Kërko

Monumenti për martirët e Santanderit, Patriarku Maronit Elias Hoyek, Konstandin Vendrame, misionar salezian në Indi Monumenti për martirët e Santanderit, Patriarku Maronit Elias Hoyek, Konstandin Vendrame, misionar salezian në Indi

Do të shpallen të lumtur 80 martirë të luftës civile spanjolle dhe patriarku maronit Hoyek

Papa autorizon shpalljen e gjashtë Dekreteve të Dikasterit për Çështje të Shenjtorëve. Do të jenë të lumtur martirët e Santanderit dhe patriarku libanez Hoyek. Bëhen të Nderueshëm misionari salezian Costantino Vendrame, karmelitani i zbathur nga Kameruni vëlla Jean Thierry, rregulltarja spanjolle María Ana Alberdi Echezarreta dhe vëllai laik kapuçin fra Nazareno da Pula.

R.SH. – Vatikan

Besnikë ndaj popullit të tyre në persekutim e në gjyq! Kjo është historia e tetëdhjetë martirëve të Santanderit, Spanjë, dhe Patriarkut Maronit Libanez Elias Hoyek, të cilët së shpejti do të lumnohen. Në audiencën e 22 majit, me Kardinalin Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, Leoni XIV autorizoi shpalljen e dekreteve përkatëse.

U shpallën të nderuar, Frati i ri karmelitan i zbathur fra Jean-Thierry i Krishtit Fëmijë dhe i Mundimeve; murgesha spanjolle françeskane, Nënë María Ana Alberdi Echezarreta dhe italianët Nazareno da Pula, frat i njohur kapucin si "shenjtori i karameleve", dhe Constantino Vendrame,  misionar salezian në Indi, "më i varfri i të varfërve".

Dëshmitarë të fesë gjatë persekutimit fetar në Spanjë

Ndodhi gjatë Luftës Civile Spanjolle të viteve 1930 dhe persekutimit fetar që pasoi, dëshmia e fesë dhe dashurisë së Shërbëtorëve të Zotit, Francisco Gonzáles de Córdova dhe 79 shokëve të tij: disa u hodhën në det me duar dhe këmbë të lidhura dhe me një gur të lidhur në trupat e tyre; të tjerë u zhdukën në anijen burg "Alfonso Pérez"; të tjerë u vranë dhe u dogjën; disa vdiqën në një lloj kampi përqendrimi. Nga 80, 67 ishin priftërinj, 3 fretër karmelitanë, 3 seminaristë dhe 7 laikë.

Historia e Francisco Gonzáles de Córdova është shprehje e besnikërisë së tij të madhe ndaj njerëzve që shoqëronte në shërbesën e tij si prift, në famullinë e Santa María del Puerto në Santoña. Gjatë persekutimit,  refuzoi të ikte, pavarësisht se iu ndalua të kremtonte Meshën dhe të administronte sakramentet. U zu rob dhe u çua në anije, e cila ishte shndërruar në burg. Në hambar, vazhdoi të dëgjonte rrëfimet e të burgosurve dhe të thoshte rruzaren çdo ditë. Kur u thirr për t'u ekzekutuar,   kërkoi të ishte i fundit, 48 vjeç, që të mund t’i bekonte shokët e tij. 

Babai i Libanit të Madh

Mrekullia që çoi në lumnim Patriarkun Maronit Libanez Elias Hoyek daton që nga viti 1965, me shërimin e oficerit të ushtrisë Nayef Abou Assi,  mysliman druz që vuante nga spondiloza kronike dypalëshe, i cili një ditë u zgjua plotësisht i shëndetshëm, pasi ëndërroi patriarkun. I lindur më 4 dhjetor 1843, në Helta të Libanit, Elias Hoyek hyri në seminar në moshën 16 vjeç, erdhi në Romë për të studiuar teologji dhe u shugurua prift në vitin 1870. Me t'u kthyer në Liban, së bashku me Nënën Rosalie Nasr,  themeloi Kongregacionin e Motrave Maronite të Familjes së Shenjtë në Ebrine, instituti i parë fetar femëror i jetës apostolike në Kishën Maronite. U zgjodh Patriark i Antiokisë së Maronitëve në vitin 1899 dhe, për tridhjetë vjet mbikëqyri formimin e klerit dhe katekizmin e besimtarëve. U bë pikë qendrore për shoqërinë libaneze, e cila dëshironte pavarësinë nga Perandoria Osmane, duke vendosur marrëdhënie me autoritetet dhe duke mbrojtur popullin e tij. Me shpërthimin e Luftës I Botërore, hapi dyert e manastireve dhe të kullotave për të ushqyer ata që ishin rraskapitur nga konflikti, pavarësisht nga besimi i tyre fetar. U dënua me dëbim nga autoritetet osmane, por arriti ta shmangte atë, falë ndërhyrjes së Papës dhe diplomacisë austro-hungareze. Në vitin 1920, u krijua shteti i ri i Libanit të Madh, në të cilin kontribuoi duke marrë pjesë në negociata me autoritetet e Perandorisë Osmane. Vdiq në vitin 1931 në Bkerké. Ishte  njeri i dialogut dhe i bamirësisë së madhe baritore, ndërsa jetonte në varfëri ungjillore, duke gëzuar dashuri dhe respekt të tillë, saqë u quajt "Ati i Libanit të Madh".

Dhuruoi jetën për thirrjet

U shpall i Nderuar vëllai karmelitan i zbathur kamerunez, Jean-Thierry i Krishtit Fëmijë dhe i Mundimeve, që vdiq në moshën 23 vjeç, në Legnano, Itali, në vitin 2005 nga një tumor në kockat e gjurit. "Sa shumë dritë, sa shumë dritë... Sa i bukur është Jezusi!" ishin fjalët e tij të fundit para se të vdiste. Shuhej një jetë me kushtim të fortë marian, me lutje të vazhdueshme të Rruzares dhe një jetë të shtyrë nga dëshira për të qenë  Krisht tjetër - për të tjerët. I lindur në vitin 1982, thirrja e tij nisi shumë heret, në moshën 8 ose 9 vjeçe, falë takimit me një misionar Oblat të Zojës së Papërlyer, në Kamerun. Në vitin 2003, u mirëprit në familjen Karmelitanëve të Zbathur. Vitin pasardhës kuptoi se ishte i sëmurë, ndaj iu pre këmba. Vëllezërit e tij e transferuan në Itali për mjekime. Po ishte tepër vonë...I mbylli sytë më 5 janar 2006.

Të bëhesh shenjtore në bamirësi

Ëmbëlsia dhe bamirësia ishin tipike në jetën e Nënës së re të Nderuar, María Ana Alberdi Echezarreta, murgeshë spanjolle e lindur në Vendin Bask, në vitin 1912. Jetime në moshën shtatëvjeçare, filloi të punonte në moshë të re, kur zbuloi edhe thirrjen e saj fetare nëpërmjet takimit me një prift. Në vitin 1932, në Madrid, veshi rrobën e bardhë të Motrave Françeskane Konceptioniste dhe, katër vjet më vonë, bëri rrëfimin  solemn. Pastaj shpërtheu Lufta Civile Spanjolle e ajo u detyrua të braktiste kuvendin, ku u kthye fillimisht duke u bërë mësuese filloreje dhe, më pas, në vitin 1953, abateshë e rizgjedhur disa herë në Kapitujt pasues. Nuk ishte  detyrë e lehtë pas luftës dhe Koncilit II të Vatikanit, pas të cilit punoi për rishikimin e Kushtetutës së Urdhrit. E udhëhoqi bashkësinë e saj me mençuri dhe butësi, duke mbjellë paqe tek njerëzit që takonte. Në vitin 1998 u sëmur, gjë që e çoi në vdekje. Qëllimi i jetës së saj ishte të bëhej shenjtore - përmes dashurisë.

I varfër ndërmjet të varfërve

Saleziani Costantino Vendrame, që e kaloi pjesën më të madhe të jetës  ndërmjet të varfërve në Indi, u shpall gjithashtu i Nderuar. E dëshmoi dashurinë e Zotit me një buzëqeshje, duke u bërë shembull i shkëlqyer i bamirësisë ungjillore. I lindur në provincën e Trevizos, në vitin 1893, në një familje me vlera të forta të krishtera, zgjodhi rrugën e meshtarisë në një moshë të re, duke iu besuar salezianëve e duke shprehur dashurinë e tij për misionin. I shuguruar prift më 15 mars 1924, në Milano, mori më 5 tetor kryqin misionar në Torino, në Bazilikën e Marisë Ndihmëtare. Pastaj u nis për në Indi, së pari në Assam, pastaj në Tamil Nadu. U bë i varfër ndërmjet të varfërve, duke ecur në distanca të mëdha e duke tërhequr shumë njerëz te Krishti. I detyruar të bënte një pauzë gjatë Luftës II Botërore,  u burgos me shumë të tjerë, por edhe atje tregoi një forcë shpirtërore, që i ngushëlloi dhe i mbështeti të gjithë të burgosurit e tjerë. I prekur nga një formë e rëndë artriti, vdiq në Dibrugarh të Indisë, më 30 janar 1957, në prag të festës së Shën Gjon Boskos.

Shenjti i karameleve

Karamelet me portokall e limon ishin shoqëruesit e udhëtimit të Vëllait Nazareno të Pulës: kur i jepte, i porosiste njerëzit t’i thoshin një "Faleminderit Virgjërës Mari" ndërsa e mbushnin gojën me një të tillë. Për këtë arsye, ai njihet si "shenjtori i ëmbëlsirave", të cilat vëllezërit e tij kapuçinë ua shpërndajnë besimtarëve ende sot, pasi i bekojnë në dhomën e tij, në Shenjtëroren kushtuar Zojës së Ngushëllimit, themeluar nga vetë Vëllai Nazareno, në Pulë, pranë Cagliarit. I lindur në këtë qytet të vogël të Sardenjlës në vitin 1911, në një familje të madhe fermerësh, Giovanni Zucca u dërgua në Afrikë gjatë Luftës II Botërore dhe, i kapur rob nga britanikët në Etiopi, në vitin 1941, u mbajt i burgosur për afërsisht katër vjet. Me t’u kthyer, takoi Padre Pion e Pietrelçinës e i shprehu sakaq dëshirën për t’u bërë frat dhe për t’i qëndruar pranë, por Padre Pio e ftoi të kthehej në Sardenjë për të ndjekur thirrjen e tij në atdhe. Në vitin 1951, Giovanni, në moshën 39 vjeç, kërkoi të hynte në Urdhrin e Kapuçinëve të Sardenjës si vëlla laik. I pranuar si noviciat në manastirin e Sanlurit, mori petkun e Kapuçinëve e edhe emrin Vëllai Nazareno. Njeri i lutjes, i gatshëm të ndërmerrte gjithfarë detyrash, gjithmonë me përvujtëri - lypës, kuzhinier,  kopshtar... - në vitin 1986 u vendos në një shtëpi të vogël në fshatin e Pulës, ku disa vite më vonë do të ndërtohej Shenjtërorja kushtuar Zojës. Trupi i tij pushon pikërisht atje, pas vdekjes nga tumori, në vitin 1992

22 maj 2026, 13:09