Kërko

Të krishterët e Jeruzalemit Të krishterët e Jeruzalemit

Flet Atë Patton: Edhe sot një Udhë Kryqi për të krishterët në Lindjen e Mesme.

Bisedë me françeskanin Patton, ish-Rojtar i Tokës së Shenjtë, të cilit Papa Leoni XIV i besoi meditimet për të Premten e Madhe në Kolose, në Romë: "Do të flas për vuajtjet e nënave dhe grave që sot mishërojnë figurën e Marisë, Veronikës dhe grave të Jeruzalemit. Pas reflektimit mbi konceptin e shtrembëruar të pushtetit qëndrojnë ngjarje ndërkombëtare që janë të dukshme për të gjithë."

R.SH. / Vatikan

“Reflektimet dhe lutjet e Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe 2026 frymëzohen qartë nga e tashmja dhe njerëz të vërtetë", veçanërisht nga vuajtjet e të krishterëve në Lindjen e Mesme për shkak të luftës”. Kështu i përmbledh Atë Françesko Patton, i Urdhrit të Fretërve të Vegjël meditimet e Udhës së Kryqit që Papë Leoni XIV do të kryesojë në Kolose më 3 prill 2026, të Premten e Madhe. Kujdestar i Tokës së Shenjtë nga 20 maji 2016 deri më 24 qershor 2016, në këtë intervistë me mediat e Vatikanit, françeskani Atë Patton shpjegon gjithashtu se si ky vendim i Papës përkon me tetëqindvjetorin e vdekjes së Varfanjakut të Asizit, Shën Françeskut.

Atë Patton, Papa ju besoi përgatitjen e meditimeve që do të shoqërojnë Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe në Kolose. Kjo është një shenjë e qartë e shqetësimit të Atit të Shenjtë për Tokën e Shenjtë dhe tragjeditë që prekin vendet e Lindjes së Mesme.

Që nga dita e zgjedhjes së tij, Leoni XIV ka kërkuar vazhdimisht dhuratën e paqes. Ka shprehur afërsi dhe solidaritet jo vetëm me Tokën e Shenjtë, por me të gjitha vendet, popujt dhe njerëzit që vuajnë për shkak të luftës. Ky, në fund të fundit, ka qenë qëndrimi i Kishës për më shumë se 100 vjet, që nga 1 gushti 1917, kur Benedikti XV refuzoi të bekonte ushtritë, dhe e quajti luftën që po zhvillohej një "masakër të pakuptimtë", ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve të kombeve ndërluftuese të arrinin një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme nëpërmjet bisedimeve, respektimit të së drejtës ndërkombëtare, kthimit të territoreve të pushtuara, rivendosjes së lëvizjes së lirë dhe çarmatimit. Që atëherë, Kisha gjithmonë ka shprehur afërsinë e vet me popujt e dëmtuar nga lufta dhe ka dënuar vazhdimisht konfliktet e armatosura, të cilat vazhdojnë të jenë një "masakër e pakuptimtë". Pothuajse çdo të diel, pas lutjes së Engjëllit të Tenzot dhe çdo të mërkurë, në fund të katekizmit të tij në audiencën e përgjithshme, Papa Prevost ka këmbëngulur që të arrihet paqja, e përsëris, jo vetëm në Tokën e Shenjtë, por në të gjitha vendet  – janë afërsisht 60 – të cilat sotpërsot janë të përfshira në luftëra të përgjakshme. Edhe të dielën e kaluar Ati i Shenjtë Prevost përdori fjalë shumë të forta për të hedhur poshtë dhunën e ushtruar në emër të Zotit, duke thënë se Zoti nuk i dëgjon lutjet e luftënxitësve që i kanë duart e lyera me gjak.

Atë Patton, mendoj se marrja e kësaj ftese për të shkruar meditimet e Udhës së Kryqit ishte një e papritur për ju.

Një e papritur shumë e madhe, do të thosha. Konkretisht, më kontaktoi Sekretariati i Shtetit të Vatikanit, i cili më tha se Ati i Shenjtë Prevost – meqë ky vit përkon me tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit – kishte kërkuar që unë të përgatisja meditimet. U ndrojta pak por edhe u ndjeva i nderuar.

Çfarë ju frymëzoi më shumë kur shkruat këto meditime?

Unë mora frymëzim nga Ungjijtë, duke u përqendruar te Gjon Ungjilltar, i cili përcjell një vështrim të thellë në misterin e Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht, dhe më pas nga "Shkrimet" e Shën Françeskut të Asizit, të cilat janë një thesar i përshpirtërisë së krishterë. Nga reflektimet dhe lutjet, shihet qartë se frymëzimi vjen edhe nga gjendja botërore dhe njerëzit e vërtetë. Te këta – përgjatë viteve – kam vërejtur mundimet e Udhës së Kryqit. Aty ku flas për vuajtjet e nënave dhe grave – për të cilat ka shkruar edhe "L'Osservatore Romano" – bëhet fjalë për gra që sot mishërojnë figurën e Marisë, Veronikës dhe të grave të tjera të Jeruzalemit.

Pas reflektimeve mbi konceptin e shtrembëruar të pushtetit dhe abuzimit me pushtetin dallohet jehona e lajmeve ndërkombëtare. Simoni nga Cirena, ai që mbart kryqin e Krishtit për një copë udhë, përfaqësohet nga shumë vullnetarë dhe punonjës humanitarë (dhe gjithashtu nga punonjës të komunikimit) që kam takuar gjatë viteve, të cilët kanë rrezikuar jetën e tyre për t'u kujdesur për të tjerët, ose për të bërë të njohur të vërtetën, dhe pa qenë të krishterë. Në këto reflektime, situatat konkrete të përmendura nuk kanë për qëllim të gjykojnë individët, por përkundrazi të grishin për reflektim, të ngrejnë pyetje.

Mesazhi është fetar në thelb dhe kërkon të shprehë afërsinë e Jezu Krishtit, si Biri i mishëruar i Hyjit, me çdo qenie njerëzore. Jam përpjekur që Ndalesat e Udhës së Kryqit këtu në Romë, në Kolose,  të frymëzohen nga ndalesat e Udhës së Kryqit që bëjmë çdo të premte përgjatë «Via Dolorosa», Udhës së Mundimeve në Jeruzalem, duke u mbështetur gjithashtu tek përshpirtëria e Shën Françeskut për të ndihmuar besimtarët "të ecin në gjurmët e Jezusit" dhe jobesimtarët të zbulojnë se Jezusi kujdeset për secilin prej nesh, dhe se tek Ai , edhe ata që e kanë humbur shpresën mund të gjejnë shpresë dhe arsye për të jetuar. Shpresoj që duke u takuar me Jezu Krishtin dhe duke ecur pas Tij drejt Kalvarit, çdo person do të ndiejë afërsinë dhe dashurinë e Tij. Le ta kuptojë se Jezu Krishti dha jetën e tij për secilin prej nesh dhe dëshiron të udhëheqë secilin prej nesh që të "kthehemi tek Ati" me Të, të gjejmë jetën në kuptimin e saj më të plotë falë Tij, dhe të përjetojmë ekzistencën njerëzore, e cila është e kufizuar dhe e vdekshme, duke parë drejt Pashkëve, drejt Ringjalljes, drejt jetës së amëshuar dhe pjesëmarrjes në vetë jetën e Zotit.

Atë Françesko, gjatë mandatit tuaj nëntëvjeçar si Kujdestar i Tokës së Shenjtë keni parë ngjarje me rëndësi të madhe: luftën civile në Siri, Covidin, luftën në Gazë. Tani, në fund të mandatit tuaj, keni vendosur të qëndroni si një frat i thjeshtë në Tokën e Shenjtë, në malin prej nga Moisiu mundi vetëm ta shihte Tokën e Shenjtë. Pse zgjodhët Malin Nebo?

Më saktësisht, unë dola vullnetar të jetoj në Malin Nebo. Pas kaq shumë vitesh të kaluara në pozita mbarështimi, ndjeva nevojën të kthehesha tek jeta e një françeskani të thjeshtë, të vogël. Jeta në një bashkësi të vogël, disi periferike, më lejon të fitoj prap ritmin e rregullt të lutjes, të rifilloj studimet e mia, t'u shërbej shtegtarëve dhe të kryej shërbime të përvuajtura. Mali Nebo më ka magjepsur gjithmonë shumë ngaqë është i lidhur me figurën e Shën Moisiut, një figurë që më pëlqen ta eksploroj. Po ashtu, ky vend ka qenë manastir dhe shenjtërore bizantine për shekuj me radhë derisa më vonë u përpi nga ndeshtrashat e historisë dhe u la në rrënoja, dhe u ngrit rishtas në këmbë vetëm njëqind vjet më parë, falë fretërve të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, të cilët këtu në Jordani arritën të miqësoheshin me familjen beduine që e zotëronte këtë mal. Këta beduinë, pasi ia shitën vendin Kujdestarisë në vitin 1932, bashkëpunuan gjithmonë me ne. Është një vend takimi për të gjithë dhe me të gjithë, i frekuentuar nga të krishterët dhe myslimanët, ku të gjithë mund të marrin frymë në atmosferën e besimit dhe paqes që frymëzon, dhe ku të gjithë mund të gjejnë "shërim të trupit dhe të shpirtit", siç është shprehur një shtegtar i shekullit të pestë.

Të krishterët në Tokën e Shenjtë po përjetojnë një Udhë Kryqi të përditshme, që po i shtyn gjithnjë e më shumë për emigrim. Si mund të jetë dikush kripa e tokës në kushte të tilla?

Është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Të krishterët që jetojnë në Tokën e Shenjtë sot ngjajnë shumë me të krishterët e hershëm. Kanë të njëjtat pika të forta dhe kufizime, dhe ndoshta edhe të njëjtën ADN. Sidoqoftë, nëse dymijë vjet më parë Jezusi u pat thënë dishepujve të paktë që kishte: "Mos ki frikë, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t'jua  zbulojë juve misteret e Mbretërisë", kjo ndodh sepse edhe atëherë dishepujt ishin të parëndësishëm statistikisht, por ata kishin zbuluar kuptimin e vërtetë të jetës, atë që tregon Jezusi në Predikimin në Mal, që kulmon me «Lumturitë», me faljen e armiqve dhe mëshirën; atë të zbuluar nëpërmjet mikpritjes së Tij të të vegjëlve, të grave, të varfërve, të sëmurëve, por edhe taksambledhësve, mëkatarëve dhe të prostitutave; atë të zbuluar kur u lan këmbët dishepujve të tij dhe më pas kur jep jetën e Vet dhe kur mposht vdekjen për ne. Të qenit i krishterë në Tokën e Shenjtë (dhe në të gjitha vendet e botës ku të krishterët janë të paktë dhe/ose të persekutuar) është thirrje dhe mision: ne jemi të thirrur të tregojmë fytyrën e mëshirshme të Zotit, i cili mirëpret çdo person pa dallim gjinie, kombësie apo feje; dhe ne jemi të thirrur – edhe në këtë mënyrë – të zbulojmë dinjitetin e bijve e të bijave, të qenieve të krijuara sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë me Zotin, që e ka çdo njeri, madje edhe ata që i përkasin një populli tjetër, madje edhe ata që kanë bërë gabime, madje edhe ata që na kanë bërë keq.

Besimet fetare si vegla paqeje. E pra, ndryshe prej dhjetëvjeçarëve të shkuar, luftërat në Lindjen e Mesme kanë gjithnjë e më shumë një ngjyrim fetar. Edhe Izraeli, i themeluar mbi baza laike me gjurmë perëndimore, sot duket se ka rënë pre e një fundamentalizmi me hije mesianike. Çfarë ka ndodhur?

Ka ndodhur ajo që ka ndodhur edhe tjetërkund, veçanërisht pas rënies së Murit të Berlinit: ideologjitë laike u shembën dhe kush ishte në pushtet filloi të shfrytëzonte fetë për të krijuar identitet dhe konflikt. Mund të themi se "fanatikët", të cilët në kohën e Jezusit justifikonin dhunën në emër të Zotit, janë kthyer në modë prap. Sot, i gjejmë "fanatikët" kudo, i gjejmë në botën myslimane te një galaktikë lëvizjesh fundamentaliste të armatosura; i gjejmë në botën hebraike ku përfaqësohen mirë nga kolonët dhe ata që i mbështesin politikisht në nivel vendor dhe ndërkombëtar; i gjejmë gjithashtu midis të krishterëve, të cilët, mjerisht, shkojnë aq larg sa kërkojnë që Zoti të reshi bekime të çuditshme që bien ndesh me atë që tregoi të dielën e kaluar Leoni XIV dhe dymijë vjet më parë Jezusi në Gjetseman. I gjejmë madje edhe në një version laik, në shekullarizimin shtetëror që censuron shprehjen fetare në një mënyrë diskriminuese dhe persekutuese. Ajo që po ndodh në Izrael nuk është një anomali, por një prirje globale.

Në këto rrethana, Kisha ka një rol vendimtar për të luajtur, atë të ripohimit të disa parimeve ungjillore: duhet t'i japim Cezarit atë që është e Cezarit, por Zotit atë që është e Zotit. Domethënë, duhet ta çshenjtërojmë dhe shekullarizojmë pushtetin politik, duke garantuar njëkohësisht lirinë fetare për të gjithë. Duhet t’ua heqim tokën nën këmbë si fundamentalizmit fetar ashtu edhe shfrytëzimit politik që i bëhet fesë. Për ta bërë këtë, ne duhet t'i bindim edhe udhëheqësit fetarë të të gjitha feve që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin që të mos përligjin asnjë shfrytëzim të fesë për të shfajsuar dhunën. Parimet e përcaktuara në Dokumentin rreth «Vëllazërisë Njerëzore» të nënshkruar në Abu Dhabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, dhe të përfshira në enciklikën «Fratelli tutti», do të ishin një pikënisje e shkëlqyer për një lloj "OKB"-je të feve. Sigurisht, besimtarët duhet të edukohen edhe në këtë këndëvështrim, edhe pse e dinë se "fanatikët" do ta kundërshtojnë me forcë këtë gjë, duke sjellë shkaqe fetare.

Konflikti izraelito-palestinez ka 80 vjet që vijon. Nëntëdhjetë e pesë përqind e palëve ndërluftuese të sotme nuk e kanë parë kurrë paqen. Po ju pyes shumë thjesht: a do të ketë ndonjëherë paqe në Tokën e Shenjtë?

Herët a vonë do të ketë, në mënyrë të pashmangshme, por rruga është ende e gjatë; do të kërkojë një ndryshim brezash, një ndryshim në klasën politike (duke shpresuar të mos biem nga shiu në breshër) dhe mbi të gjitha, nevojitet një ndryshim kulturor. Sot, për fat të keq, na mungojnë profetë të vërtetë dhe burra me largpamësi, dhe ky nuk është një problem që kufizohet vetëm me Izraelin dhe Palestinën apo me Lindjen e Mesme – është një problem i përbotshëm. Megjithatë, vërehen shenja pozitive në shoqërinë civile. Mendoj këtu për lëvizjen e filluar nga izraeliti Maoz Inon dhe palestinezi Aziz Abu Sarah, ose "Nënat e zbathura për paqe", ose "Gratë e besimit për paqe", dhe shumë grupe të tjera të vogla që shpresojmë se do të rriten.

Shkollat ​​tona janë një shembull i këtij edukimi që mëson bashkëjetesën dhe vëllazërimin. Megjithatë, siç e kam thënë vazhdimisht gjatë viteve, ekziston edhe një përgjegjësi politike, për futjen e programeve të detyrueshme në sistemin shkollor, programe që mësojnë respektin dhe pranimin e të tjerëve, menaxhimin e konflikteve dhe paqen, të modeluara sipas asaj që është bërë në Rondine, në qytezën e paqes në rrethinat e Arezzos. Kjo vlen jo vetëm për Izraelin dhe Palestinën por edhe për vendet evropiane.

02 prill 2026, 19:06