Kërko

Selia e Dikasterit për Doktrinën e Fesë, Vatikan. Selia e Dikasterit për Doktrinën e Fesë, Vatikan.

Fernández i drejtohet «Vëllazërisë së Shën Piut X»: shugurimi i ipeshkvijve të rinj është akt përçarës

Prefekti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë bëri një paralajmërim të ri në lidhje me shugurimet ipeshkvnore pa mandat papnor, të cilat grupi tradicionalist njoftoi se do të bëhen korrikun e ardhshëm. Papa vazhdon të lutet që Lefebvrianët ta ndryshojnë vendimin e tyre

R.Sh. / Vatikan

«Vëllazëria Meshtarake e Shën Piut X», e themeluar nga kryeipeshkvi Marcel Lefebvre, pavarësisht ftesave të Papës, ka njoftuar se synon të vazhdojë me planin e saj për të shuguruar ipeshkvij të rinj pa mandat papnor korrikun e ardhshëm. Kardinali Víctor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, publikoi një deklaratë të re për të sqaruar disa pyetje, pasi ia ka parashtruar ato Leonit XIV. Papa e ka bërë të qartë qëllimin e tij dhe lutet që ky akt i ri përçarës të shmanget.

"Unë përsëris atë që tashmë e kam komunikuar," thotë kardinali. "Shugurimet ipeshkvnore të shpallura nga «Vëllazëria Meshtarake e Shën Piut X» nuk kanë mandatin përkatës papnor. Ky gjest do të jetë "një akt skizmatik" (Gjon Pali II, Ecclesia Dei, nr. 3), dhe "përqafimi zyrtar i skizmës përbën një fyerje të rëndë kundër Zotit dhe sjell çkishërimin e përcaktuar nga ligji i Kishës" (ibid., 5c; krs. Këshillin Papnor për Tekstet Legjislative, Shënim Shpjegues, 24 gusht 1996).

"Ati i Shenjtë", thekson prefekti Fernández në pjesën përmbyllëse të deklaratës së tij, "vazhdon në lutjet e tij t'i kërkojë Shpirtit të Shenjtë të ndriçojë udhëheqësit e «Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X» në mënyrë që këta të mund ta rishqyrtojnë vendimin tepër serioz që kanë marrë."

13 maj 2026, 13:50