Kërko

Mesha e kryesuar nga Imzot Gallagher në Katedralen e Kaunasit Mesha e kryesuar nga Imzot Gallagher në Katedralen e Kaunasit

Kryeipeshkvi Gallagher: Në kohë fatkeqësish, le të kërkojmë ndër gjunj dhuratën e një paqeje të paarmatosur dhe çarmatosëse

Si i dërguar i posaçëm i Papës, imzot Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare kryesoi një Meshë sonte në mbrëmje, të shtunën, më 27 qershor, në Katedralen e Kaunasit, Lituani, me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të provincës së parë kishtare të bashkuar të vendit. Kryeipeshkvi ia besoi popujt e shkatërruar nga lufta ndërmjetësimit të Nënës së Zotit, në këtë epokë "të plagosur nga konflikti shkatërrues në Ukrainën e munduar".

Vatican News

Ashtu si populli lituanez i cili "gjatë persekutimit të tmerrshëm sovjetik" eci në rrugën e martirizimit, duke ia besuar veten Virgjëreshës Mari, që nderohet në kishat e shumta, ashtu "e gjithë Kisha" le të kërkojë "strehë dhe drejtim nën mantelin e saj" me vetëdije të lartë, "në këto kohë fatkeqësish të mëdha, të plagosura nga konflikti shkatërrues në Ukrainën e munduar".

Ndërmjetësimit amënor të Nënës së Zotit, "ia besojmë popujt e prekur nga konflikti, duke iu lutur për dhuratën e një paqeje të paarmatosur dhe çarmatosëse".

Pikërisht me këtë lutje, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë, e përfundoi homelinë e tij në Meshën që kryesoi sonte, të shtunën, më 27 qershor, në Katedralen e Kaunasit, Lituani, me rastin e njëqindvjetorit të« Lituanorum Gente», kushtetutës apostolike me të cilën Papa Piu XI themeloi provincën e parë të bashkuar kishtare lituaneze.

Një Kishë martirësh që i mbijetoi regjimit

I dërguari i posaçëm i Leonit XIV, i frymëzuar nga leximet e së dielës së 13-të të Kohës së Zakonshme, theksoi rëndësinë e dëshmisë së shenjtorëve, të cilët bëjnë "vend në shpirtin e secilit, duke lëvruar zemrat e secilit, duke i dëlirur këto zemra nga interesat personale, shqetësimet dhe ankthet që e mbytin Fjalën". Janë këta dëshmitarë dhe modele të shenjtërisë, që Lituania i dha me shumicë në shekullin e kaluar, duke kaluar persekutimet e një "regjim totalitar që nuk arriti ta shkatërronte Kishën".

"Sa meshtarë, rregulltarë e rregulltare, bashkë me dhjetëra mijëra besimtarë", tha kryeipeshkvi gjatë predikimit të tij, "u internuan në gulagët e Siberisë! Çfarë faqeje e lavdishme u shkrua nga të gjithë këta në 'Kronikën e Kishës Katolike në Lituani'!" Kryeipeshkvi Gallagher kujtoi "historinë prekëse të besnikërisë ndaj Krishtit" të Kodrës së Kryqeve, një kodër ku janë ngritur dhjetëra mijëra kryqe përgjatë viteve: së pari në kujtim të atyre që ranë në kryengritjet lituaneze të shekullit XIX kundër Perandorisë Ruse, dhe më pas, gjatë pushtimit sovjetik, të martirëve të regjimit. Papa Gjon Pali II, theksoi kryeipeshkvi, gjatë vizitës së tij në vitin 1993 e përkufizoi si "Koloseun e kohëve tona" këtë kodër të rrafshuar përtokë disa herë nga bulldozerët" e diktaturës komuniste.

Fara e të krishterëve të rinj

"Gjatë dekadave të persekutimit të tmerrshëm", shtoi diplomati i Selisë së Shenjtë, "Fjala e Zotit nuk mbeti një teori për popullin lituanez, por u bë mish në mishin e martirëve tuaj!" Duke cituar thënien e Tertulianit se "gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj", imzot Gallagher nënvizoi se sheh në historinë shekullore të të krishterëve të këtij komuniteti "dëshminë më të ndritshme të kësaj të vërtete historike dhe shpirtërore". Një histori e ruajtur nga barinjtë e saj, para së gjithash nga Ipeshkvi i Lum Jurgis Matulaitis, i cili më 13 maj 1926, lexoi Kushtetutën Apostolike të Pius XI që themeloi bashkësinë e besimtarëve: "një figurë e jashtëzakonshme", siç e përshkroi imzot Gallagher. Vitin që vjen mbushen njëqind vjet nga kalimi në amëshim i të Lumit Matulaitis.

"Në këtë Kremtim Eukaristik", përfundoi imzot Gallagher, "falënderimet tona Zotit për veprat e mëdha të kryera në këtë Kishë martirësh, në njëqindvjetorin e «Lituanorum Gente», vetëm sa mund të na forcojnë në udhëtimin tonë drejt Qiellit".

27 qershor 2026, 12:37