Kërko

2026.05.12 Intervista Elemosniere

Lëmoshtari i Papës: të varfrit, busull për Kishën

Imzot Luis Marín de San Martín u tregon mediave të Vatikanit dy muajtë e tij të parë si Prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë. Është sfidë e rëndësishme, që përfshin fusha të ndryshme: nga bekimet apostolike - te klinika për të varfrit; nga pallati Migliori - tek ndërhyrjet në vendet e shkatërruara nga lufta, përmes nunciaturave. "Nganjëherë ̵ pohon - flasim për të varfrit si për një kategori, por duhet të shkojmë më tej. Të varfrit janë me fytyrë, me histori; tek ata gjejmë Krishtin

R.SH. - Vatikan

Ka radhë në Lëmoshtarinë Papnore, zyrë bamirësie e Papës, jo shumë larg hyrjes së Vatikanit, në Sant'Anna. Oborri është i zbukuruar me lule dhe me skulpturën "Jezusi i pastrehë" i artistit kanadez Timothy Schmalz, që përshkruan një burrë të varfër duke fjetur mbi një stol me plagët e kryqëzimit tek këmbët, që ia zbulojnë identitetin. Ndërkohë, mund të shihen vajtje - ardhjet rreth Shtëpisë së Zakeut, vendit të quajtur kështu joformalisht përballë hyrjes së Dikasterit për Shërbim Bamirësie. Këtu, diakonët mirëpresin njerëzit dhe dëgjojnë kërkesat e tyre nga e hëna - në të shtunë. Radha në sportelet e Lëmoshtarisë është më e gjatë në këto ditë të majit, muaj që shpesh u kushtohet Kungimeve të para. Njerëzit presin të plotësojnë një formular për të planifikuar bekimin apostolik për një çast të rëndësishëm në jetën e tyre, qoftë një përvjetor, një Pagëzim, apo një martesë. Kryeipeshkvi augustinian Luis Marín de San Martín, të cilin Papa Leoni e emëroi prefekt më 12 mars, ka punuar në këto dhoma për dy muaj.

Dy muaj më parë Papa Leoni ju zgjodhi të drejtoni Dikasterin për shërbimin e bamirësisë. Çka kujtoni nga ai çast?

Emocionin, sigurisht, por mbi të gjitha, gëzimin. Gëzimin, sepse kjo detyrë më vë në lidhje me Ungjillin dhe bamirësinë konkrete; më bën bari. Unë jam ipeshkëv, ministër a më mirë shërbëtor. Pastaj do të shprehja mirënjohje të madhe për besimin që Papa më dha, duke më caktuar në këtë Dikaster kaq të madh, kaq të rëndësishëm, kaq të hapur për të gjitha nevojat. E në këto dy muaj, brenda meje është rritur edhe një ndjenjë përgjegjësie, që më kërkon të jap më të mirën time, të bëj më të mirën në shërbim të drejtpërdrejtë të të varfërve. Qendra, pika e referimit, janë gjithmonë ata, më të prekshmit. Jam gjithmonë gati, e këtë gatishmëri e ruaj plotësisht për Atin e Shenjtë, për Kishën, sepse kjo është jeta ime, e kjo edhe shërbesa: të shërbej. Këtu, unë mund t'i shërbej vërtet Kishës, nga më të varfrit, tek më nevojtarët.

Janë të shumta përkufizimet që kanë të bëjnë  me Lëmoshtarinë   Apostolike; për shembull, quhet "ndihma e shpejtë e bamirësisë". Dikasteri përbëhet nga shumë shpirtra...

Po, Lëmoshtaria nga Predicatae Evangelium, është bërë Dikaster, Dikaster për Shërbimin e Bamirësisë. Është Dikaster i madh e shumë i gjerë; fusha e saj më e njohur është ajo e bekimeve, dhuratë e vogël që shkon drejtpërdrejtë tek më të varfrit. Ata që bëjnë një kërkesë, kontribuojnë në shërbimin e bamirësisë. Pastaj është fusha mjekësore-shëndetësore, me dy ambulanca në Sheshin e Shën Pjetrit, për më të varfrit, shpesh pa dokumente, me 120 mjekë vullnetarë dhe me mundësinë e kryerjes së testeve specifike diagnostikuese për më të varfrit. Ekziston edhe zona higjieniko  ̵ shëndetësore, dushet në Sheshin e Shën Pjetrit e, më pas, mirëpritja në Domus Mariae drejtuar nga Misionaret e Bamirësisë të Nënë Terezës; Palazzo Migliori nga Komuniteti i Shën Egjidit dhe konvikti në Via dei Penitenzieri. E gjithë kjo sillet rreth kujdesit për më të varfrit, duke u ofruar atyre kujdes shëndetësor, mencë, tualete dhe një konvikt. Dymbëdhjetë diakonë nga Dioqeza e Romës vijnë këtu, duke na ndihmuar shumë dhe duke iu përgjigjur kërkesave nga famullitë, të cilat mbështeten nga famullitarët. Ne  ndihmojmë edhe famullitë në periferi me ushqim, ilaçe dhe shumë gjëra të tjera. E pastaj është aspekti bamirës ndërkombëtar, me kontribute në Ukrainë, Gaza, Liban dhe Afrikë. E gjithë kjo administrohet nëpërmjet nuncëve, nunciaturave apostolike. Pra, është një Dikaster i madh, plot mundësi, shumë i bukur, me kaq shumë njerëz që bashkëpunojnë, kaq shumë vullnetarë. Është vërtet një mrekulli. Gjeta njerëz të mirë, njerëz të talentuar, shumë të përkushtuar, të dobishëm dhe bujarë.

Cilat janë sfidat për të ardhmen e Dikasterit?

Sfidat gjithmonë paraqiten nga më të varfrit. Ata, të përjashtuarit, të dëbuarit, ata janë pika referimi. Është e nevojshme të kuptojmë se si duhet ta përballojmë këtë sfidë, çfarë kërkojnë konkretisht më të varfrit, çfarë duhet të organizohet, çfarë strukture, pastaj të bashkohemi, të ecim së bashku me të gjithë bashkëpunëtorët tanë, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të dëgjojmë ata që kanë më shumë nevojë. Këto janë sfida praktike, shërbimi, të cilat përfaqësojnë kuptimin dhe misionin e këtij Dikasteri.

Tek Dilexi te, nxitje apostolike e Papës Leoni, Papa kujton se feja nuk mund të veçohet nga bamirësia, nga dashuria për të varfrit. Ju, si lëmoshtar, si i përgjigjeni kësaj? Si do t'i vini në jetë fjalët e Papës?

Do t'i nxit me gjithë forcën time. Qendra e jetës së krishterë është bamirësia. Zoti është dashuri. Si ipeshkëv, e zgjodha moton Deus caritas est, ngaqë më duket se është pika e referimit. Zoti është bamirësi, Zoti është dashuri. Qendra e jetës së krishterë është dashuria, e cila është më e madhe, më e fortë dhe më e rëndësishme se feja. Këto të trija mbeten: feja, shpresa e dashuria. Virtyti më i madh është dashuria; të fillojmë me këtë. Por çfarë do të thotë kjo? Nga njëra anë, ne duhet t'ua çojmë Krishtin të varfërve, të ofrojmë bamirësinë që është Krishti, Zoti me ne. Ky Krisht i thërret më të varfrit, më të përjashtuarit, të cilët janë përparësi. Është opsioni i Ungjillit që vlen për të gjithë ne, për të gjithë të krishterët. Por ne duhet ta gjejmë Krishtin edhe tek të varfrit. Është fytyra e Krishtit, është Krishti që na flet. Të varfrit na ungjillizojnë dhe kjo është rruga: ne japim, ne ofrojmë Krishtin dhe e marrim Krishtin. Është e bukur. Dhe kjo është jeta e krishterë. Duke e vendosur bamirësinë në qendër, jo një bamirësi teorike, por një bamirësi praktike. Është jeta. Jeta duhet të bëhet bamirësi. Vetëm në këtë mënyrë do të gjejmë kuptimin, kuptimin e jetës dhe kuptimin e fesë.

Gjatë kësaj kohe, ndërsa takoheni me të varfërit, të përjashtuarit, të prekshmit, a jeni ndjerë të sfiduar në fenë tuaj?

Sigurisht po. Absolutisht. Më ndihmon sepse është zhvillim i thirrjes sime të krishterë, thirrjes sime rregulltare, thirrjes sime meshtarake. Ndonjëherë flasim për të varfrit si kategori, por duhet të shkojmë më tej.  I varfri ka një fytyrë, ka një histori... Është person... Duhet t'i afrohemi, ta shohim në sy, të jemi me të. Kalojmë nga kategoria e të varfërve, tek të varfrit në kuptimin e vërtetë dhe kështu gjejmë Krishtin. Krishti është person konkret. Krishti është njeri i gjallë. Nuk është vetëm teori,  ide, faqe libri. Me të varfrit është e njëjta gjë. Do të doja t'u kërkoja të gjithëve ndihmë, lutje për të çuar përpara këtë shërbim të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm bamirësie në këtë Dikaster.

13 maj 2026, 17:11