Kërko

Moderatorët e Shoqatave të Besimtarëve, të Lëvizjeve Kishtare dhe Komuniteteve të Reja.( foto arkivi 2025.06.06 ) Moderatorët e Shoqatave të Besimtarëve, të Lëvizjeve Kishtare dhe Komuniteteve të Reja.( foto arkivi 2025.06.06 )

Të shërbesh, të shoqërosh, të udhëheqësh. Parimet dhe praktikat e qeverisjes në shoqata

Takimi vjetor i moderatorëve të shoqatave ndërkombëtare të besimtarëve, lëvizjeve kishtare dhe komuniteteve të reja do të mbahet më 21 dhe 22 maj në Vatikan, për të reflektuar mbi temën “Të shërbesh, të shoqërosh, të udhëheqësh. Parimet dhe praktika e qeverisjes në shoqata”

R.SH. / Vatikan

Si zakonisht, edhe këtë vit Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën organizon dhe pret Takimin vjetor me moderatorët e shoqatave ndërkombëtare të besimtarëve, të lëvizjeve kishtare dhe të komuniteteve të reja.

Në ditët 21-22 maj, pranë Sallës së Re të Sinodit, në Vatikan, bën të ditur një njoftim i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, rreth 200 pjesëmarrës – mes të cilëve moderatorë ose delegatë të tyre, si dhe anëtarë të organit qendror qeverisës të 104 prej 115 shoqatave ndërkombëtare të besimtarëve dhe enteve të njohura apo të ngritura nga Selia e Shenjtë – do të takohen për të reflektuar mbi temën “Të shërbesh, të shoqërosh, të udhëheqësh. Parimet dhe praktika e qeverisjes në shoqata”.

Qeverisja në shoqata është, pra, tema e përzgjedhur për këtë Takim, temë e cila do të shtjellohet përgjatë dy ditëve nga pikëpamja teologjike-baritore dhe kanonike kishtare. Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën synon të ofrojë një ndihmë konkrete për shoqatat dhe lëvizjet, e në mënyrë specifike për ata që mbajnë përgjegjësi udhëheqëse në to, me qëllim që ky shërbim të jetohet sipas Ungjillit dhe t'i shërbejë të mirës autentike të shoqatave dhe anëtarëve të tyre.

Janë të shumta aspektet që do të merren në konsideratë gjatë Takimit: natyra specifike dhe qëllimet e autoritetit udhëheqës e qeverisës të një moderatori në shoqatat e besimtarëve; instrumentet që duhen përdorur për një ushtrim kolegjial të udhëheqjes dhe ekuilibri mes bashkëpërgjegjësisë e kolegjialitetit nga njëra anë, dhe marrjes së përgjegjësisë personale nga ana tjetër; marrëdhëniet e bashkimit mes organit udhëheqës të shoqatës dhe autoritetit kishtar; roli i qeverisjes në ruajtjen besnike të karizmës dhe në ndjekjen e qëllimeve specifike apostolike; rëndësia e autoritetit të domosdoshëm moral dhe e transparencës tek ai që udhëheq e qeveris; respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të besimtarëve nga ana e atij që qeveris; dallimi i duhur mes sferës së qeverisjes dhe sferës së ndërgjegjes; kujdesi në formimin e anëtarëve.

Takimi i këtij viti do të zgjasë dy ditë për t'i dhënë më shumë hapësirë dialogut dhe ndarjes së përvojave. Në fakt, Takimet vjetore me moderatorët po marrin gjithnjë e më shumë një karakter formues, si dhe njohjeje reciproke e bashkëndarjeje mes Dikasterit e Kuries romake dhe shoqatave, si dhe mes vetë shoqatave.

Programi parashikon në ditën e parë një fjalim hapës nga Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinali Kevin Farrell, dy relacione kryesore që do të fokusohen mbi "Aspektet teologjike të qeverisjes" në Kishë në përgjithësi, dhe mbi "Parimet e qeverisjes në shoqatat e besimtarëve", temë kjo e trajtuar nga pikëpamja kanonike e Kishës.

Më pas do të dëgjohet fjala e Papa Leonit XIV, dhe pasdite do të mbahet një relacion me disa zëra, i përgatitur nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, mbi disa "sfida" që sjell përgjegjësia e qeverisjes, për të krijuar ndërgjegjësim rreth kësaj çështjeje dhe për të ofruar instrumente të përshtatshme për t'i përballuar ato.

Dita e dytë do të jetë më e orientuar drejt punës në grupe dhe diskutimit në plenum, sipas metodës sinodale të bisedës me Shpirt të hapur: dy dëshmi mbi "Marrëdhënien mes Moderatorëve dhe Ipeshkvijve" (Shkëlqesia e Tij José Ángel Saiz Meneses) dhe mbi "Pajtimin si stil qeverisjeje" (Av. Giovanni Borgna) do të ofrojnë pika reflektimi për të mbledhur, gjatë pasdites, propozimet e dala nga grupet e punës.

20 maj 2026, 16:19