Kërko

"Ruajtja e Zërave dhe Fytyrave Njerëzore", konferenca ndërkombëtare mbi Inteligjencën Artificiale në Universitetin Urbaniana "Ruajtja e Zërave dhe Fytyrave Njerëzore", konferenca ndërkombëtare mbi Inteligjencën Artificiale në Universitetin Urbaniana

"Të ruhen zërat e fytyrat njerëzore": në Urbaniana konferenca ndërkombëtare mbi IA

Konferenca, e organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Komunikim Shoqëror, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Kulturë dhe Arsim dhe Fondacionin San Giovanni XXIII, do të mblidhet më 21 maj. Do të jenë të pranishëm përfaqësues nga institucionet dhe akademia, ekspertë të teknologjisë së lartë dhe gazetarë.

R.SH. / Vatikan

Për të kremtuar Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Komunikim  Shoqëror do të organizojë një konferencë ndërkombëtare pranë Universitetit Papnor Urbanian të enjten, më 21 maj. Tema, "T’i ruajmë zërat dhe fytyrat njerëzore", pasqyron atë të mesazhit të Leonit XIV për Ditën kushtuar mediave dhe nënvizon frymën me të cilën organizatorët ftuan akademikë, përfaqësues institucionesh, ekspertë të teknologjisë së lartë dhe gazetarë, për të diskutuar Inteligjencën Artificiale dhe ndikimin e saj në jetën e individëve, komuniteteve e kombeve.

Një çast reflektimi dhe diskutimi

Takimi, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Kulturë e Arsim dhe Fondacionin San Giovanni XXIII, do të zhvillohet në Aula Magna të Universitetit Papnor, më 21 maj, gjatë gjithë ditës. Synon të jetë çast reflektimi dhe diskutimi në përgjigje të thirrjes së Papës për të "ruajtur dhuratën e komunikimit si e vërteta më e thellë e njerëzimit, drejt së cilës duhet të orientohet edhe çdo risi teknologjike".

Konferenca do të hapet me fjalimin e Dr. Paolo Ruffinit, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim Shoqëror, dhe të Kardinalit José Tolentino de Mendonça, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kulturë dhe Arsim.

19 maj 2026, 09:07