Kërko

Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Vatikanit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Vatikanit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë

Imzot Balestrero: Papa është ndër zërat e paktë që dënojnë shkeljet e së drejtës ndërkombëtare

Kryeipeshkvi Balestrero, vëzhgues i përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, foli në konferencën e organizuar nga Qendra e Studimeve Rosario Livatino, në Romë, më 13 maj. Në fjalimin e rastit, reflektoi mbi multilateralizmin dhe ndërvarësinë, dikur të perceptuara si faktorë stabiliteti, ndërsa tani të shndërruara në mjete "prekshmërie”, pushteti e shantazhi".

R.SH. / Vatikan

Ζëri i Papës Leoni XIV është sot një nga zërat e paktë që dënojnë "në mënyrë sistematike dhe të qartë" shkeljet e së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës humanitare. Shumë nga institucionet që kanë ndihmuar në ndërtimin e sistemit aktual ndërkombëtar, tani në krizë të thellë, duhet të bashkohen më qartë me të. Ky sistem është i bazuar në multilateralizëm dhe ndërvarësi, parime që dikur garantonin stabilitet, por tani përdoren gjithnjë e më shumë si instrumente presioni dhe shantazhi. Është  shenjë e dobësimit të vlerave të ndara nga bashkësia ndërkombëtare, që po i bën gjithnjë e më pak efektive thirrjet për paqe. Këto janë disa nga çështjet e trajtuara nga Kryeipeshkvi Imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në fjalimin e mbajtur më 13 maj, në konferencën e sponsorizuar nga Qendra e Studimeve “Rosario Livatino” në Sallën Koch të Palazzo Madama, në Romë.

"Partneritetet" e reja të leverdisë

Kryeipeshkvi Balestrero theksoi rishfaqjen e "logjikës së sferave të ndikimit dhe perandorive", që nxit konkurrencën për një "rend të ri botëror". Fuqitë që e kanë plazmuar rendin aktual, ndërsa nuk duan të "humbasin terren", po veprojnë "në mënyrë të shpërndarë" dhe nuk janë më në gjendje ta përmbajnë ngritjen e lojtarëve në zhvillim. Në këtë skenar, aleatët konsiderohen "partnerë minoritarë" dhe u bëhet thirrje t`i mbështesin fuqitë e tyre kryesore përkatëse me industri, burime ekonomike e, ndonjëherë, edhe me kontribute ushtarake. Në të njëjtën kohë, po duken "partneritetet" e reja të leverdisë: më shumë sesa aleanca të vërteta, janë konvergjenca strategjike të ndërtuara për t'iu kundërvënë kundërshtarëve të përbashkët.

Kufizimi i Kombeve të Bashkuara

"Sistemi i vlerave, i pranuar universalisht, nuk ekziston më, e përmendja e paqes nuk i prek njerëzit me interesa të kundërta", deklaroi Kryeipeshkvi, duke nënvizuar edhe tendencën në rritje për ta izoluar OKB-në përmes krijimit të "organeve alternative" që nuk kanë të njëjtin përfaqësim universal. Duke iu referuar konkretisht Kombeve të Bashkuara, Imzot Balestrero foli për "stanjacionin e vazhdueshëm të Këshillit të Sigurimit dhe pamundësinë e reformimit të tij", faktorë që kanë kontribuar në zbehjen e respektit për organin ndërkombëtar dhe kanë ushqyer një ndjenjë të përhapur urgjence ndërmjet shumë qeverive. Sipas Prelatit, dobësimi i besueshmërisë së sistemit ndërkombëtar inkurajon "veprime unilaterale gjithnjë e më të paskrupullta" dhe e rrit rrezikun e konfliktit, paqëndrueshmërinë dhe vuajtjet njerëzore. Në përgjithësi, sistemi ndërkombëtar sot duket "i bllokuar nga divergjencat ideologjike e interesat politike dhe ekonomike në konflikt", por gjithsesi mbetet "i nevojshëm madje, do të thoja, i domosdoshëm".

Të besosh në multilateralizëm

Për ta mbështetur këtë, shpjegoi Balestrero, është e nevojshme të njihet "dinjiteti i brendshëm i personit njerëzor" si parim që i paraprin dhe e kufizon pushtetin, duke e bazuar kështu vetë ligjin. Kryeipeshkvi, më pas, kujtoi fjalët e Papës në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, në fillim të vitit: "Kur 'qenia' ndahet nga 'e vërteta' dhe në fund të fundit nga 'e mira', dinjiteti i vetë personit bëhet relativ dhe interesat egoiste, të ndryshueshme dhe të diferencuara të individëve e të shteteve më të forta mbizotërojnë në mënyrë të pashmangshme". "Nëse besojmë në multilateralizëm dhe në të drejtën ndërkombëtare, përfundoi Balestrero, duhet të sigurohemi që ligji dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të jenë të bazuara fort, duke e shmangur nënshtrimin e tyre ndaj përshtatshmërisë së çastit". 

17 maj 2026, 15:07