Castel Gandolfo, Dioqeza e Albanos i dhuron Papës Leoni XIV një koncert në shenjë mirënjohjeje
Vatican News
Mbrëmjen e së shtunës, më 18 korrik, oborri i Pallatit Apostolik në Castel Gandolfo do të shndërrohet në një skenë të veçantë muzikore për të nderuar Papën Leoni XIV. Me nismën e Dioqezës së Albanos, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të jetë i pranishëm në një koncert simfonik që synon të shprehë afërsinë, dashurinë dhe gëzimin e bashkësisë dioqezane për praninë e tij gjatë qëndrimit veror në Castel Gandolfo.
«Dëshirojmë t'ia dhurojmë këtë mbrëmje muzikore Papës si një shenjë dashurie dhe bashkimi», shprehet ipeshkvi i Albanos, imzot Vincenzo Viva. Sipas tij, programi i përzgjedhur për koncertin e së shtunës përfshin vepra me bukuri të rrallë, ndërsa dëshira është që kjo mbrëmje të mbetet në kujtesë si një çast i veçantë, i jetuar në frymën e lutjes dhe të bashkimit me Papën dhe me misionin që i është besuar.
Koncerti do të hapet me "La Polacca" të Niccolò Paganinit, pjesë nga Koncerti nr. 3 për violinë dhe orkestër në Mi mazhor, që do të interpretohet nga violinisti me famë ndërkombëtare Marco Rogliano.
Më pas, pianistja Rossana Tomassi Golkar do të sjellë para publikut "Norma, një histori e pafund dashurie. Fantazi e lirë dhe variacione për piano dhe orkestër", një rishkrim i kryeveprës së Vincenzo Bellinit, realizuar nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Luis Bacalov. Interpretimi do të shoqërohet nga projeksione vizuale që do të ndjekin momentet më domethënëse të dramës së Bellinit, duke krijuar një dialog mes muzikës dhe imazhit.
Në skenë do të ngjitet edhe orkestra "I Musici di Parma", me 55 instrumentistë, nën drejtimin e dirigjentit Pier Carlo Orizio, drejtor artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Pianos në Brescia dhe Bergamo.
Koncerti, për të cilin vendet janë rezervuar tashmë të gjitha, është bërë i mundur falë mbështetjes së shumë bamirësve. Ipeshkvi i dioqezës së Albanos imzot Viva u shpreh mirënjohës për kontributin e tyre, si edhe për angazhimin e don Franco Ponchia, drejtor i Zyrës Dioqezane për Muzikën e Shenjtë, si dhe të personelit të Vilave Papnore të Castel Gandolfos dhe të Prefekturës së Shtëpisë Papnore, të cilët kanë bashkëpunuar në organizimin e kësaj mbrëmjeje të veçantë kushtuar Papës Leoni XIV.