Selia e Shenjtë: të zhduken barrierat diskriminuese me të cilat përballen gratë
R.SH. - Vatikan
Të garantohet drejtësi e njëjtë e, pastaj, të zhduken të gjitha ato barriera, që diskriminojnë, shkaktojnë vuajtje dhe minojnë dinjitetin e grave. Kjo është thirrja e Misionit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara në Komisionin e 70-të mbi Statusin e Grave, i cili filloi më 9 mars në Selinë e OKB-së në Nju Jork dhe vazhdon deri nesër, më 19 mars.
Vështirësitë para drejtësisë
Në deklaratën e tij, delegacioni i Vatikanit pohon se gratë dhe vajzat kërkojnë më shumë sesa "mbrojtje formale ligjore". Ato duan trajtimin e shkaqeve themelore, që i ekspozojnë ndaj rrezikut, duke i penguar të kërkojnë drejtësi dhe, në analizë të fundit, duke u cënuar dinjitetin. Ndër shkaqet e mungesës së mundësive për një gjykim të drejtë, Selia e Shenjtë vë në dukje varfërinë, e cila çon në burime të pamjaftueshme për marrjen e ndihmës ligjore, si edhe mungesën e fondeve dhe mbingarkesën e organizatave të ndihmës ligjore. Për më tepër, ato që jetojnë në zona rurale përballen me vështirësi të tjera, që lidhen me mungesën e transportit dhe të rrjeteve të besueshme të komunikimit. Përveç kësaj, kur është fjala për emigrante, shtohet edhe vështirësia për të folur gjuhën e vendit ku kërkohet drejtësia, mungesa e njohjes së të drejtave dhe problematika e një sistemi gjyqësor të panjohur.
Burime dhe mundësi të barabarta
Drejtësia e barabartë për të gjithë presupozon edhe që vajzat të kenë të njëjtën mbështetje nga familjet, si djemtë, e vetë familjet të jenë ambiente të shëndetshme dhe paqësore për të gjithë, deklaron delegacioni i Vatikanit. “Kultura e llogaridhënies”, këshillon Selia e Shenjtë, është e rëndësishme për parandalimin e abuzimeve kundër grave nga ana e sistemit të drejtësisë dhe për sigurimin e dëmshpërblimit nëse ka shkelje. Mosarritja e këtyre objektivave i ekspozon gratë ndaj "rrezikut të viktimizimit dhe shfrytëzimit të përsëritur", përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore. Në deklaratë denoncohen sidomos shfrytëzimi seksual, martesat me detyrim, amësia surrogate dhe gjendje, që rrjedhin nga veprimtari të tjera kriminale.
Garantimi i të drejtave gjatë paraburgimit
Selia e Shenjtë bën thirrje edhe për garanci, që mbrojnë të drejtat e grave të akuzuara për krime, si "gjykimi i drejtë, përfaqësimi i duhur ligjor dhe ambiente paraburgimi të sigurta, higjienike, të ndara sipas gjinisë". Delegacioni i Vatikanit thekson nevojat e veçanta shëndetësore dhe ushqimore të grave shtatzëna dhe nënave të të porsalindurve, të cilat duhet të merren parasysh gjatë paraburgimit. Deklarata përfundon me theksin në ndihmën që Selia e Shenjtë dhe institucione të tjera katolike do të vazhdojnë të japin në mbështetje të këtyre përpjekjeve.