Dita e 60-të Botërore e Komunikimit 2026: ruajtja e Zërave dhe Fytyrave Njerëzore
R.SH. / Vatikan
Në ekosistemet e komunikimit të sotëm, teknologjia ndikon në ndërveprime në mënyra të pamundura më parë - nga algoritmet që zgjedhin përmbajtje në lajme, deri te inteligjenca artificiale që redakton tekste dhe biseda të tëra. Njerëzimi tani ka aftësi të paimagjinueshme, vetëm pak vite më parë. Por, ndërsa këto mjete ofrojnë efikasitet dhe shtrirje të gjerë, nuk mund të zëvendësojnë kapacitetet unike njerëzore të empatisë, etikës dhe përgjegjësisë morale. Komunikimi publik kërkon gjykim njerëzor, jo vetëm modele të të dhënave. Sfida është të sigurohet që njerëzimi të mbetet agjenti udhëheqës. E ardhmja e komunikimit duhet të sigurojë që makinat të jenë mjete që shërbejnë dhe lidhin jetën njerëzore, jo forcat që gërryejnë zërin njerëzor.
Kemi mundësi të mëdha. Në të njëjtën kohë, rreziqet janë reale. Inteligjenca artificiale mund të krijojë përmbajtje tërheqëse, por mashtruese, manipuluese dhe të dëmshme, të përsërisë paragjykimet dhe stereotipet e pranishme në të dhënat e trajnimit dhe të amplifikojë dezinformimin duke simuluar zërat dhe fytyrat njerëzore. Ajo mund të pushtojë edhe privatësinë e intimitetin e njerëzve, pa pëlqimin e tyre. Mbështetja e tepërt te inteligjenca artificiale dobëson të menduarit kritik dhe aftësitë krijuese, ndërsa kontrolli monopolist i këtyre sistemeve ngre shqetësime në lidhje me centralizimin e pushtetit dhe pabarazinë.
Është gjithnjë e më urgjente të futet njohuria mediatike në sistemet arsimore, duke përfshirë Njohuritë mbi Median dhe Inteligjencën Artificiale (MAIL). Si katolikë, ne mundemi dhe duhet të kontribuojmë në mënyrë që njerëzit - veçanërisht të rinjtë - të fitojnë aftësinë për të menduar kritik dhe të rriten në liri shpirtërore.
Dikateri i Komunikimit