërsa nevojat humanitare rriten në mënyrë dramatike, burimet për ndihmë po pakësohen”. Vuajtjet e miliona njerëzve të privuar nga “mbrojtja e duhur, ndihma dhe perspektiva për një të ardhme dinjitoze”, shtoi ai, rëndohen edhe më shumë nga disproporcioni i madh midis burimeve të përdorura për armët dhe luftën dhe “atyre të dedikuara për shërbimin e jetës”.

Sigurimi i financimeve për vendet pritëse të refugjatëve

Duke qenë se shumica dërrmuese e refugjatëve strehohen në vendet në zhvillim, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë theksoi se “bashkësia ndërkombëtare duhet të ripërtërijë angazhimin për solidaritet, duke siguruar financime të parashikueshme dhe më shumë mundësi strehimi për risistemim”. Të zhvendosurit, nënvizoi ai, “nuk janë thjesht statistika për t’u menaxhuar; janë individë, burra e gra, djem e vajza, secili me një emër, një fytyrë dhe një histori”. Fatkeqësisht, në shumë vende të botës, “breza të tërë nuk kanë njohur asgjë tjetër përveç luftës, zhvendosjes dhe pasigurisë”. Fëmijët që rriten në kampe “privohen nga mjedise familjare të qëndrueshme, nga arsimi dhe madje nga gëzimi i thjeshtë i lojës”. Si mund të shpresojnë që këta të rritur të ardhshëm të ndërtojnë një botë më të mirë, pyet kryeipeshkvi Balestrero, “kur i vetmi realitet që kanë njohur është tmerri i luftës?”

Roli i organizatave fetare dhe katolike

Organizatat e frymëzuara nga feja, përfshirë shumë institucione katolike, sipas Imzot Balestreros mund të kontribuojnë në mënyrë specifike në përpjekjet e UNHCR-së për të lidhur ndihmën humanitare me ndërtimin e paqes, duke “promovuar pajtimin, bashkëjetesën paqësore dhe një kulturë solidariteti dhe vëllazërie”. Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë theksoi se “është e domosdoshme të trajtohen shkaqet rrënjësore që i detyrojnë njerëzit të ikin”, sepse lufta dhe dhuna “rrjedhin gjithmonë nga politika dhe vendime që çojnë në pasoja të tmerrshme si vdekja, plagët, shkatërrimi dhe dhimbja”. Stabiliteti dhe paqja, kujtoi Papa Leone XIV në lutjen e Engjëllit të Zotit më 1 mars, “nuk ndërtohen me kërcënime reciproke dhe as me armë, por vetëm përmes një dialogu të arsyeshëm, autentik dhe të përgjegjshëm”. Në përfundim, Imzot Balestrero kujtoi thirrjen e Papës drejtuar palëve në konflikt që “të marrin përgjegjësinë morale për të ndalur spiralen e dhunës përpara se të bëhet e pakthyeshme”, në mënyrë që diplomacia të rifitojë rolin e saj dhe të promovohet e mira e popujve që dëshirojnë një bashkëjetesë paqësore, të bazuar në drejtësi.

E drejta për jetën si prioritet

Kryeipeshkvi imzot Balestrero foli edhe në një tjetër takim të UNHCR-së kushtuar Evropës: Selia e Shenjtë, më shumë se katër vjet pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, vazhdon ta ndjekë “me dhimbje të madhe” ndikimin humanitar të këtij konflikti, i cili ka shkaktuar “zhvendosjen e detyruar të miliona njerëzve, ka shkatërruar jetë e familje dhe ka sjellë vuajtje të përhapura”. Përballë kësaj situate, Selia e Shenjtë përsërit thirrjen e Papës Leoni XIV për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive, sepse “paqja nuk mund të shtyhet: është një nevojë urgjente që duhet të gjejë vend në zemrat tona dhe të përkthehet në vendime të përgjegjshme”. Imzot Balestrero vlerësoi gjithashtu edhe vendimin e Bashkimit Evropian për të zgjatur statusin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët ukrainas deri në mars 2027. “Të bëhesh refugjat nuk është kurrë një zgjedhje”, theksoi ai, duke shtuar se “e drejta për jetën duhet të jetë përparësi dhe asnjë person që ka nevojë për mbrojtje nuk duhet të vdesë në det apo në kufij për shkak të mungesës, vonesës apo kushtëzimit të ndihmës”.

27 mars 2026, 10:44