Kërko

Salla e Shën Palit VI gjatë punimeve të Sinodit. Salla e Shën Palit VI gjatë punimeve të Sinodit.

Sinodi, Kardinali Grech: një rrugëtim i gjatë dhe premtues

Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit kardinali Mario Grech hapi dje pasdite takimin e drejtuesve të organizmave kontinentale të Kishës, i cili përfundon nesër, 25 qershor, në Romë.

Vatican News

"Asnjëherë më parë një proces sinodal nuk ka ngjallur një vrull të tillë, një peshë të tillë", tha kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit, duke hapur takimin me drejtuesit e Takimeve Ndërkombëtare të Konferencave Ipeshkvnor pasdite vonë, të martën, më  23 qershor. Kardinali Grech, i cili shqyrtoi shkurtimisht përparimin e bërë deri tani, duke kujtuar natyrën e posaçme të procesit aktual, vuri në dukje se "ka shumë nisma të ndërmarra nga Kishat lokale (duke përfshirë shkollat ​​e sinodalitetit të krijuara për të mbështetur formimin; simpoziume, konferenca, programe dëgjimi dhe kundrimi) për të angazhuar besimtarët".

Sipas kardinalit Grech "do të jem vërtet i kënaqur vetëm kur të shoh se po lind një lëvizje e gjerë misionare, një shtytje e ripërtërirë që e shtyn Kishën të ecë përpara, të marrë parasysh rreziqet, të afrohet, të dëshmojë Ungjillin me liri dhe në mënyrë origjinale. Sepse, siç është pohuar shumë herë, qëllimi përfundimtar i kësaj kthese sinodale nuk është thjesht përmirësimi i proceseve të brendshme ose t'i bëjë strukturat tona  kishtare më pjesëmarrëse". Përkundrazi, bëhet fjalë për shpalljen e Jezu Krishtit, sikurse kujtohet në Dokumentin Përfundimtar të Sesionit të Dytë të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të XVI të Sinodit të Ipeshkvijve.

Sipas kardinalit Grech, "nëse sinodaliteti nuk çon në një angazhim misionar të ripërtërirë, nëse nuk i ndez zemrat dhe nuk i nxit njerëzit të veprojnë, nëse nuk krijon bashkësi që shpallin Krishtin me hare dhe çiltërsi, atëherë ai rrezikon të mbetet i paplotë". Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit kujtoi se ky mision është i lidhur ngushtë me tranzicionin nëpër të cilin Kisha është përshkuar që nga Koncili i Dytë i Vatikanit, duke propozuar një model Kishe që vlerëson kontekstet e larmishme shoqërore dhe kulturore në të cilat jetojnë dhe ku Kishat lokale kryejnë misionin e tyre.

"Këto fusha të larmishme – teologjike, liturgjike, baritore, disiplinore – nuk janë kërcënim për unitetin, por një nga kushtet e tij jetësore". Ato parandalojnë që "jeta kishtare të tkurret në një formë të vetme, një ndjeshmëri të vetme ose një model të vetëm kulturor. Sinodaliteti, në këtë kuptim", vazhdoi kardinali Grech, "nuk është thjesht një metodë organizative, por rruga përmes së cilës Kisha mëson të njohë, të mirëpresë dhe të integrojë zërat e shumtë si një dhuratë të Shpirtit Shenjt".

Një Kishë poliedrike

Kisha poliedrike, domethënë e shumëanshme, është propozuar jo vetëm nga Papa Françesku (Evangelii gaudium, 236), por edhe nga Papa Leoni XIV në enciklikën e tij të fundit «Magnifica humanitas». Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit, "imazhi i figurës gjeometrike të poliedrit, i pranuar nga të dy Papët, bëhet kështu një ikonë e vërtetë ekleziologjike: e vërteta unike e Ungjillit pasqyrohet në këndvështrime të shumëfishta, pa e humbur unitetin e saj; pasurohet nga shumësia e kulturave, përvojave dhe karizmave.

Kur zbatohet në sinodalitet, kjo logjikë flet në mënyrë të veçantë. “Udhëtimi sinodal", shtoi kardinali Grech, "nuk synon të pushtojë hapësira institucionale ose të ripërcaktojë ekuilibrat e pushtetit, por të lind dinamika të dëgjimit, të kundrimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët që, me kalimin e kohës, e shndërrojnë Kishën nga brenda. Është një proces që nuk i frikësohet diversitetit, por e mirëpret atë si një vend ku e vërteta e Ungjillit mund të jehojë në mënyra të reja dhe të papritura". Kardinali Grech e përfundoi fjalimin e tij duke kujtuar anën ekumenike të procesit sinodal të Kishës katolike.

Punimet vazhdojnë edhe sot, e mërkure, më 24 qershor, me seanca plenare dhe grupe pune, ku do të ketë edhe kohë që pjesëmarrësit të diskutojnë zhvillimet kryesore në zbatimin e Dokumentit Përfundimtar si dhe rolin e organeve kontinentale në ndihmë të Kishave lokale dhe grupimeve të Kishave, duke i kushtuar vëmendje të veçantë komunikimit.

Nesër pasdite, të enjten, më 25 qershor, Papa Leoni XIV do të takohet me pjesëmarrësit në Sekretariatin e Përgjithshëm të Sinodit.

24 qershor 2026, 14:11