Kërko

Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Orientale Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Orientale

Toka Shenjte, Kard. Gugerotti: dhuro, për të mos qenë bashkëfajtor me ata që i vënë flakën botës

Kardinali prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore flet për rëndësinë e mbledhjes së lëmoshëve për Tokën Shenjte në situatën e sotme të luftës: "Për ata që kanë humbur gjithçka në ato toka, është çështje mbijetese. E është detyra jonë si të krishterë ta rikthejmë shpresën e humbur".

R.SH. / Vatikan

Si çdo vit, të Premten e Madhe të Pashkëve do të mblidhen lëmoshë për vendet e "Shëlbuesit", nismë e rëndësishme solidariteti e Kishës universale, për Kishat dhe bashkësitë e krishtera të Tokës së Shenjtë. Sivjet mbledhja po zhvillohet në rrethana lufte, që duket se po përhapet si zjarr i egër dhe po sjell pasoja dramatike për mbarë popujt e rajonit.

Në letrën që, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore, Kardinali Claudio Gugerotti i drejtoi mbarë Kishës Katolike, duke e ftuar të kontribuojë në Collecta tradicionale pro Terra Sancta, kardinali Gugerotti denoncon përplasjen e pandërprerë të armëve dhe i nxit të gjithë të reflektojnë, në mënyrë që të mos jenë bashkëpunëtorë me ata, të cilëve po i vënë flakën botës.

"Kam ndjesinë se pjesa më e madhe e botës nuk e kupton katastrofën që po godet qytetërimin tonë. Ata që bëjnë luftën sot, po shkatërrojnë gjithçka që u ndërtua pas Luftës II Botërore. E nuk po flas vetëm për idealet, por edhe për njerëzit e për gjërat, madje edhe për monumentet historike me vlerë të jashtëzakonshme. Mania për kontroll si qëllim në vetvete dhe nënshtrimi i të tjerëve përmes përdorimit të forcës, është projekt vetëvrasës për njerëzimin. Për ne të krishterët, e gjithë kjo është blasfemi. 'Duaje të afërmin tënd si vetveten', na ka porositur Jezusi".

Si duhet interpretuar, në këto rrethana, mbledhja për Tokën  Shenjte?

Është përgjegjësi ndaj vëllezërve dhe motrave tona, të cilat vazhdojnë të vdesin nga dhuna e çmendur që përfshin botën e që nuk kanë asgjë për të ngrënë e as për t'u kujdesur për vetveten. Ne duhet të marrim përsipër vuajtjet e tyre, sepse ata nuk janë "tjetër përveç nesh"; janë mishi ynë.

Shkëlqesi, çfarë kuptimi ka lufta në të cilën jemi të pranishëm për bashkësitë e krishtera të Tokës Shenjte?

Bashkësitë e krishtera, të cilat kanë pasur gjithnjë perceptimin se toleroheshin, tani kanë frikë se nuk tolerohen më. Si rezultat, tani duan të ikin. Kujtoni, për shembull, atë që ndodhi në Siri: vetëm në pak vite, humbëm 80% të të krishterëve tanë. Kjo do të thotë se Toka Shenjte, toka ku lindi Jezusi, ku u zhvillua krishterimi i hershëm, ku lindën liturgjitë e para, ku Etërit e parë të Kishës i folën botës dhe pasuruan doktrinën, ku u mbajtën Koncilet, është gati të zbrazet plotësisht nga fermentimi i krishterë i dëshmuar nga burra dhe gra të vërtetë e që është në thelb pjesë e identitetit të tyre.

Si Kishë, ne nuk mund të dorëzohemi në këtë situatë, as nuk mund t'i braktisim këto bashkësi, të cilat janë pjesë e jona, e fatit tonë. Për më tepër, ky diskriminim nuk i prek vetëm ata, por të gjitha "minoritetet", të cilat heret a vonë janë, ose do të jenë të kërcënuara në mënyrë të ngjashme. Po flasim për komunitete të lashta, me fe të kristaltë të krishterë, me frymë solidariteti të fortë dhe të lidhura thellësisht me Kishën, sepse ajo ishte nëna e të gjithëve, duke u kujdesur për fëmijët e tyre, duke kërkuar strehim që ata të mund të mbijetonin, duke i mbështetur ata në bizneset e tyre të vogla dhe mbi të gjitha, duke e mbajtur gjallë fenë e tyre, kuptimin e jetës së tyre. Ku do të shkojnë ata? Kush do t'i mirëpresë? Kush do ta ruajë identitetin e tyre, pa të cilin edhe Kisha do të jetë e plagosur rëndë?

Zakonisht, të ardhurat nga mbledhja e lëmoshëve përdoren për projekte  zhvillimi, mikro-ndërmarrje, për rindërtime dhe restaurime të vendeve të shenjta. Cilat janë prioritetet sot?

Sot flitet për mbijetesë. Sapo hapet një spirale për të qenë të pranishëm, ne bëjmë gjithçka mundemi për të shpëtuar jetë, edhe nëse përpjekjet tona pengohen shpesh herë. E nuk po flasim vetëm për Tokën Shenjte në kuptimin e ngushtë të fjalës. Lufta po përhapet me shpejtësi të frikshme dhe askush nuk duket se i merr në konsideratë implikimet e gjithë kësaj tragjedie politikisht, si dhe njerëzisht dhe fetarisht. A mund të na shpjegojë dikush kuptimin e gjithë kësaj? Çfarë do të thotë të propozosh përsëri kategorinë e papërpunuar të popujve të mirë dhe të këqij? Detyra jonë e parë tani është të ndihmojmë jo vetëm të krishterët, por të gjithë ata, të cilët janë në rrethana të ngjashme, që të mbijetojnë dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.

Ndër sektorët kryesorë të ndërhyrjes janë arsimi dhe edukimi i të rinjve...

Po mendojmë për t’i propozuar Atit të Shenjtë që një pjesë e lëmoshës të dhurohet për shkollimin e fëmijëve të krishterë që ndjekin shkollat ​​tona në Tokën Shenjte dhe në Lindjen e Mesme. Këto janë familje të varfra, që madje i japin shtëpitë peng, për t’i arsimuar fëmijët e tyre dhe për t’u siguruar që të mos humbasë kultura e tyre e origjinës. Ndihma për familjet e krishtera, në këtë mënyrë, do të thotë edhe t’i ndihmosh të qëndrojnë e t’u sigurosh të ardhmen për fëmijët e tyre, në atdheun e tyre. Njerëzit kanë qenë gjithmonë bujarë në kontributin për Lëmoshën e Tokës Shenjte, e kanë të dijtë edhe se dhurimet e tyre u krijojnë fëmijëve mundësinë të kthehen në shkollë. E kjo bujari sigurisht është nxitje e fortë.

Opinioni publik është gjithnjë e më pak i ndjeshëm për çka po ndodh ndërkombëtarisht. Cili është mesazhi për rizgjimin e dhembshurisë në shoqëri?

Të filozofosh nuk ka pikë vlere. Këtu duhet të zbresësh në hollësira, për të kuptuar nëse kjo është bota që duam. Në këndvështrimin e krishterë, ne po punojmë për të krijuar një shoqëri, e cila është e kundërta e asaj që predikon Ungjilli. Në mendjet e shumë njerëzve, për fat të keq, Zoti është zëvendësuar nga paratë, dhe ky lloj idhulli kërkon flijime njerëzore. Shumë njerëz tani, madje edhe ndërmjet atyre që e quajnë veten të krishterë, kanë si qëllim të vetëm ndjekjen e suksesit të tyre financiar i cili, në realitet, është sukses i shumë pak njerëzve - e mjerim i popujve të tërë.  Zoti e ka thënë fare qartë: "Nuk mund t'i shërbeni Zotit dhe parave". Prandaj, ta pyesim veten se cili do të ishte reagimi ynë nëse një ditë fëmijët tanë do të merreshin dhe do të dërgoheshin në luftë; ta pyesim veten pse të rinjtë tanë jetojnë një ndjenjë humbjeje dhe tundohen gjithnjë e më shumë nga dhuna ose vetëshkatërrimi. Në këtë kuptim, lëmosha e Tokës Shenjte përfaqëson një formë të shkëlqyer, ndërmjet shumë të tjerash, të mobilizimit për të thënë: ka njerëz që vuajnë, që vuajnë për shkak të asaj që ndodh në vendet ku merr frymë Jezu Krishti,  merret ajo frymë, që e mori edhe Ai e që e lëshoi rishtas në ajër. Të mos lejojmë që natyra sakramentale e atyre viseve dhe e atyre njerëzve të fshihet. Është simbol për mbarë botën!

20 mars 2026, 12:08