Kërko

Takimi Kombëtar i Komunikimeve Baritore në Brazil Takimi Kombëtar i Komunikimeve Baritore në Brazil

Dr. Ruffini, rruga tjetër është komunikimi i bazuar mbi dhuratën e vetvetes

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim foli dje, 24 korrik, në Shenjtëroren e Aparecidës, në shtetin brazilian të São Paulos, me rastin e hapjes së Takimit të nëntë kombëtar të komunikimeve baritore, brenda Konferencës ipeshkvnore braziliane, me titull "Ungjillëzimi në lëvizje: përmasa baritore e komunikimit"

Vatican News

Mbrojeni është fjala kyçe: "Mbrojeni bashkimin që na lidh, talentet e secilit, historitë, takimet, të mirën, të bukurën, perspektivën e shpëtimit, shpengimin, edhe kur gjithçka duket se po shkon keq". Përmes çdo forme komunikimi, ne jemi "dishepuj misionarë në lëvizje, domethënë në udhëtim". Por një udhëtim i ndryshëm nga ai që "e redukton gjithçka në llogaritje, biznes a marketing". Duke zgjedhur "një mënyrë tjetër për të parë, për të treguar, për të kujtuar, për të ndërtuar - e duke rrëfyer - të ardhmen". Kjo është "rruga tjetër" që Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për komunikim, Paolo Ruffini, e përshkroi në konferencën që u hap dje pasdite, më 24 korrik, në Shenjtëroren e Aparecidës, në shtetin brazilian të São Paolos. Ishte Takimi i 9-të Kombëtar i PASCOM (Ministria Baritore e Komunikimit brenda Konferencës Episkopale), me titull Ungjillëzimi në lëvizje: përmasa baritore e komunikimit.

Sfidat e kohës sonë

"Nuk mund të ndalemi, nuk mund të mbetemi prapa sfidave të kohës sonë", kujtoi Ruffini. Ekziston një drejtim, një qëllim për t'u arritur, që duhet bërë së bashku: "Është koha për të ndërtuar bashkim përmes të gjitha mjeteve të komunikimit, për të shpikur projekte bashkëpunuese, për të punuar" me ekipe që veprojnë në vende dhe qytete të ndryshme, "për të manifestuar unitetin në të cilin ekziston gjithçka, për të qenë gjithnjë e më shumë në shërbim të njëri-tjetrit, e për t'i ofruar botës një sistem global informacioni, të bazuar në kërkimin dhe ndarjen e së vërtetës".

Në reflektimin e tij të thellë mbi inteligjencën artificiale, prefekti pohoi: "Komunikimi ynë ka këtë cilësi të madhe e unike: nuk shet lidhje abstrakte, por reale, është vërtet në botë, nuk nxitet nga interesi ekonomik, por nga dashuria për të ndarë të mirën, të vërtetën, të bukurën. Edhe për ta ofruar atë si dhuratë". Komunikimi i themeluar mbi dhurimine vetes, mbi dëshminë, "ka vërtet fuqinë për të endur bashkësinë, për t’i lidhur njerëzit, për t'i bërë të marrin pjesë në një përvojë, për t'i çliruar nga izolimi dhe për t'i ndihmuar ta njohin veten si pjesë të një mjedisi mikpritës".

Komunikimi, mjet i përfshirjes

Ruffini citoi dy iniciativa konkrete për të treguar se si komunikimi mund të jetë mjet për përfshirje, ashtu si historitë mund të jenë "mënyrë e fuqishme për ta transformuar mënyrën se si i shohim të tjerët": Të ngrënit përtej ndarjes, me nëntitullin "A mund të ndihmojë thyerja e bukës së bashku në kapërcimin e dallimeve?", dhe Narrative4, me moton "distanca më e shkurtër ndërmjet dy njerëzve është histori". (Kjo përvojë u propozua për Jubileun, duke përfshirë 150 të rinj në grupe të vogla që tregojnë një histori me temën e "riparimit".) Janë takime ndërmjet njerëzve të vërtetë, vende ku mund të jesh pjesë e një grupi, e një komuniteti.

"Ndryshimi i rrëfimit duke orientuar drejt shpresës, duke njohur dinamizmin e së mirës, ​​duke ndezur zemrat dhe duke i drejtuar ato drejt bashkimit: ky është tharmi i krishterë, për të cilin bota ka kaq shumë nevojë", theksoi prefekti i Dikasterit të Vatikanit. Qëllimi është rrjet i krijuar jo për të zënë në kurth, por për të çliruar, për të ruajtur një bashkim njerëzish të lirë: "Vetë Kisha është rrjet i endur nga bashkimi eukaristik, ku uniteti nuk bazohet në pëlqime, por në të vërtetën, në atë Amen me të cilin çdo person bashkohet me Trupin e Krishtit, duke mirëpritur të tjerët".

Edukimi mbi përdorimin e medias

Ruffini, ndër grackat që duhen shmangur, paralajmëron kundër dezinformimit (të bërë me mirëbesim), "një shumëzues të pavetëdijshëm të lajmeve të rreme dhe fitimeve, që përfitojnë". Kjo lidhje, "e bazuar në indiferencën ndërmjet së vërtetës dhe gënjeshtrave, me të cilat mësohemi, duke u bërë një ingranazh në rrotën e saj, është hipnozë, kurth, rrjetë merimange që na burgos. E kundërta e saktë e një rrjeti çlirues të dijes dhe dashurisë". Edhe inteligjenca artificiale, ndërsa ofron mundësi të pabesueshme për dije, mund të prodhojë edhe injorancë të maskuar si dije, manipulim dhe kontroll. Kjo është arsyeja pse "arsimi është kaq i rëndësishëm, për të qenë në gjendje të dallojmë, të zgjedhim dhe të vendosim të jemi zotër të jetës sonë". E kjo është arsyeja pse kujdesi baritor i komunikimeve "duhet të bazohet në edukimin mbi përdorimin e medias".

Të ndryshohet paradigma

Nëse duam të ruajmë natyrën tonë njerëzore, shtoi Ruffini, "inovacioni teknologjik nuk mund të bazohet në një dimension të papjekur të së mirës së përbashkët". Një nga mesazhet qendrore të enciklikës Magnifica Humanitas të Papës Leoni XIV shërben si thirrje për veprimin e prefektit për bashkësinë katolike të komunikimit: "Jemi në një kohë ndryshimesh të mëdha; pyetja është nëse e lejojmë veten të udhëhiqemi nga rryma, apo ta udhëheqim vetë ndryshimin, nëse e lejojmë veten të biem në grackë nga rrjeta, apo t'i flakim rrjetat në anën tjetër".

Për të pranuar dhe kapërcyer sfidën, "na duhet një model që edukon rreth etjes, dëshirës dhe ëndrrës", për të "ndryshuar paradigmat", duke shkuar përtej "çdo teknikaliteti që e redukton komunikimin në lidhje, njohurinë në përgjigje të lehtë dhe sipërfaqësore, edukimin në fabrikë rezultatesh të menjëhershme të destinuara të zgjasin aq sa koha që u desh për t'i marrë ato". Sepse "komunikimi nuk është vetëm transmetim i mendimeve dhe i ndjenjave", por "dhuratë e vetvetes, e nxitur nga dashuria", ndërsa "dallimi ndërmjet komunikimit të makinerive dhe komunikimit njerëzor qëndron pikërisht në aftësinë për t’u dhuruar, gjë që makinat nuk e kanë”.

25 korrik 2026, 11:34