Kërko

Piazza del Campidoglio, komuna e Romës, statuja e Marcus Aurelius Piazza del Campidoglio, komuna e Romës, statuja e Marcus Aurelius

“Deklarata e Romës”, një thirrje për paqe në epokën e inteligjencës artificiale dhe armëve bërthamore

Gjashtë pika përbëjnë tekstin e nënshkruar nga laureatë të çmimit Nobel, ekspertë dhe shkencëtarë me famë ndërkombëtare, udhëheqës fetarë dhe ish-kryetarë shtetesh e qeverish, të mbledhur sot, më 16 korrik, në Campidoglio në Romë. Veprimtaria përmbylli takimin e zhvilluar në Borgo Laudato si’. Çarmatimi, zhvillimi i përgjegjshëm i teknologjive të reja dhe angazhimi për të ndërtuar “një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse” janë boshti i kësaj deklarate.

Vatican News

“Njerëzimi ndodhet në një moment vendimtar të historisë së tij”. Me këto fjalë nis “Deklarata mbi Inteligjencën Artificiale dhe armët bërthamore. Drejt një paqeje të çarmatosur dhe çarmatosëse”, e nënshkruar paraditen e 16 korrikut në selinë e Bashkisë së Romës, në Campidoglio, në përfundim të takimit treditor të mbajtur në Borgo Laudato si’, në Castel Gandolfo, me titull: “Asambleja Botërore e Laureatëve të Çmimit Nobel mbi inteligjencën artificiale dhe luftën bërthamore”.

Në këtë ngjarje morën pjesë laureatë të Nobelit, ekspertë kryesorë të inteligjencës artificiale, ish-kryetarë shtetesh dhe qeverish, si dhe përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve kërkimore më të rëndësishme në botë.

Teksti i “Deklaratës së Romës” e përshkruan situatën aktuale si “një sfidë pa precedent”, e cila prek gjithë njerëzimin. Inteligjenca artificiale sjell mundësi të mëdha, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda, si humbje masive të vendeve të punës dhe rritje të konkurrencës ekonomike mes fuqive bërthamore. Kur përqendrohet në duart e pak vendeve dhe kompanive të mëdha, Inteligjenca artificiale mund të krijojë pabarazi të thella në shpërndarjen e pushtetit. Për shkak të zhvillimit të saj jashtëzakonisht të shpejtë, inteligjenca artificiale pritet të sjellë ndryshime të mëdha në fushën ekonomike, ushtarake dhe shoqërore.

Deklarata e Romës nënvizon se gara në rritje për armët bërthamore po shoqërohet me një “garë po aq të rrezikshme për inteligjencën artificiale”. Duke pranuar thirrjen e Papës Leoni XIV për të ndjekur “një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse”, nënshkruesit refuzojnë idenë se siguria mund të ndërtohet mbi frikën, dominimin, kërcënimin dhe shkatërrimin e ndërsjellë.

Në shërbim të njerëzimit

Në gjashtë pikat e dokumentit kërkohet që të ndalet gara e ardhshme e armatimeve, si në fushën e inteligjencës artificiale, ashtu edhe në atë bërthamore, përpara se këto teknologji të përcaktojnë fytyrën e shekullit të ardhshëm.

Një thirrje e fortë u drejtohet zhvilluesve të sistemeve të inteligjencës artificiale që të veprojnë në interes të njerëzimit, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu kërkohet që qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare të monitorojnë proceset plotësisht të automatizuara në sistemet e inteligjencës artificiale.

Një traktat ndërkombëtar për kontrollin e inteligjencës artificiale

“Vendimi përfundimtar për përdorimin e një arme bërthamore – thuhet në deklaratën e Romës – nuk duhet t’i besohet kurrë një sistemi të automatizuar”.

Për këtë arsye kërkohet miratimi i një traktati ndërkombëtar që të ndalojë përfshirjen e papërgjegjshme të inteligjencës artificiale në sistemet e komandimit, kontrollit dhe lëshimit të armëve bërthamore, duke garantuar që kontrolli njerëzor të mbetet gjithmonë real dhe i domosdoshëm.

Qëllimi është të parandalohet përdorimi keqdashës i inteligjencës artificiale në operacionet kibernetike dhe në sulmet ndaj infrastrukturave bërthamore.

“Ne promovojmë zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale – thuhet në tekst – për të përmirësuar mirëqenien njerëzore, për të përshpejtuar përparimin shkencor dhe mjekësor, për të mbrojtur mjedisin, për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërive dhe për të nxitur paqen, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të mirën e përbashkët”.

Krijimi i një të mire të përbashkët digjitale

Pjesët e fundit të deklaratës së Romës përqendrohen në nevojën për të krijuar rrugë të reja institucionale drejt një qeverisjeje globale të inteligjencës artificiale dhe për të nxitur në të ardhmen iniciativa të përbashkëta ndërkombëtare në këtë fushë.

Dokumenti mbështet iniciativa të frymëzuara nga koncepti i enciklikës Magnifica humanitas” i Papës Leoni dhe përkrah krijimin e një Paneli Shkencor Ndërkombëtar të Pavarur të Kombeve të Bashkuara mbi Inteligjencën Artificiale.

Nënshkruesit bëjnë thirrje për krijimin e një “të mire të përbashkët digjitale” (digital commons), që do të mundësonte mbledhjen dhe ndarjen e të dhënave të nevojshme për të kuptuar më mirë dhe për të ndërmarrë veprime efektive lidhur me armët bërthamore dhe inteligjencën artificiale.

Sipas deklaratës, bota përballet me kërcënime të shumta të ndërlidhura dhe pasojat e tyre shpesh bien mbi ata që nuk kanë qasje dhe as kontroll mbi teknologjitë që i krijojnë këto rreziqe.

Çarmatimi bërthamor

Në përfundim, deklarata e Romës kërkon me urgjencë nisjen e negociatave për të arritur “eliminimin e verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të armëve bërthamore”.

Ajo rikthen angazhimet e marra në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (TNP) dhe në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW). Shtetet ftohen të ndalojnë garën e armatimeve dhe të përqendrohen te dialogu, negociatat dhe respektimi i detyrimeve të marra.

“Vendet që zotërojnë armë bërthamore – thuhet në deklaratë – duhet të promovojnë politika dhe doktrina që zvogëlojnë gradualisht rolin e këtyre armëve, forcojnë stabilitetin strategjik dhe ulin rrezikun e përdorimit të tyre të parë dhe të një lufte me pasoja katastrofike”.

“Është në lojë – përfundojnë nënshkruesit – mbijetesa jonë dhe ajo e brezave të ardhshëm”.

16 korrik 2026, 14:03