Treditëshi Pashkëve na fton të ndërtojmë, me Zotin, një botë më të mirë
R.SH. - Vatikan
Me të Enjten e Shenjtë, ditën e parë të Treditëshit të Pashkëve, mbyllet koha e Kreshmës dhe fillon bërthama e vitit liturgjik, e cila na çon drejt mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit. Kjo është dita kur kalojmë nga reflektimi i Kreshmës në kremtimin e gjallë të Misterit të Pashkëve të Krishtit. Ngjarjet e Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe e mirësi.
Me të Enjten e Madhe e të Shenjtë, e njohur edhe si e Enjtja e Mistereve, filloi Treditëshi i Pashkëve, që arrin kulmin në vigjiljen, Natën e Pashkëve dhe pastaj përfundon me Mbrëmësoren e dytë të së Dielës së Ngjalljes së Krishtit, të Dielën e Pashkëve.
E Enjtja e Shenjtë është dita në të cilën Kisha Katolike kremton themelimin e Meshtarisë dhe të Eukaristisë, gjatë Meshës në përkujtimin Darkën e Mbrame të Jezu Krishtit Zot me apostuj (In Cena Domini), larjen e këmbëve si gjest përvujtërie dhe urdhrin e dashurisë. Dita e Enjtes së Shenjtë të Pashkëve është e rezervuar për dy kremtime të veçanta, kremtimi parë bëhet në Kishat katedrale të dioqezave, sot paradite, për shugurimin Vajrave të Shenjta, bekimi i vajit të të sëmurëve, bekimi i vajit të katekumenëve dhe shugurimi i Krizmës që do të përdoret gjatë gjithë vitit të ardhshëm për Sakramentet e Pagëzimit, Krezmimit apo Përforcimit dhe Urdhrit të Shenjtë, dhe tre vajrat e tjera që përdoren për pagëzimin, vajosjen e të sëmurëve dhe për vajosjen e katekumenëve. Pasdite në Kishat famullitare kremtohet Mesha në përkujtimin e mbrëmjes të Enjtes së Pashkëve, Mesha "in Coena Domini" – “Meshën e Darkës së Zotit Jezu Krishti me apostujt”.
Pra, Treditëshi i Pashkëve është kulmi i tërë vitit liturgjik, sepse përkujtojnë dhe kremtojnë mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit - Shëlbuesit të njerëzimit. Janë 72 orët në të cilat, më shumë se kudo, feja e krishterë gjen arsyen më të thellë të qenies së vet.
E Enjtja e Madhe, me Jezusin që na e dhuron plotësisht vetveten, duke na lënë Eukaristinë.
E Premtja e Madhe, me dramën e Udhës së Kryqit e të Kalvarit të Jezu Krishtit.
E Shtuna e Madhe, me heshtjen e thellë të varrit të Jezu Krishtit.
E Diela e Pashkëve përfaqëson fitoren mbi vdekjen, kulmin e Treditëshit të Pashkëve dhe qendrën e vitit liturgjik, duke simbolizuar kalimin nga vdekja në jetën e përjetshme. Ngjallja e Jezu Krishtit nuk është vetëm një ngjarje historike, por kalim (Pashka) nga vdekja në jetë, duke konfirmuar hyjninë e Jezusit.
Secila nga tre ditët e mëdha të kësaj Jave të jashtëzakonshme të Pashkëve, na sjell kuptimin e thellë të jetës dhe të veprës shëlbimprurëse të Jezu Krishtit, si për shembull Mundimet e Krishtit me simbolin e Kryqit, që na flet për vdekjen dhe për shëlbimin. “Kryqi i Krishtit, shkruan Shën Leoni i Madh, është burim i të gjitha bekimeve, është shkaku i të gjitha hireve”.
E Enjtja e Madhe mbyllet me Adhurimin që i çon të krishterët pranë Jezusit, i cili lutet në kopshtin e Gjetsemanit, i vetëm. Kjo ishte për Jezusin ora e braktisjes dhe e vetmisë, në sa nxënësit nuk qenë të zotët të rrinin zgjuar e të ruanin Mësuesin Hyjnor. Edhe sot Krishti Zot na thotë: “Rrini zgjuar e ruani me mua”. Jehon në këtë ditë në veshët tonë fjala e Krishtit Zot: “Rrini zgjuar e vigjiloni së bashku me mua!”.
Mesazhi Qendror i të Enjtjes së Madhe është Dashuria e pakushtëzuar dhe shërbyese e Zotit. Është dita kur Krishti dhuron vetveten "deri në fund" (Gjoni 13,1), duke ftuar dishepujt të bashkëndajnë jetën dhe t'u shërbejnë të tjerëve me përvujtëri. Edhe të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, janë të ftuar të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për të dashur.