Don Pier Luigi Stolfi emërohet Moderator Curiae i Dioqezës së Romës
Nga Vatican News
Papa Leoni XIV emëroi don Pier Luigi Stolfi, famullitar i famullisë Shën Linit, në Romë, në detyrën e Moderator Curiae të Dioqezës së Romës. Bëhet fjalë për një figurë të re drejtuese, e parashikuar në Motu Proprio Confirma Fratres Tuos, me të cilin Ati i Shenjtë Leoni XIV përditësoi Kushtetutën Apostolike In Ecclesiarum Communione, që rregullon organizimin e Vikariatit të Romës.
Në cilësinë e Moderator Curiae, don Stolfi do të ndihmojë kardinalin vikar Baldo Reina në ushtrimin e detyrës së tij, do të koordinojë veprimtarinë e zyrave të Vikariatit të dioqezës së Romës, do të mbikëqyrë strukturën administrative dhe do të kujdeset për përmbushjen e rregullt të detyrave të personelit.
Një meshtar me përvojë të gjatë baritore dhe administrative
Don Pier Luigi Stolfi, i cili më 14 shtator mbush 56 vjeç, është famullitar i famullisë Shën Linit, në lagjen Pineta Sacchetti të Romës, që nga viti 2020. Bashkësia famullitare që ai udhëheq numëron rreth dymbëdhjetë mijë besimtarë.
Përveç shërbimit të tij baritor, ai ka një përvojë të gjerë në administrimin e Dioqezës së Romës. Në vitin 2017 u emërua drejtor i Zyrës për Ndërtimin e Objekteve të Kultit, pasi kishte shërbyer për nëntë vjet si zëvendësdrejtor i së njëjtës zyrë. Ai ka qenë gjithashtu edhe përgjegjës për sektorin e Artit të Shenjtë dhe të Trashëgimisë Kulturore pranë Zyrës Administrative, sekretar i përgjithshëm i Opera Romana për Ruajtjen e Fesë dhe Ndërtimin e Kishave të Reja, si edhe përgjegjës i Pallatit të Lateranit. Në fushën e formimit meshtarak ka shërbyer edhe si zëvendësrektor i Seminarit të Madh Papnor Romak.
Një figurë e re në shërbim të Vikariatit
Edhe pse figura e Moderator Curiae është tashmë e njohur në disa dioqeza italiane, për Dioqezën e Romës kjo është një risi. Krijimi i saj përbën një nga ndryshimet më domethënëse të sjella nga Motu Proprio Confirma Fratres Tuos, botuar më 30 qershor.
Detyra e Moderatorit është të sigurojë një koordinim më të mirë të veprimtarisë së Vikariatit të dioqezës së Romës, duke mbështetur kardinalin vikar në drejtimin e përditshëm dhe duke favorizuar bashkëpunimin ndërmjet zyrave dhe sektorëve të ndryshëm.
Çfarë parashikon Confirma Fratres Tuos
Në dokumentin e tij, Papa Leoni XIV përcakton se Moderator Curiae «e ndihmon kardinalin vikar të dioqezës së Romës në ushtrimin e detyrës së tij». Ai emërohet nga Papa, me propozimin e kardinalit vikar, për një mandat pesëvjeçar, me mundësi ripërtëritjeje edhe për një mandat tjetër.
Dokumenti thekson gjithashtu se Moderatori «koordinon veprimtarinë e Vikariatit të dioqezës së Romës sipas udhëzimeve të kardinalit vikar» dhe «mbikëqyr përmbushjen e rregullt të detyrave që u janë besuar punonjësve».
Me këtë emërim, Papa Leoni XIV vazhdon procesin e ripërtëritjes së strukturave të Dioqezës së Romës, duke synuar një organizim gjithnjë e më të koordinuar, më efikas dhe më të orientuar ndaj shërbimit baritor të Kishës që ai, si Ipeshkëv i Romës, është i thirrur ta udhëheqë.