Leoni XIV pret Mjeshtrin e Madh të Urdhrit të Maltës: vëmendje për Gazën, Libanin, Ukrainën dhe Venezuelën
Vatican News
Papa Leoni XIV priti sot në Pallatin Apostolik në Vatikan Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, Fra’ John T. Dunlap. Takimi u zhvillua në një kohë kur shumë rajone të botës vazhdojnë të përjetojnë luftëra, kriza humanitare dhe fatkeqësi natyrore, duke e bërë edhe më të rëndësishëm angazhimin e organizatave që veprojnë në shërbim të më të vuajturve.
Gjatë bisedës me Atin e Shenjtë, Fra’ Dunlap paraqiti veprimtarinë e Urdhrit të Maltës në disa prej zonave më të goditura nga konfliktet dhe emergjencat humanitare. Vëmendje e veçantë iu kushtua Rripit të Gazës, ku së fundi është hapur dhe bekuar një klinikë mjekësore në qytetin e Gazës. E realizuar në bashkëpunim me Patriarkanën Latine dhe e koordinuar nga Malteser International, kjo qendër synon të ofrojë kujdes shëndetësor bazë dhe ndihmë jetike për popullsinë civile. Që nga fillimi i luftës, Urdhri i Maltës ka shpërndarë mbi 200 ton ndihma humanitare për banorët e zonës.
Biseda u ndal edhe te situata në Liban, ku Urdhri i Maltës vazhdon të mbështesë mijëra persona në nevojë përmes dhjetëra qendrave të pritjes dhe ndihmave që arrijnë deri në fshatrat më të largëta e më të izoluara të vendit. Po aq i rëndësishëm mbetet edhe angazhimi në Ukrainë. Në dhjetëra qytete e vendbanime, Urdhri Maltës ofron jo vetëm ndihmë materiale, por edhe mbështetje psikologjike dhe programe rehabilitimi për fëmijët, familjet dhe personat e prekur nga pasojat e luftës.
Në qendër të takimit ishte gjithashtu edhe gjendja dramatike në Venezuelë pas tërmetit shkatërrues të ditëve të fundit. U diskutuan ndërhyrjet e para humanitare dhe mënyrat për të mbështetur popullsinë që po përballet me humbje të mëdha njerëzore dhe materiale.
Përveç çështjeve humanitare, Papa dhe Mjeshtri i Madh Dunlap reflektuan edhe mbi procesin e rinovimit të brendshëm të Urdhrit të Maltës. Një moment i rëndësishëm në këtë rrugëtim do të jetë hapja e afërt e Noviciatit në Romë, që synon të forcojë formimin shpirtëror dhe njerëzor të brezave të rinj të anëtarëve të Urdhrit.
Duke komentuar audiencën, Fra’ John T. Dunlap vuri në dukje se, në një botë gjithnjë e më të përçarë dhe të shënuar nga tensione të shumta ndërkombëtare, diplomacia humanitare e Urdhrit të Maltës mbetet një mjet i çmuar për nxitjen e dialogut dhe ndërtimin e paqes. Ai nënvizoi gjithashtu se takimi me Papën përforcon lidhjen e thellë të Urdhrit të Maltës me Selinë Apostolike dhe e inkurajon atë të vazhdojë misionin e vet në shërbim të njerëzve që vuajnë.
Pas audiencës private me Atin e Shenjtë Leoni XIV, delegacioni i Urdhrit të Maltës u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, për një shkëmbim mendimesh mbi zhvillimet më të rëndësishme në skenën ndërkombëtare dhe sfidat humanitare të kohës sonë.