Kërko

Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit

Kardinali Parolin: paqja, e vetmja mundësi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë ekskluzive me revistën kulturore të Veprimit Katolik "Dialoghi" (Dialogë), trajton çështje të mëdha ndërkombëtare: luftën dhe paqen, bashkëpunimin shumëpalësh, padrejtësinë dhe varfërinë në rritje, sovranizmin, rolin e OKB-së dhe të Evropës, presidentët Trump e Putin, Lindjen e Mesme, Kinën. "Është utopi të mendosh se paqja garantohet nga armët dhe ekuilibrat e imponuara nga më i forti", deklaron ai

R.SH. – Vatikan

Në një kuadër ndërkombëtar, ku duket se është kthyer logjika e forcës dhe institucionet shumëpalëshe dobësohen vazhdimisht, edhe sfidat e diplomacisë shtohen gjithnjë e më tepër. I intervistuar nga revista kulturore e Veprimit Katolik "Dialoghi" (Dialogë, nr. 2-2026, prill-qershor), Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, reflekton mbi ekuilibrin gjeopolitik në ndryshim, krizën e së drejtës ndërkombëtare dhe tundimin për t'u mbështetur në armët në vend të dialogut për paqen. Ai citon Papën Françesku dhe Papën Leoni XIV. Gjithashtu, kritikon ashpër Bashkimin Evropian: "Duhet të rizbulojmë ç’na bashkon" dhe "kemi nevojë ta gjallërojmë ndër popuj ndjenjën e përkatësisë evropiane", thekson ai.

Diplomacia sfidohet nga logjika e më të fortit

Në këtë çast historik, diplomacia sfidohet nga logjika e më të fortit. Duke komentuar pse ndodh kjo, kardinali nënvizon se “nuk duhet ta fshehim kokën në rërë; logjika e më të fortit ka ekzistuar gjithmonë. Megjithatë, është e vërtetë se, veçanërisht vitet e fundit, diplomacia, krijimtaria diplomatike dhe aftësia për t’u ulur në tryezën e bisedimeve janë zbehur gradualisht. Sikur po i dorëzohemi gradualisht logjikës së më të fortit. Më bën përshtypje vendosmëria – pothuajse, do të thoja mendjelehtësia - me të cilën opcioni i luftës paraqitet si zgjidhje përfundimtare, pothuajse e pashmangshme, duke e përdorur ligjin ndërkombëtar sipas dëshirës – vëren Parolin. - Ndërkohë, diplomacia duket e heshtur, e paaftë për të vënë në lojë mjete alternative. Vetëdija për vlerën e paqes, vetëdija për tragjedinë e luftës dhe vetëdija për rëndësinë e rregullave të përbashkëta dhe për respektimin e tyre duket se është zhdukur”.

Kriza e multilateralizmit

Më pas, Sekretari i Shtetit të Vatikanit analizon krizën e multilateralizmit, pra të bashkëpunimit shumëpalësh në botë. Sipas tij, “është krizë, që rrjedh nga përdorimi i forcës, e cila zëvendëson rregullat, si edhe nga mbizotërimi i interesave të pjesshme. Gjithashtu, ajo rrjedh nga aftësia në rënie për t’i trajtuar çështjet e përbashkëta përmes zgjidhjeve, që i përfshijnë të gjithë. Nëse e analizojmë këtë krizë më thellë, - vëren prelati - zbulojmë se nuk është thjesht një dëshirë e shteteve për të mënjanuar institucionet ndërkombëtare, por më tepër shfaqja e një multipolarizmi të frymëzuar nga supremacia e pushtetit”. Kardinali Parolin sqaron se ky multipolarizim ka të bëjë me mbylljen në vetvete të shteteve, për të dëshmuar se kanë fuqi të mjaftueshme, se janë të vendosur për të ruajtur kufijtë shtetërorë dhe mbikombëtarë, duke besuar se janë të padepërtueshëm. Pra, duke ndjekur gjithmonë dhe vetëm supremacinë e një shteti e duke përdorur të drejtën ndërkombëtare vetëm kur i përgjigjet interesave të tij, pa pyetur për të në shumë raste të tjera. Këto standarde të dyfishta dëshmojnë një të vërtetë të trajtuar nga Immanuel Kant në vitin 1795, në veprën e tij “Paqja e Përjetshme”, ku argumenton se "shkelja e të drejtave në një pjesë të tokës ndihet kudo". "Për të mos qenë abstrakt: shumë qeveri janë indinjuar nga sulmet kundër civilëve ukrainas nga raketat dhe dronët rusë, duke vendosur sanksione për agresorët. Nuk më duket se ndodhi e njëjta gjë me tragjedinë e shkatërrimit të Gazës", komenton Parolin.

Utopi, të mendosh se paqja garantohet nga armët

 Bota e sotme pretendon ta garantojë paqen përmes armëve, ndërsa Papa Leoni XIV bën thirrje vazhdimisht për një paqe "të çarmatosur dhe çarmatosëse". Edhe kardinali Parolin deklaron se “është utopi të mendosh se paqja garantohet nga armët dhe nga ekuilibri i forcave, në vend të marrëveshjeve ndërkombëtare. Është utopi të mendosh se paqja garantohet nga armët edhe sepse injoron interesat e mëdha ekonomike në lojë. Besojmë fuqimisht se arsenalet duhet të zbrazen, duke filluar nga ato bërthamore. Nuk mund të bëjmë sikur nuk e kujtojmë se disa dekada më parë, u nënshkruan marrëveshje shumë të rëndësishme për reduktimin progresiv të armëve atomike. Këto marrëveshje tani nuk rinovohen, duke i dhënë edhe më shumë liri ndërtimit të mjeteve vdekjeprurëse, të afta të shkatërrojnë jetën në tokë”.

Atmosfera e Luftës së Ftohtë

Në vitin 1989, pas rënies së Murit të Berlinit, lindi shpresa për një botë më të lirë dhe më solidare. Por, bota përjetoi 11 shtatorin dhe një sërë luftërash, përfshirë më të përgjakshmen - luftën ruso-ukrainase - pikërisht në kufijtë lindorë të kontinentit evropian. “Papa shenjt Gjon Pali II – kujton kardinali Pietro Parolin - ëndërronte një Evropë të bashkuar jo nga konsumizmi dhe globalizimi, por nga vlerat e përbashkëta. Historia, duhet ta pranojmë, ka shkuar në një drejtim tjetër dhe, në vend të një bote më të lirë dhe më solidare, kemi një botë më të paqëndrueshme, pa mjete të frytshme kundër padrejtësive të tmerrshme, për të cilat miliona njerëz vuajnë nga uria, etja, mungesa e kujdesit shëndetësor bazë dhe e kushteve të mira të punës. Jemi zhytur në një atmosferë Lufte të Ftohtë, të paimagjinueshme vetëm disa dekada më parë. Lufta ruso-ukrainase është plagë në zemër të Evropës së krishterë. Kam përshtypjen – vijon Sekretari i Shtetit të Vatikanit - se nuk dihet mjaftueshëm për shkatërrimet në Ukrainë, për numrin e madh të viktimave, për shkatërrimin e qyteteve dhe të infrastrukturës”.

Sfida e diplomacisë

Duke folur me nuncët apostolikë, disa kohë më parë, vetë kardinali Parolin u pati thënë se tashmë duhet të shihet situata konkrete, ashtu siç është, pa menduar për të kaluarën, që nuk ekziston më. Edhe për revistën “Dialoghi”, prelati nënvizon se “diplomacia është arti i së mundshmes dhe nuk mund të veprojë kurrë sipas ideve të paracaktuara, të imponuara nga lart, ose të bazuara në doktrina abstrakte. Gjithmonë duhet të nisemi nga realiteti para nesh, edhe nëse nuk na pëlqen, edhe nëse nuk i përmbush pritshmëritë tona, edhe nëse - nganjëherë - është i frikshëm. Jemi të thirrur të jetojmë të tashmen, ashtu siç është, duke bërë çmos për ta ndryshuar, për ta transformuar atë, pa u dorëzuar kurrë”.

Çështja e Evropës

Së fundi, kardinali Parolin komenton gjendjen aktuale të Evropës, me partitë e saj sovraniste e me nxitjet për shpërbërje, përfshirë sfidat që paraqesin për të sulmet verbale të njerëzve të pushtetshëm si Putin e Trump. “Evropa – thekson ai - nuk është një entitet i përcaktuar nga kufijtë gjeografikë, por një realitet me vlera të përbashkëta. Duhet të rizbulojmë ç’na bashkon ç’na ka bërë kështu si jemi. Jam i bindur – vëren Parolin - se Bashkimi Evropian ka nevojë për reforma  që të mos bjerë viktimë jo vetëm e sulmeve të jashtme, por edhe e protagonizmave të brendshme. Në krizat ndërkombëtare, përfshirë ato që për fat të keq ndodhin në kufijtë e saj, Evropa, nganjëherë, nuk ka qenë në gjendje të flasë me një zë të vetëm. Duhet ta gjallërojmë ndër popuj ndjenjën e përkatësisë evropiane, ndërsa në krerët evropianë vetëdijen se kemi nevojë të punojmë bashkërisht, pa kompromentuar kurrë parimet në bazën e Bashkimit Evropian”.

08 prill 2026, 12:04