Kërko

Mozaiku i ndjeshmërisë - zërat e shkrimtarëve që takuan Papën Leoni

Në zemër të Vatikanit, Papa mblodhi rreth vetes tregimtarë, dramaturgë e poetë nga mbarë bota, duke e cilësuar penën si një akt të së vërtetës, një zhveshje të shpirtit dhe një dëshmi të pastër humanizmi. Ne kemi dëgjuar dhe bërë bashkë mbresat e disa prej autorëve që ishin pjesë e këtij takimi të jashtëzakonshëm.

Vatican News

“Të shkruarit - mënyra se si e bën - është një akt i së vërtetës, i zbulesës. Të shkruarit shpreh atë që jemi, atë që besojmë dhe shpresojmë, botën për të cilën përpiqemi, të ardhmen që ëndërrojmë. Në këtë përpjekje për të vërtetën, ne ndiejmë se si e vërteta është diskrete, duke na ofruar veten në një dialog të brendshëm me Zotin dhe në një dialog të hapur dhe respektues me të tjerët. "E vërteta nuk është një territor që duhet mbrojtur, por një e mirë që duhet ndarë" (Magnifica Humanitas, 25). Ne nuk jemi kurrë zotër të së vërtetës; përkundrazi, ajo na "pushton". Prandaj, uroj të jeni të aftë të zgjoni tërheqjen ndaj së vërtetës, sepse ju vetë jeni të tërhequr prej saj. Për më tepër, të shkruarit është një akt njerëzimi”.

Kështu tha Papa Leoni XIV para shkrimtarëve të pritur në sallën e Vogël pranë Sallës Palit VI, në Vatikan - Jon Fosse, Marilynne Robinson, Elizabeth Strout, Éric-Emmanuel Schmitt, Mircea Cărtărescu, Julia Navarro, Jonathan Safran Foer, Enrico Brizzi, Colum McCann, Assaf Gavron, Phil Klay - zëra të ardhur nga të katër anët e botës, të mbledhur nën të njëjtën kupë të qiellit.

Mësues dhe modele — rëndësia e Fjalës

Shumë prej tyre e ndjenë fjalimin papnor si një akt shenjtërimi. Papa i quajti "mësues dhe modele" të asaj "forme të shprehjes njerëzore" që është shkrimi — dhe u drejtua atyre me jehonën e fjalëve që Palit VI u tha artistëve në vitin 1964: "Ne kemi nevojë për ju". Leoni XIV shtoi: "Për imagjinatën tuaj, për fantazinë tuaj narrative, për gjallërinë tuaj të mendimit".

Një imagjinatë që të mëson të kalosh pragjet e shtëpive të huaja, të banosh për një çast në lëkurën e tjetrit — ajo që Letra mbi rolin e letërsisë në fushën e formimit e Papa Françeskut e quan "fuqia empatike". Marilynne Robinson, laureate e Pulitzerit, e tha me thjeshtësinë e të mençurve: "Shkrimtarët kanë mundësinë të zhyten thellë në ndjenjën e jetëve të të tjerëve — të imagjinojnë si do të ishte sikur të ishe dikush tjetër".

Me sytë e tjetrit — empatia si Art

Éric-Emmanuel Schmitt e mori fjalën e Papës dhe e mbajti si një dhuratë: "Ajo që më goditi ishin dy imazhe: ndjeshmëria dhe mozaiku. Të shkruash një histori do të thotë të mishërosh një mori personazhesh, t'i afrosh lexuesit me të gjithë ata njerëz të krijuar nga gishtat e tu. Do të thotë t'u afrohesh të tjerëve, t'i bësh të gjallë, të kujdesesh për ta si të ishin të tua".

Dhe pastaj mozaiku — ai imazh i bukur e i qëndrueshëm: "Një shkrimtar bashkon gurë të vegjël, të vegjël e të papërsosur, dhe nga duart e tij lind një vizatim i madh — romani, drama, poema. Ajo që na bashkon është tregimi i marrëdhënieve njerëzore. Dhe kështu Papa na tregoi se zemra e punës sonë rrah në harmoni me Ungjillin. U preka. U ndriçova. Dhe mendoj se edhe shkrimtari jombesimtar e njeh veten në këto fjalë".

E Vërteta si bukuri — shkrimi si dhuratë

Mircea Cărtărescu foli me zërin e atij që ka kaluar gjatë nëpër errësirë dhe di çfarë do të thotë drita: "E vërteta është bukuri dhe bukuria është e vërtetë — siç tha Keats. Jam plotësisht dakord me mesazhin e Shenjtërisë së Tij. Edhe unë kam shkruar gjithmonë për të mirën e njerëzimit — për secilin lexues, e edhe për ata që ende nuk më kanë hapur faqet."

Enrico Brizzi solli imazhin e mozaikut deri në rrënjët e tij: "Kjo mbledhje zërash, rrugësh kulturore dhe ekzistenciale kaq të ndryshme, u bashkua këtu nën shenjën e një parimi të vetëm: të tregosh me ndershmëri. Jo për të turbulluar ujërat, por për të ndriçuar ato cepe të realitetit që pa ne do të mbeteshin të pashikuara, të panjohuara, të heshtura".

Sepse ndoshta kjo është ajo që i bashkon të gjithë — besimtarë e jombesimtarë, lindorë e perëndimorë, të famshëm e të rinj: bindja se një fjalë e shkruar me dashuri mund të ndezë një dritë në zemrën e atij që lexon.

25 qershor 2026, 09:26