Selia e Shenjtë: jeta dhe e ardhmja e fëmijëve të jenë gjithmonë të mbrojtura në konflikte
Vatican News
Bashkësia ndërkombëtare "nuk duhet të dështojë në përgjegjësinë e saj për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve të prekur nga konflikti i armatosur. Përgjigja ndaj vuajtjeve të tyre do të jetë masë si e angazhimit ndaj ligjit ndërkombëtar, ashtu edhe e respektit për dinjitetin njerëzor të dhuruar nga Zoti për çdo njeri". E deklaroi Misioni i Përhershëm Vëzhgues i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë fjalimit në debatin publik mbi fëmijët dhe konfliktin e armatosur, mbajtur dje, 25 qershor, në Nju Jork.
Sigurimi i mbrojtjes së veçantë, që u jepet fëmijëve
Selia e Shenjtë u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojnë të drejtat themelore të njeriut, duke siguruar "që mbrojtjet e veçanta të cilat u ofrohen fëmijëve, të respektohen në të gjitha rrethanat". Misioni theksoi edhe përgjegjësinë e Shteteve "për të mbrojtur civilët nga efektet e armiqësive dhe për të forcuar llogaridhënien për shkeljet e rënda kryer kundër fëmijëve".
Dokumentohet rritja e shkeljeve të mbrojtjes së fëmijëve
Misioni i Selisë së Shenjtë vëren se raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara "ofron një pamje dekurajuese të vuajtjeve që pësojnë fëmijët në konfliktet e armatosura. Rritja e dokumentuar e shkeljeve të rënda nxjerr në pah nevojën urgjente që bashkësia ndërkombëtare t’i intensifikojë përpjekjet e saj për të mbrojtur viktimat më të cenueshme të luftës". E kjo, sepse fëmijët "vazhdojnë të mbajnë një pjesë disproporcionale të vuajtjeve shkaktuar nga konflikti i armatosur". Shumë prej tyre vriten ose plagosen "në vende që duhet të jenë strehë të sigurta, siç janë shtëpitë, shkollat, spitalet dhe vendet e adhurimit. Të tjerë jetojnë me pasojat e dhunës shumë kohë pasi luftimet kanë mbaruar, duke vuajtur trauma, paaftësi dhe humbje".
Rekrutimi, abuzimi dhe rrëmbimi i fëmijëve vazhdojnë
Selia e Shenjtë, vazhdon deklarata, "mbetet veçanërisht e shqetësuar për rekrutimin, shpërdorimin dhe rrëmbimin e vazhdueshëm të të miturve". Këto shkelje të rënda "i lënë fëmijët pa fëmijëri, i ndajnë nga familjet dhe bashkësitë dhe i lënë në dorë të dhunës e shfrytëzimit me pasoja afatgjata". Po aq shqetësuese janë "efektet e zhvendosjes, të ndarjes së familjes dhe ndërprerjes së arsimit e kujdesit shëndetësor", pasi i lënë fëmijët e panumërt "larg kushteve të nevojshme për mirëqenien dhe zhvillimin e tyre integral njerëzor". Vuajtje të tilla, thekson Selia e Shenjtë, "janë fyerje e rëndë kundër dinjitetit të dhuruar nga Zoti për çdo fëmijë, i cili meriton mbrojtje dhe kujdes e nuk mund të konsiderohet kurrë thjesht dëm kolateral në zhvillimin e luftës".
Përdorimi i sistemeve të armëve pa ekuipazh
Misioni i Përhershëm Vëzhgues i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më pas, shpreh shqetësimin e mëtejshëm në lidhje me "integrimin në rritje të teknologjive të reja ndër operacionet ushtarake", sepse përdorimi gjithnjë e më i përhapur i "sistemeve pa pilot, të mbështetura nga inteligjenca artificiale, ngre pyetje të thella, duke përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e të miturve". Ai citon Enciklikën e parë të Papës Leoni XIV “Magnifica Humanitas”, kur, në nr. 199, thotë se "çdo teknologji që lehtëson sulmet pa parë fytyrat e qenieve njerëzore e ul pragun moral të konfliktit". E ndërsa teknologjia mund t’i ndihmojë qeniet njerëzore në vendimmarrje, Misioni i Vëzhguesit komenton: "Nuk mundet ta zëvendësojë kurrë gjykimin moral, përgjegjësinë dhe llogaridhënien, që duhet të shoqërojnë vendimet, të cilat ndikojnë në jetën njerëzore".
Respektimi i Deklaratës për mbrojtjen e civilëve
Për të gjitha këto, si përfundim, Selia e Shenjtë i inkurajon Shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë, "të respektojnë Deklaratën politike për forcimin e mbrojtjes së civilëve nga pasojat humanitare të përdorimit të armëve shpërthyese në zonat e populluara".
Siç vërejti së fundmi Papa Leoni, rishtas në Magnifica Humanitas, në nr. 216, "kur jemi dëshmitarë të bombardimeve të civilëve, sulmeve kundër spitaleve, shkollave ose infrastrukturës jetike dhe akteve të dhunës kundër fëmijëve, gjindemi përballë shkandujve që plagosin vetë njerëzimin". Prandaj, bashkësia ndërkombëtare "nuk duhet të dështojë në përgjegjësinë e saj për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve të prekur nga armët shpërthyese". Përgjigja ndaj vuajtjeve të tyre do të jetë tregues si i angazhimit ndaj ligjit ndërkombëtar, ashtu edhe i respektit për dinjitetin njerëzor të dhuruar nga Zoti për çdo njeri”.