Kërko

E Premtja e Madhe "Mundimet e Krishtit Zot" Udha e Kryqit E Premtja e Madhe "Mundimet e Krishtit Zot" Udha e Kryqit

E Premtja e Madhe, domethënia, pse nuk kremtohet Mesha dhe cilat janë ritet

Është e vetmja ditë e vitit liturgjik, në të cilën nuk kremtohet Eukaristia, ndërsa përkujtohen Mundimet dhe Vdekja e Krishtit me Adhurimin e Kryqit, ndjekur nga Udha e Kryqit. Kambanat heshtin, në shenjë zie.

R.SH. / Vatikan

E Premtja e Madhe, dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve, është dita në të cilën kremtohet kryqëzimi dhe vdekja e Jezusit. Në këtë ditë - e vetmja ditë e gjithë vitit - Kisha nuk e kremton Eukaristinë, por një shërbim liturgjik që përkujton Mundimet e Zotit, të përbërë nga Liturgjia e Fjalës së Zotit, Adhurimi i Kryqit dhe Ritet e Kungimit. Është ditë agjërimi.

Ritet liturgjike

Paraditen e së Premtes së Madhe vijon, ndonëse pa solemnitet, adhurimi Eukaristik në Altarin e Rivendosjes,  përgatitur pas Meshës së Darkës së mbrame të së enjtes. Në shumë Kisha Katedrale, e edhe në disa famulli, kremtohet bashkërisht Lutjet dhe Leximet e ditës

Në pasditen e së Premtes së Madhe kremtohet liturgjia e Mundimeve të Jezu Krishti Zot, e quajtur In Passione Domini. Ky veprim ka zanafillë shumë të lashtë (shekulli VII) dhe është i pranishëm në Ritin Bizantin si një nga tre llojet e Liturgjisë Hyjnore.

Kremtimi ndahet në tri pjesë:

1. Liturgjia e Fjalës: Leximi i parë: Kënga e Katërt e Shërbëtorit të Zotit (Isaia 52,13-53,12), Leximi i dytë: Shpëtimi i Krishtit nëpërmjet bindjes së dhimbshme  të mundimeve (Hebrenjve 4,14-16; 5,7-9) Ungjilli: Mundimet, sipas Gjonit (Gjn 18,1-19:42), i ndjekur nga lutja solemne universale.

2. Adhurimi i Kryqit Shenjt

3. Kungimi me lëndët e shenjtëruara eukaristike të Enjten e Madhe, sepse të Premten e Madhe, e vetmja ditë e vitit liturgjik, nuk kremtohet Mesha.

Tradita e Udhës së Kryqit dhe e procesioneve

Udha e Kryqit zakonisht kremtohet në orët e mbrëmjes, në çdo famulli. Që nga viti 1965, Papa e ka kremtuar atë në mjedisin që të kujton të krishterët e parë të përsekutuar në Koloseum, në Romë. Në rajone të ndryshme të botës së krishterë, zhvillohen procesione mbresëlënëse me të Kryqëzuarin, me shtatoren e Krishtit të vdekur dhe të Zojës së Dhimshme, ose me shtatoret, që përfaqësojnë ndalesat e Udhës së Kryqit.

03 prill 2026, 10:03