Kërko

2026.06.26 Concistoro straordinario - Concelebrazione presieduta dal Cardinal Re

Kardinali Re: të ndërtojmë vëllazërinë në këtë kohë të karakterizuar nga kultura e forcës

Dita e dytë e Koncistorit të dytë të Jashtëzakonshëm, të thirrur nga Papa Leoni XIV, u hap me Meshën kushtuar Marisë Virgjër, Nënës së Kishës. Liturgjia, e kremtuar këtë mëngjes, më 27 qershor, në Bazilikën e Shën Pjetrit, u drejtua nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, kard. Giovanni Battista Re, i cili ia kushtoi homelinë e tij Virgjërës Mari, duke theksuar se ajo “është e pranishme dhe vepron në Kishë dhe në botë për shpëtimin e çdo burri dhe çdo gruaje”.

Vatican News

Kardinali Giovanni Battista Re ia besoi Zojës Mari ditën e dytë të Koncistorit të Jashtëzakonshëm, i cili nisi më 26 qershor dhe u thirr nga Papa Leoni XIV për të diskutuar, reflektuar dhe thelluar së bashku me kardinalët çështje aktuale që lidhen me Kishën dhe botën.

Në Meshën kushtuar Marisë Virgjër, Nënës së Kishës, e kremtuar këtë mëngjes në orën 7:30 në Bazilikën e Shën Pjetrit, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, kardinali Re kujtoi se, “nën Krishtin, por së bashku me Të dhe në Të”, Zoja Bekuar “është e pranishme dhe vepron në Kishë dhe në botë për shpëtimin e çdo burri dhe çdo gruaje”.

“Nëna Mari na shoqëroftë në përballimin me urti të sfidave të mëdha të kohës sonë, të karakterizuar nga kultura e pushtetit dhe e forcës – tha kardinali në homelinë e tij – dhe na ndihmoftë të ndërtojmë qytetërimin e vëllazërisë, të dashurisë dhe të paqes”.

Amësia shpirtërore universale e Marisë

Reflektimi i kardinalit Re u përqendrua tërësisht në fragmentin e Ungjillit sipas Gjonit, i cili, sipas tij, “na çon me mendje dhe me zemër në Kalvar, në çastin më të lartë dhe më vendimtar të historisë njerëzore: flijimin shëlbues të Krishtit për shpëtimin tonë”.

Është momenti kur Jezusi, në kryq, “para se të japë frymën e fundit”, pasi ishte dhuruar në Eukaristi në Darkën e Fundit, u bëri njerëzimit “një tjetër dhuratë të pashprehshme: na dha Marinë si Nënë”.

Sipas kardinalit Re, ky është një tekst me domethënie shumë të thellë, sepse “na flet për misionin amnor të Marisë në jetën e të gjithë besimtarëve”.

“Në të vërtetë, Jezusi, para se t’ia besonte Marinë Apostullit Gjon, ia besoi Gjonin Marisë; dhe në Gjon na besoi të gjithëve ne.”

Më konkretisht, “Krishti ia beson Marisë një amësi shpirtërore universale, që shtrihet nga Apostulli Gjon te të gjithë të krishterët përgjatë shekujve”, theksoi kardinali Re.

Ai shtoi se “mendimi i parë i Krishtit që po vdiste mbi kryq nuk ishte për nënën e Tij, e cila nga ai çast do të mbetej vetëm, por për njerëzimin, që ka nevojë për ndihmën e një nëne”.

Kështu, rrëzë Kryqit të Krishtit lind “amësia shpirtërore e Zojës Mari në horizontin e mbarë njerëzimit; një amësi e frymëzuar nga dëshira për të na ndihmuar të rritemi shpirtërisht dhe nga kujdesi i saj i dashur për çdo nevojë dhe çdo vuajtje të çdo krijese njerëzore, gjithmonë e gatshme të vijë në ndihmën tonë”.

Zoja Mari u tregon njerëzve rrugën

Dekani i Kolegjit të Kardinalëve shpjegoi se “rrënjët e devocionit ndaj Marisë” gjenden në Golgotë.

“Që nga ai çast, në gëzimet dhe dhimbjet e jetës, ne gjithmonë mund të mbështetemi në ndihmën e një Nëne, e cila është pranë Hyjit dhe, për këtë arsye, mund të ndërmjetësojë për ne”, tha kardinali Re.

“Ajo është pranë nesh me dashurinë e një nëne dhe asnjë nga problemet apo shqetësimet tona nuk i shpëton vëmendjes së saj.”

Këtë e shprehu qartë edhe Papa Shën Pali VI në nxitjen apostolike Marialis cultus, ku shkruan se “në udhën e çdo burri dhe çdo gruaje, Hyji ka vendosur Marinë që të vigjëlojë mbi ne dhe të na tregojë rrugën”.

Ajo, e cila në Kalvar “vuajti për ne, që të kishim forcën dhe besimin për të përballuar sprovat e shumta”, “është e pranishme në të gjitha çastet vendimtare të historisë së shpëtimit”, vijoi kardinali Re.

Maria “ndodhet në zemër të misterit të Mishërimit” të Birit të Totit. Hyji, në planet e Tij të mistershme, zgjodhi të vinte tek ne nëpërmjet Krishtit dhe, përfundoi kardinali, “ne nuk mund të gjejmë një rrugë më të mirë për të arritur tek Ai sesa duke kaluar përmes Marisë.”

27 qershor 2026, 15:16