Kard. Parolin: Pashkët janë festë paqeje. T’i jepet fund marrëzisë së luftës
R.Sh. Vatikan
"Jepini fund luftës, kësaj marrëzie". Kjo është thirrja që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin ndau me një grup gazetarësh në kuadër të një dite studimesh kushtuar burri të shtetit italian, Alcide De Gasperi, që zhvillohet sot në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Mendja e prelatit shkon te Toka e Shenjtë, e cila po përgatitet të përjetojë një Javë të Madhe me kufizime të rënda, për shkak të luftës. Kardinali shpreson se "të paktën brenda" vendeve të shenjta, siç është Kisha e Varrit të Shenjtë, " të mund kremtohen ritet". Në prag të Pashkëve, ai përtërin thirrjen e tij për t'i dhënë fund dhunës: "Pashkët janë festa e paqes, paqja e Zotit të ringjallur, dhe për këtë arsye është një rast i veçantë për ta përtërirë këtë ftesë dhe për t'i dhënë fund kësaj marrëzie që është lufta".
Në Itali, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët
Lidhur me situatën politike, vetëm disa ditë pas rezultatit të referendumit për drejtësinë që vulosi fitoren e votës "Jo", kardinali Parolin vuri në dukje "interesin e madh" të treguar nga italianët në votimet për referendumin, gjë që u shpreh "përmes pjesëmarrjes së jashtëzakonshme". "Mendoj se të gjithë u çuditëm pak kur pamë përqindjen e njerëzve që votuan... “Unë, – u tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit gazetarëve – "besoj se, me të vërtetë, do të kishte kuptim t’i vlerësonim këto zhvillime, por secili nga këndvështrimi i vet, sigurisht, sepse ka interpretime të ndryshme si për pjesëmarrjen ashtu edhe për rezultatin". Gjithashtu, duke pasur parasysh përplasjet politike brenda qeverisë italiane, shpresa është që "e gjithë kjo gjë të ndihmojë për një harmoni dhe bashkëpunim më të madh, gjithmonë duke pasur parasysh të mirën e përbashkët të vendit". "Sigurisht, konflikti që nuk i shërben së mirës të shoqërisë dhe të vendit është shkak për shqetësim", shtoi kardinali. Më tej, Sekretari i Shtetit të Vatikanit fton "ta shfrytëzojmë këtë moment, i cili është tepër i ndërlikuar dhe i dhimbshëm në nivel ndërkombëtar, dhe të përpiqemi të krijojmë sinergji. Secili nga këndvështrimi i vet, secili me kontributin e vet, por për të mirën e vendit".
Edukimi i të rinjve me vlera
Duke u përqendruar tek Italia, kardinali i përgjigjet një pyetjeje në lidhje me lajmin e fundit të goditjes me thikë të një mësuesi nga një nxënës 13-vjeçar në Bergamo. "Përballë këtyre dukurive, ka nevojë për ndërhyrje që vendosin rend, që të parandalohen këto incidente", thotë ai. Në të njëjtën kohë, sipas kardinalit, "është çështje vlerash: cilat janë vlerat që frymëzojnë të rinjtë tanë? Cilat janë vlerat që u përcjellim të rinjve tanë dhe që i parandalojnë këto shthurje që pastaj vërehen?" "Është çështje edukimi në vetvete", shton kardinali, i cili shpreson që shkolla të bëhet "një vend ku mësojmë si të jetojmë së bashku, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të jemi konstruktivë".
Liturgjia nuk duhet të jetë burim konflikti
Në fund, kardinali u pyet për rendin e Meshës së para Koncilit II të Vatikanit, pas publikimit të mesazhit të Papës – të nënshkruar nga vetë Sekretari i Shtetit – drejtuar ipeshkvijve francezë të mbledhur në seancë plenare. Në të, Leoni XIV shprehu shqetësimin se "një plagë e dhimbshme vazhdon të hapet në Kishë në lidhje me kremtimin e Meshës" dhe bëri thirrje "që të pranohen bujarisht ata që janë të lidhur në mënyrë të sinqertë me «Vetus Ordo»". Në të njëjtën vazhdë, kardinali Parolin përsëriti se "liturgjia nuk duhet të bëhet burim konflikti dhe përçarjeje midis nesh". "Do të jetë çështje e gjetjes së një formule që mund të përmbushë nevojat e ligjshme. Unë besoj se kjo mund të arrihet, pa e kthyer liturgjinë në fushë beteje".