Kërko

2026.07.14 Il cardinale Zuppi in missione in Ucraina

Kardinali Zuppi me mision në Ukrainë: "Lufta të mbarojë shpejt"

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI) viziton vendin e Evropës Lindore për herë të dytë: një vizitë katër-ditore, përfshirë një ndalesë në Kiev. Përpara se të udhëtonte për në kryeqytetin ukrainas, kardinali, i shoqëruar nga nunci Kulbokas, shkoi në qendrën e paraburgimit Zakhid-1 në rajonin e Lvivit, ku mbahen ata që luftuan në ushtrinë ruse

Vatican News

Një mbajtëse çelësash, sepse "shpresoj që së shpejti do të vini në të çelësin e shtëpisë suaj, për ta hapur shtëpinë dhe për të përqafuar të afërmit tuaj". Pastaj fotografi-ikonë e Zojës Salus Populi Romani, "për të krishterët imazhi i Nënës sonë, por për të gjithë imazhi i shpresës". Së fundi, një fotografi e Papës, i cili "më dërgoi këtu për t'ju thënë se lutet për paqe dhe për t'i dhënë fund luftës". Këto janë tri dhuratat që kardinali Matteo Maria Zuppi - ose më saktë, "kardinali Matteo", siç e prezantoi veten - u solli të burgosurve të shumtë të Zakhid-1, një kamp burgu në rajonin e Lvivit, përgjatë kufirit me Poloninë. Është një nga pesë kampet në të gjithë vendin, që mbajnë luftëtarët e ushtrisë ruse, të kapur në fushën e betejës me ukrainasit.

Misioni i vitit 2023

Nga kjo strukturë filloi sot, më 14 korrik, vizita e dytë e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI) në Ukrainë, pas asaj të qershorit 2023, me mandatin e Papës Françesku, për të siguruar kthimin në shtëpi të fëmijëve dhe adoleshentëve, që Ukraina akuzon se janë marrë me forcë në Rusi, lirimin e të burgosurve (një mision për të cilin vetë Zelensky e ka falënderuar publikisht Selinë e Shenjtë) dhe riatdhesimin e kufomave.

Në qendrën e burgimit

Tri vjet pas atij misioni, Zuppi kthehet në Ukrainë. Ndalesa e parë e vizitës katër-ditore nuk është në kryeqytet - ku kardinali mbërrin në mbrëmje me makinë - por në ish-burgun sovjetik në rajonin e Lvivit, së bashku me nuncin apostolik Visvaldas Kulbokas dhe ambasadorin ukrainas në Selinë e Shenjtë, Andrii Yurash.

"Kardinali vizitoi një strukturë, që përmbush të gjitha standardet ndërkombëtare dhe është e hapur për këdo dëshiron të shohë kushtet në të cilat Ukraina mban të burgosurit", komenton Yurash në rrjetet sociale. Gjatë vizitës së tij, Zuppi vizitoi objektet e ndryshme të burgut: dushet e rinovuara së fundi, dhomat, dhomën e përbashkët me uniforma kamuflazh dhe kuti me sende personale, dyqanin ku vizitorët mund të bëjnë pazar, kishën e vogël brenda kampit dhe infermierinë. Pastaj përshëndeti të burgosurit, një e nga një, ardhur prej 53 kombeve të ndryshme.

Lutja e Papës

Më se një herë, kardinali - me ndihmën e një prifti ukrainas që përkthente - përsëriti arsyen e vizitës së tij: "Papa Leoni XIV më dërgoi mua dhe nuncin këtu për të dhënë shpresë për të ardhmen. Ai lutet për ju që lufta të mbarojë dhe të ktheheni në shtëpi". Kardinali nxorri dhuratat dhe ua shpërndau të burgosurve, duke siguruar lutje për ta. «Lutemi të gjeni së shpejti rrugën për në shtëpi, që e gjithë kjo të mbarojë dhe të filloni një jetë të re». «Por edhe këtu brenda, duhen risi», shtoi kardinali, duke treguar zemrën me gisht: «Duhet t’i largojmë të gjitha gjërat e këqija. Ju të gjithë keni parë shumë e shumë të këqija, gjëra që nuk duhen bërë, por Zoti gjithmonë na jep shpresë… Të mos e lejojmë kurrë të keqen të rritet në zemra dhe Zoti gjithmonë do të na ndihmojë ta largojmë të keqen».

14 korrik 2026, 16:37