Nga Salloni i Torinos, mesazh besimi e vëllazërie
R.SH. - Vatikan
Pamja e Sallonit të Torinos përfshin kaq shumë fjalë, kaq shumë libra, kaq shumë histori... Në fillim të ceremonisë së hapjes, një orkestër fëmijnore -Suzuki, për të qenë të saktë ̵ i priti në heshtje që të gjithë të zinin vendet e tyre. Me sinjalin e Mjeshtrit, ata nisën të luanin me freski e përsosuri. Luajtën, ndërmjet veprave të tjera, Beethovenin, himnin evropian. E për një çast, na u duk sikur do të mund ta shihnim aty, konkretisht, Botën e shpëtuar nga fëmijët, në gjithë atë gjallëri, që nuk mburrej, por ishte... Pikërisht si ndër librat e Elsa Morantes, vepra e së cilës frymëzoi temën e 38 ̵ të manifestimit, kushtuar editorisë.
Mesazhi i Papës
Pak pas shfaqjes, drejtori i Panairit solli mesazhin e Papës Leoni XIV për ngjarjen, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin. Shkruhet: "Në një kohë që duket e mbytur nga tmerri i luftës dhe nga të ftohtit e indiferencës, fëmijët, me aftësinë e tyre të lindur për ta parë botën me sy të rinj, ndezin një dritë shprese në shoqëri". Shpresë që vjen edhe përmes librave. Gjatë ceremonisë së hapjes, u vu re se të rinjtë lexojnë më shumë se të rriturit dhe se botimet për fëmijë janë forcë lëvizëse. Por askush nuk mungon në një panair me 147,000 metra katrore, mbi 500 stenda, 1,250 botues dhe 70 dhoma, që përfshijnë 378 orë laboratori, mbi 2,700 ngjarje në Lingotto dhe më shumë se 500 lokale me Salone Off. Këtë vit e ftuar nderi është Greqia, ndërsa ndër autorët e saj më të njohur do të jetë Petros Markaris. Ndërsa rajoni i ftuar është Umbria, me një program të gjerë, që përfshinë një fokus të spikatur në tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut, ngjarje që do të sjellë Marshimin e Paqes në Panairin e Torinos, planifikuar për të dielën, 17 maj.
Trajektoret e së ardhmes
Prania e të rinjve dhe e grupeve shkollore është më e dukshme në ditën e parë të Panairit, e programi për fëmijë është i gjerë, në një vit të veçantë edhe për letërsinë italiane, pasi pikërisht këtë vit kujtohet dyqindvjetori i njërit prej shkrimtarëve italianë më të përkthyer e më të lexuar të të gjitha kohërave, Carlo Collodit, autorit të Pinocchio-s. Fjala e hapjes e edicionit të 38-të, e titulluar "Gjithçka ishte ekstreme. E ashtu vijon të jetë edhe tani”, iu besua shkrimtares britanike Zadie Smith. Edhe një herë, një vështrim i thellë mbi energjinë adoleshenciale.
Njerëzit mbushin me gëzim korridoret e zhurmshme të Salonit, duke soditur herë një kopertinë, herë një tjetër, e duke pritur në radhë për të dëgjuar autorët që i kanë dashur gjithmonë, ose ata që zgjojnë kureshtjen e tyre dhe që duan t'i zbulojnë. Në këto ditë mund të takojnë mysafirë të tillë si fituesi i Çmimit Nobel László Krasznahorkai, Boualem Sansal, Abraham Verghese, Peter Cameron dhe David Grossman, në Torino për publikimin e librit Meridiano Mondadori kushtuar atij, si dhe shumë emra të tjerë në letërsinë botërore.
Guximi i vëllazërisë
Ndërmjet takimeve të organizuara nga Libreria Editrice Vaticana, një nga botuesit e pranishëm në Panair, dje pasdite, më 14 maj, në Sala Bianca, u zhvillua dialogu "Vëllazëria është për guximtarë" ndërmjet Kardinal Jean-Paul Vesco, Kryeipeshkëv i Algjerit, dhe Tomaso Montanarit, udhëhequr nga Andrea Tornielli, rreth librit Guximi i vëllazërisë. Kardinali u nis nga përvoja e tij personale, nga identiteti që e lidh me Francën e Algjerinë në të njëjtën kohë, pikërisht si "të jesh i krishterë", tha ai, "është njëkohësisht si të jesh në këtë tokë, por edhe në një formë distance, e cila, megjithatë, nuk na pengon ta duam". Fjalët e Vescos ishin ende plot me emocione për vizitën e Papës në Algjeri. Kardinali tregoi se si algjerianët e kaluan praninë e Papës në vendin e tyre duke e dëgjuar, duke e kërkuar dhe duke kujtuar fjalët e një gruaje myslimane: "Kur u nis avioni papnor, pata përshtypjen se ishte nisur një mik". Në Algjeri, vëllazëria mund të bëhet e dukshme edhe përtej dallimeve fetare.
Duke folur gjuhën e Ungjillit
Tomaso Montanari e quajti librin e Vescos “të çrregullt” e të pajisur me parrezi. Për studiuesin, teksti zbulon se "vëllazëria është e kundërta e nacionalizmit", sepse "ne nuk lindëm nga gjaku, por nga shpirti". Intelektuali gjeti në vëllim "një kritikë vëllazërore të retorikës së atësisë", që e quajti thellësisht "politike", por mbi të gjitha të rrënjosur thellë në Fjalën, në gjuhën e Ungjillit, e cila na tregon se vetëm një është Atë. Vëllazëria e librit, vërejti Montanari, shtrihet edhe në krijim, për të cilin ne jemi "rojtarë".
"Të njohësh njëri-tjetrin si vëllezër, do të thotë të njohësh njëri-tjetrin si rojtarë", shtoi Kardinali Vesco, duke nënvizuar rreziqet e "atësisë" që ndonjëherë ushtrohet mbi të tjerët, e duke rrëshqitur në patriarkat ose paternalizëm. Kardinali vërejti edhe se "Kisha nuk është institucion i mbyllur, por derë e hapur për botën". Kështu, të jetosh si vëllezër e motra, është dëshmi "përmbytëse".
Duke e parë veten në tjetrin
"Familja Shenjte në ikje kalon përmes Gazës", pohoi Tomaso Montanari, duke folur për vëmendjen e librit që, në përgjithësi, i kushtohet emigrantëve. Për historianin e artit, "Gaza na çoi të rishqyrtojmë atë që po ndodh në Mesdhe", ku mijëra njerëz vazhdojnë të vdesin. "Ky libër", tha Montanari, "heq shumë justifikime dhe shemb shumë mure përballë vuajtjeve të të tjerëve", veçanërisht emigrantëve. Duke u kthyer në Algjeri, kardinali e përshkroi vendin si vendkalimi. Ndërsa duke parë emigrantët, e kuptoi se ishte me fat që mundi t'i ndihmonte të tjerët. Ndërmjet njerëzve që takoi, kujtoi Josyane-n, e cila, ashtu si ai, kishte studiuar drejtësi. U detyrua të largohej nga vendi, duke vuajtur një sërë aktesh dhune. Vesco e vuri veten në vendin e saj, duke menduar se, pavarësisht nga i njëjti arsim, fatet e tyre ishin tmerrësisht të ndryshme. Kështu ai luftoi që gruaja të mund të shkonte në Francë për të vazhduar shtegtimin e saj: "Vëllazëri do të thotë: mund të isha atje, mund të isha në vendin e saj". Sepse edhe po të ekzistojë një makropolitikë që dominon e shtyp, kjo nuk na përjashton nga përballimi me përgjegjësitë tona. Ka shumë njohuri, përfshirë dialogun ndërfetar, në një libër që shpesh i referohet, dhe e përsërit Dokumentin mbi vëllazërinë njerëzore për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar në vitin 2019 në Abu Dhabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azhar Ahmad Al-Tayyeb. Fjalë që bashkojnë, fjalë që ndërtojnë ura, fjalë që përpiqen të "shpëtojnë botën", ashtu si na e këshillon titulli i Salonit.