Kërko

Smartphone dhe inteligjenca artificiale Smartphone dhe inteligjenca artificiale

Selia e Shenjtë: të edukohen njerëzit të njohin rreziqet e paragjykimeve racore tek inteligjenca artificiale

Në një deklaratë për 60-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Diskriminimit Racor, delegacioni i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara bën thirrje për forcimin e alfabetizimit dixhital, që të promovohet ndërgjegjësimi se "algoritmet mund të ndikojnë në perceptimet tona dhe në dinjitetin njerëzor"

R.Sh. Vatikan

Plaga e diskriminimit, "bazuar në supozime të gabuara të epërsisë racore", tani është e pranishme edhe në sferën dixhitale, me modele të inteligjencës artificiale që mund të riprodhojnë "stereotipe dhe paragjykime të pranishme nga të dhënat mbi të cilat bazohen".

Duke u nisur nga analiza e Papa Leonit XIV në mesazhin e tij për Ditën e 60-të Botërore të Komunikimit, delegacioni i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në një deklaratë në takimin përkujtimor të 60-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Diskriminimit Racor, të mbajtur dje, më 23 mars, në Nju Jork, bëri thirrje për "forcimin e përpjekjeve në fushën e arsimit, veçanërisht në lidhje me alfabetizimin dixhital, që të ndërgjegjësohen njerëzit se si mund të ndikojnë algoritmet në perceptimin e shoqërisë dhe të dinjitetit njerëzor".

Kundër racizmit, duke njohur dinjitetin e çdo individi

Selia e Shenjtë përsërit "dënimin e plotë dhe të vendosur të racizmit dhe të diskriminimit racor në të gjitha format e tyre". Selia e Shenjtë vë në dukje se tashti që kanë kaluar 60 vjet nga shpallja e kësaj date, racizmi "fuqizohet ngaqë nuk pranohet fakti se dinjiteti i çdo individi nuk varet nga dobia që sjell [në shoqëri] apo nga rrethanat". E ndërsa, në shikim të parë, racizmi "duket se vazhdon të shfaqet si diskriminim që bazohet tek idetë e gabuara të epërsisë racore", kur e vëren më në hollësi, kjo plagë vepron nëpërmjet mekanizmave më të stërholluara dhe më të ndërlikuara, siç janë ato të botës dixhitale.

Politikat dhe veprimtaritë për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Papa paralajmëron se nëpërmjet modeleve të inteligjencës artificiale, të cilat "krijohen nga botëkuptimi i atyre që i ndërtojnë këto modele", mund të imponohen paragjykime të tilla si ato racore.

Duke pasur parasysh këto sfida, përfundon Ati i Shenjtë Prevost, mobilizimi i vullnetit politik nuk është i mjaftueshëm "nëse nuk shkon dorëpërdorë edhe me një angazhim të vërtetë për të njohur dinjitetin dhe të drejtat e barabarta të çdo personi".

Siç deklaroi Leoni XIV në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë këtë vit, "qeniet njerëzore janë krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë me Zotin, i cili, i shtyrë nga dashuria, duke i thirrur ata në jetë, në të njëjtën kohë i ka thirrur ata që të duan".

Zbatimi i kësaj bindjeje në politika dhe veprimtari të tjera "mund të dobësojë rrënjët e racizmit dhe të forcojë lidhjet e familjes sonë të përbotshme".

24 mars 2026, 15:47