Udha e Kryqit: lindje e ngadaltë e udhës së mundimeve
R.SH. - Vatikan
Udha e Kryqit nuk nisi si cikël i vetëm. Për shekuj me radhë, Mundimet e Jezu Krishtit iu besuan figurave të veçanta - Krishti në Kolonë, Ecce Homo, Ngjitja në Kalvar, Kryqëzimi, Varrosja - secila me traditën e vet ikonografike dhe devocionale, pa vendosur një rend të nevojshëm ndërmjet tyre. Përshkrimi i Ungjillit është i njohur, por nuk tregohet si udhëtim.
Një sekuencë që nuk ekziston në zanafillë
Ndërmjet Mesjetës së vonë dhe epokës së hershme moderne, u ndje një nevojë tjetër: jo vetëm për ta soditur, por për ta ndjekur. Meditimet mbi Mundimet e Jezu Krishtit u rikrijuan si ecje përpara, përmes ndalesave të njëpasnjëshme, gjatë të cilave çdo çast ka rëndësinë e vet, pikërisht sepse i radhitur në ecjen përpara. E pikërisht këtu krijohet mundësia e Udhës së Kryqit!
Llojet e shtegtimeve
Referenca konkrete është Jeruzalemi. Që nga lashtësia e krishterë, shtegtarët i përshkonin viset e Mundimeve të Jezusit si vargan; Egeria, një shtegtar që jetoi në gjysmën e dytë të shekullit të 4-të, i përshkroi liturgjitë e së Premtes së Madhe të shpërndara përgjatë rrugëve të qytetit. Por çka u zhvillua në Evropë, nuk ishte riprodhim topografik. Parimi që mbizotëronte ishte i ndryshëm: shoqërimi i Krishtit përgjatë udhës së kryqit, nga shtëpia e Pilatit - në Kalvar, duke e shndërruar historinë në përvojë. Distanca gjeografike nuk e ndërpret kujtesën, por e riorganizon atë: udhëtimi përvetësohet dhe bëhet i praktikueshëm kudo.
Përpara formës: larmia dhe eksperimentimi
Përpara krijimit të katërmbëdhjetë stacioneve, ekzistonte një mori sistemesh të tjera. Ndërmjet shekujve të 15-të dhe të 17-të, për shembull, u përhap devocioni ndaj rrëzimeve, shpesh shtatë, përgjatë rrugës së Mundimeve. Nuk ka rend të qëndrueshëm, as përzgjedhje të përbashkët të episodeve. Burimet e theksojnë këtë paqëndrueshmëri: dy ushtrime identike janë të rralla. Në shekullin e 17-të, qarkullonin modele të ndryshme dhe konkurruese. Disa tashmë përfshinin shumë nga stacionet aktuale, por në rende të ndryshme; të tjerë propozonin sekuenca më të përafërta me rrëfimin e Ungjillit, ndonjëherë duke i zgjeruar ato.
Në këtë kontekst, u bë popullor modeli i lidhur me Christian van Adrichom, teolog dhe kartograf holandez (1533–1585). Ai ishte autor i veprës Theatrum Terrae Sanctae të vitit 1584, që sistemoi topografinë e Jerusalemit dhe ndihmoi për krijimin e disa fazave të Mundimeve, megjithëse pa stabilizuar formën.
Disa autorë ndërmjet fundit të shekullit të 16-të dhe fillimit të shekullit të 17-të - përfshirë Jean Boucher (1548–1644) - dëshmuan për sekuenca tashmë shumë të ngjashme me ato aktuale, por të rregulluara në rende të ndryshme, shenjë e një strukture që ende po përcaktohet. Udha e Kryqit ishte ende punë në zhvillim e sipër.
Ikonografia dhe tradita
Pikërisht në këtë fazë, përcaktohet një nga aspektet më karakteristike të Udhës së Kryqit: lidhja ndërmjet rrëfimit ungjillor dhe traditës. Disa episode kyçe u nxorën drejtpërdrejtë nga Ungjijtë - dënimi, kryqëzimi, varrimi - por sekuenca vijoi t’i krijojë e të formohet përmes kryqëzimit të niveleve të shumëfishta: teksti i Ungjillit, tradita apokrife dhe letërsia mesjetare.
Apokrifet e Mundimeve të Jezu Krishtit, veçanërisht Ungjilli i Nikodemit (shekulli 4-5), i njohur edhe si Acta Pilati, kontribuojnë për zgjerimin e rrëfimit të gjyqit dhe vendosjen e elementeve, që lidhen me figurën e Pilatit. Ndërsa luajnë një rol dytësor në përkufizimin e përgjithshëm të sekuencës, ndikojnë kryesisht në rrëfime imagjinare.
Edhe më vendimtar është meditimi mesjetar kushtuar jetës së Krishtit, siç është transmetuar nga Meditationes vitae Christi në shekujt 13-14, që mendohet të jetë krijim i Pseudo-Bonaventurës, dhe nga tradita e gjerë e Vitae Christi, që ndërtojnë një rrëfim më të hollësishëm dhe më të strukturuar e të projektuar për t'u ndjekur hap pas hapi.
Krahas këtyre burimeve, praktika e devotshmërisë paraqet figura dhe episode të caktuara për t’u bërë të qëndrueshme. Rrëzimet e Krishtit nën kryq, të padëshmuara në Ungjij, e theksojnë udhëtimin dhe e bëjnë përpjekjen e tij të perceptueshme. Veronika, e lidhur me kultin mesjetar të fytyrës së Krishtit – e dokumentuar në Romë të paktën që nga shekulli i 13-të dhe e lidhur me traditën e relikes së ruajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit – paraqet një pezullim dhe fikson një pamje të caktuar për nderim. Takimi Jezusit me Nënën, Marinë, paraqet një përmasë relacionale në udhëtim, të zhvilluar nga reflektimi teologjik i mesjetës së vonë.
Edhe skenat e Ungjillit pësojnë transformime. Dënimi me vdekje nuk korrespondon me një skenë të vetme, por përçohet përmes imazheve si Ecce Homo ose gjesti i Pilatit: nuk është përshkrim, por përqendrim episodesh. Sekuenca e Stacioneve a Ndalesave të Udhës së Kryqit formohet kështu përmes stratifikimit: nuk ilustron thjesht tekstin, por e organizon dhe e rregullon sipas një përvoje. Është pikërisht ky riorganizim - më shumë sesa origjina e episodeve individuale - që shpjegon koherencën e tërësisë: çdo element vendoset jo sepse është i dëshmuar, por sepse është i nevojshëm për ndërtimin e udhëtimit.
Nga shumica, në stabilizim
Ndërmjet shekujve 17 dhe 18 kjo larmi zvogëlohet. Dekretet papnore - veçanërisht nën Klementin XII dhe Benediktin XIV - ndihmuan në vendosjen e formës së stacioneve dhe standardizimin e praktikës së tyre gjatë Udhës së Kryqit, në një proces që do të konsolidohej plotësisht në shekujt pasues. Në këtë proces, roli i françeskanëve ishte vendimtar. Puna e tyre misionare dhe prania e tyre në vendet e shenjta favorizuan përhapjen e gjerë dhe stabilizimin progresiv të sekuencës.
Figura e Leonardo da Porto Maurizio, predikatar i madh misionar, shënon një pikë kthese. Stacionet e Udhës së Kryqit, të ngritura në Koloseum në vitin 1750, gjatë Vitit të Shenjtë, përfaqësojnë një çast kyç: përkushtimi merr formë publike dhe të dallueshme.
Hapësira e shtegtimi
Paralelisht me këtë proces stabilizimi, ndërmjet fundit të shekujve të 15-të e të 17-të, në Italinë veriore zhvillohen Malet e Shenjta. Vendi i parë ishte Mali i Shenjtë i Varallo-s, i nisur rreth vitit 1486 nga françeskani Bernardino Caimi, e i ndjekur nga komplekse të tjera në Piemonte dhe Lombardi gjatë shekujve të 16-të dhe 17-të. Këtu, Mundimet organizohen në një sekuencë faltoresh dhe grupesh figurative të shpërndara përgjatë një itinerari. Besimtarët jo vetëm vëzhgojnë, por edhe banojnë në ato vende. Rrëfimi zë vend, e udhëtimi bëhet përvojë.
Koloseu: interpretimi dhe kujtesa
Për shtegtarët mesjetarë, Koloseu është ndërtesë enigmatike. Masa e tij imponuese frymëzon çudi, në vend të kuptimit, ndërsa përshkrimet theksojnë madhështinë, por dhe paqartësinë e funksionit të zanafillës. Natyra e amfiteatrit romak u bë e qartë vetëm në epokën moderne. Në të njëjtën kohë, megjithatë, një interpretim devocional që e shoqëronte atë me martirizimin e të krishterëve po fitonte terren. Projekti i Carlo Fontanës (1638–1714) për një Kishë brenda Koloseut, në vitin 1725, e dëshmon këtë përpjekje për riinterpretim.
Në vitin 1750, Benedikti XIV themeloi këtu Udhën e Kryqit, duke mirëpritur e formalizuar një praktikë të krijuar nga Shën Leonardi i Port Maurice. Ky gjest nuk e rivendosi vazhdimësinë historike, por përkundrazi, i dha asaj një kuptim të ri: monumenti i lashtë u bë vend përkujtimi i martirizimit të krishterë, sipas një tradite devocionale që deri atëherë ishte konsoliduar, megjithëse jo plotësisht e bazuar në të dhëna historike të drejtpërdrejta. Edhe sot e kësaj dite, të Premten e Madhe, në Kolosé kremtohet Udha e Kryqit, e kryesuar nga Papa, shenjë e një vazhdimësie, që bazohet në këtë riinterpretim.
Disa interpretime në arte
Kur sekuenca stabilizohet, arti angazhohet me të në mënyra shumë të ndryshme. E këto ndryshime thonë diçka themelore në lidhje me marrëdhënien ndërmjet formës së devocionit dhe gjuhës figurative. Në ciklin e Giandomenico Tiepolo-s (1727–1804) në San Polo, Venecia, Via Crucis ka pjesëmarrje të gjerë dhe popullore: stacionet janë të ndjekura nga figura të shumta, dhimbja shpërndahet në mbarë turmën, me gjeste anësore e me shikime. Krishti është në qendër, por historia e rrethon dhe i prin!
Në Sacri Monti, narrativa bëhet fjalë për fjalë në kuptimin letrar: hapësira arkitekturore dhe skulptura tre-dimensionale ndërtojnë skena që shtegtari nuk i vëren nga jashtë, por i përjeton fizikisht. Distanca ndërmjet vëzhguesit dhe figurës zvogëlohet pothuajse deri në pikën zhdukjes.
Në ciklin e Gaetano Previati-t (1852–1920), tani në Muzetë e Vatikanit, parimi është i kundërt: skena zbrazet, figurat dytësore zhduken ose treten, e mbetet vetëm një dritë, që duket se bëhet vetë narrativë. Gjithçka është e përqendruar në figurën e Krishtit, i cili përmbush gjithë hapësirën e pikturës. Udha e Kryqit bëhet meditim shpirtëror,para se të bëhe sekuencë vizuale.
Ndërmjet shembëlltyrës e praktikës
Udha e Kryqit nuk është thjesht fakt ikonografik. Ndjek praktikat e Javës së Madhe - procesione, rrugë, rikujtime - që i jetojnë mundimet si shtegtim. Janë forma teatrale të përkushtimit popullor, në të cilat pjesëmarrësit luajnë rolet e personazheve ose shoqërojnë procesionin në lutje.
Në Enna të Siçilisë, vëllazëritë përshkojnë qytetin, duke mbajtur shtatoret e Mundimeve të së Premtes së Madhe; në Trapani, grupet skulpturore të "Mistereve" përparojnë ngadalë për orë të tëra, secila korrespondon me një episod, duke krijuar një rrëfim prekës. Në Andaluzi, procesionet "Semana Santa" organizojnë rrugën e tyre përmes "pasos", makinave të mëdha procesionale që i shndërrojnë episodet e Mundimeve në figura të mbajtura mbi shpatulla përgjatë rrugëve. Këto praktika nuk përkojnë gjithmonë me sekuencën kanonike të katërmbëdhjetë stacioneve, por ndajnë logjikën e saj: jo thjesht për të treguar, por për të udhëhequr.
Një formë, që konsolidohet me kalimin e kohës
Nga meditimi mesjetar - te përkufizimi i shekullit të tetëmbëdhjetë, deri te riinterpretimet moderne, Stacionet e Kryqit ruajnë një strukturë të dallueshme, por të adaptueshme. Është formë e ndërtuar përmes sedimentimit - tekst ungjillor, traditë apokrife, praktikë devocionale, hapësirë arkitekturore, imazh - në të cilin çdo shtresë nuk e fshin të mëparshmen, por e mbart me vete. Ndoshta është pikërisht ky shtresëzim që e mbështeti: Udha e Kryqit nuk përcjell rrëfim të mbyllur, por shtegtim që çdo epokë është në gjendje ta nisë nga e para!