Kërko

Lutja e Kryeipeshkvit Gallagher, i dërguari i Papës (i dyti nga e majta), para ikonës së Zojës së Shenjtë të Malit Karmel në Berdychiv (Ukrainë) Lutja e Kryeipeshkvit Gallagher, i dërguari i Papës (i dyti nga e majta), para ikonës së Zojës së Shenjtë të Malit Karmel në Berdychiv (Ukrainë)

Imzot Gallagher në Berdychiv: lutje për paqe në Ukrainë Zojës së Malit Karmel

Në Ukrainë, kryeipeshkvi sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, i dërguar i Leonit XIV me rastin e 35-vjetorit të rihapjes së objekteve të Kishës Katolike të ritit latin, kremtoi Meshën dje, e dielë, 19 korrik, në Shenjtëroren e Malit Karmel në Berdychiv. "Të lutemi së bashku për paqen, dhuratë nga Zoti", ishte ftesa e tij. Imzot Gallagher do të ketë disa takime institucionale dhe politike, edhe me ministrin e jashtëm në detyrë, si dhe me presidentin Zelensky.

Vatican News

Një shesh i mbushur me njerëz: më se 3.000 vetë mirëpritën kremtimet e 35-vjetorit të rihapjes së objekteve të Kishës Katolike të ritit latin në Ukrainë dje, më 19 korrik, në Shenjtëroren e Malit Karmel në Berdychiv, rreth dy orë larg me makinë në jugperëndim të Kievit. Familje, fëmijë, të rinj, por edhe shumë të moshuar dhe njerëz të sëmurë, mbushnin me gëzim lëndinën ku po kremtohej Mesha. Për herë të parë që nga fillimi i luftës, kremtimi po mbahej jashtë, nën një qiell të plumbtë që lëshoi disa reshje shiu vetëm pak minuta para se të fillonte. Moti i keq, megjithatë, u zbut gradualisht, duke ia lënë vendin përfundimisht një dielli të ngrohtë, të pazakontë për këto gjerësi gjeografike. Berdychiv është qyteti i njërit nga vendet më të shenjta për katolikët ukrainas, dhe jo vetëm kaq, por që, ndër kureshtjet e tij, në vitin 1857 numëron edhe vendlindjen e shkrimtarit britaniko-polak Joseph Conrad, i njohur veçanërisht për romanet dhe tregimet e tij të shkëlqyera, të tilla si "Lord Jim", "Zemra e errësirës" dhe "Vija e hijes".

Njëzet e pesë vjet, që nga vizita e Shën Gjon Palit II

Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare në predikimin e tij ishte në ditën e tij të katërt të misionit në vend, si i dërguar i posaçëm i Papës Leoni për këtë rast të veçantë i cili, në vitin 2026, të kujton 25-vjetorin e vizitës historike të Shën Gjon Pali II. Një mision "i dyfishtë", si baritor, ashtu edhe diplomatik, me shumë takime të planifikuara me autoritetet politike, theksoi  Kryeipeshkvi imzot Gallagher,në predikimin e tij. Mbi të gjitha, i mundësoi atij të "jetë në bashkim lutjeje me turmën, veçanërisht me të sëmurët dhe të vuajturit", dhe të lutet para Zojës Mari për dhuratën e paqes e të drejtësisë, veçanërisht për Ukrainën "e dashur".

"Nënë e Skapularit Shenjt të Malit Karmel, tani ju drejtohemi juve, përpara ikonës së mrekullueshme të nderuar këtu, me lutje lavdërimi që i lartojmë Zotit dhe me lutje që Ai të na japë paqen e Tij". Kjo, urata e imzot Gallagher në fillim të kësaj dite feste.

Një natë bombardimesh të rënda në Kiev

Paqe tejet e nevojshme për një vend të shkatërruar nga gati katër vjet e gjysmë lufte. Ndërmjet të shtunës dhe të dielës, Kievi u godit përsëri nga bombardime intensive: ndërmjet orës 1:25 dhe 2:45 të mëngjesit, sulme të dhunshme me raketa goditën disa lagje të kryeqytetit. Një njeri u vra e mbi një duzinë u plagosën, sipas autoriteteve. Shumë besojnë se ky ishte sulmi më i rëndë i këtij lloji gjatë konfliktit. Disa nga afërsisht 42 raketat balistike ruse, të lëshuara nga Bryansk, Kursk dhe Rostov, dhe rreth njëqind dronë, ranë gjithashtu në lagjen e nunciaturës apostolike, ku ndodhej Imzot Gallagher dhe delegacioni shoqërues, duke tronditur dyert prej xhami të ndërtesës dhe duke detyruar shumë nga stafi i saj - si dhe personin që nënshkruan këtë korrespondencë - të flinin në një strehë të caktuar posaçërisht.

Mbërritja në Kishën e Berdychiv dhe Procesioni me Zojen

I shoqëruar nga nunci apostolik në Kiev, imzot Visvaldas Kulbokas, Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet Imzot Gallagher mbërriti në manastirin e Karmelit, në rajonin e Zhytomyr, në Ukrainë, shpallur Shenjtore kombëtare - ndërtimi i saj daton që nga viti 1634, me urdhër të vojvodës së Kievit, Janusz Tyszkiewicz Łohojski, ndërsa shenjtërimi, nga viti 1642 - të dielën në mëngjes. E prisnin përfaqësues të autoriteteve dhe të trupit diplomatik të akredituar, si dhe mijëra shtegtarë nga pjesë të ndryshme të vendit. Mesha, e pasuruar me këngë prekëse në gjuhën ukrainase dhe e zbukuruar me tufa të ndryshme lulesh, duke përfshirë luledielli dhe trëndafila blu e të verdhë, u shoqërua në mënyrë të konsiderueshme nga të gjithë anëtarët e Konferencës së Ipeshkvijve katolikë të ritit latin dhe nga kreu i Kishës Greko-Katolike Ukrainase, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, i cili erdhi së bashku me besimtarë të tjerë katolikë të ritit lindor. Shumë prej të pranishmëve valëvitnin flamuj, disa ukrainas, disa polakë. Me qindra ulën kokat ndërsa procesioni që hapi festimet kaloi, me kryqin në krye dhe, më pas, me portretin e Zojës, Nënës së Zotit të Berdychiv. Më tej, pas pikturës së Zojës Mari, vijoi pamja e Nënës së Zotit të Berdychiv, në stilin e ikonës së lashtë "Salus Populi Romani", e nderuar në këtë tokë të paktën nga shekulli i 16-të.

Afërsia e Papës Leoni XIV

"Unë u bëj thirrje të gjithëve t’i mbajnë veçanërisht pranë zemrave të tyre ata që vuajnë më shumë nga lufta", kujtoi imzot Vitaly Kryvytsky, Ipeshkëv i Dioqezës së Kiev-Zhytomyr, në mesazhin e inaugurimit dhe përshëndetjes së mirëseardhjes. Më pas theksoi se si këta njerëz kanë më shumë nevojë për ndërhyrjen e Zotit dhe ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, e më pas shprehu fjalë mirënjohjeje për Papën.

Para se të shtjellonte fijen që lidh tre Leximet biblike të liturgjisë, Imzot Gallagher u drejtoi të gjithëve "përshëndetjet e Papës Leoni XIV" dhe i siguroi për "afërsinë e Tij shpirtërore". E, duke filluar predikimin e mbajtur italisht nga vetë i dërguari i posaçëm dhe të lexuar më pas në gjuhën ukrainase nga Ipeshkvi Eduard Kava i Kamyanets-Podilskyi, Imzot Gallagher pyeti - duke iu drejtuar të pranishmëve - nëse ka ndonjë që "më mirë se Zoti, Krijuesi dhe Shpëtimtari ynë", i njeh "shtigjet drejt paqes", i kupton "vuajtjet e njerëzimit", është "i aftë të rikthejë kuptimin e jetës sonë, duke na fuqizuar e duke na ripërtërirë"; ose ndonjë "më të mirë se Nëna e Zotit" për të na shoqëruar dhe për të ndërmjetësuar "për ne" para Zotit.

Fuqia e lutjes e paqja, dhuratë e Zotit

Në Librin e Mbretërve lexohet episodi i Elisë profet, i cili duhej ta lartonte lutjen e tij te Zoti shtatë herë para se të dëgjohej dhe të merrte përgjigje. Profeti u takua me Zotin në Malin Karmel dhe, për këtë arsye, është i sigurt se Ai do të japë "shi jetëdhënës për popullin dhe tokën e tij", e për këtë arsye, lutja e tij është këmbëngulëse. "Elia ka këmbëngulur tashmë gjatë një periudhe të pafund persekutimi njerëzor dhe vazhdon të tregojë këmbënguljen e besimin e tij deri në fund", kujton Kryeipeshkvi Gallagher. Prandaj, shohim se si "shembulli i Elisë na inkurajon që të mos dorëzohemi, e as të mos dëshpërohemi në kohë vështirësish, por t'i mbajmë lutjet tona të palodhura dhe shpresën tonë, te Zoti i gjallë". E nëse Zoti, në fragmentin biblik, nuk duket se jep përgjigje në fillim, në përpjekjen e shtatë të Elisë, Ai dërgon një shenjë: profeti shikon lart në qiell për herë të fundit dhe "sheh një re të vogël që ngrihet nga deti". E në atë çast, "e kupton se përgjigjja e Zotit vjen me begati, në formën e një shiu të rrëmbyeshëm". Kjo, theksoi imzot Gallagher , "na bën të kuptojmë se hiret e vërteta dhe të begata mund të vijnë vetëm nga Zoti. Si paqja që kërkojmë", e cila është mbi të gjitha "dhuratë nga Zoti". Mos e braktisni kurrë këmbënguljen, e as shpresën, shtoi ai, sepse "e vetmja gjë që Zoti pret nga ne është besimi, së bashku me veprimet tona të drejta dhe pendimin për mëkatet, si dhe lutja e përvuajtur dhe besimplotë". Pjesa tjetër e homelisë i kushtohet Zojës sonë. Ngaqë nëse Elia në Lexim lutet për popullin e tij, "tani kemi të njëjtën Nënë të Zotit, që lutet për ne", e asaj "ia besojmë nevojat tona".

Ndërmjetësimi i Nënës së Zotit për ne

Lutja e sotme, theksoi Imzot Gallagher, përfshin edhe "një kërkesë për falje, për mungesën tonë të besimit në Zotin dhe në fuqinë e ndërmjetësimit të Virgjërës Mari". Nëse Maria është me të vërtetë shembulli se si t'i bindemi Zotit, duke ndjekur besnikërisht me të rrugën që Ai e ka përgatitur për të, pyetja është, madje dhe veçanërisht në kohën e vështirë të tanishme, nëse jemi gati të ndjekim plotësisht shembullin që na tregoi Nëna e Zotit. Dhurata e Marisë si Nënë na zbulohet në fragmentin nga Ungjilli i Gjonit. Është "vetë Jezusi ai, që na beson asaj si Nënë": "Kjo përbën për ne një dhuratë dhe një privilegj të madh, por edhe detyrën tonë ndaj Nënës së Zotit". E "sa më shumë të bëhemi të vetëdijshëm për këtë dhuratë", aq më i ndjeshëm bëhet ndërmjetësimi i saj për ne. Kremtimi në Shenjtëroren karmelitane është, pra, edhe një kohë për të ripërtërirë vendosmërinë tonë e për t'ia besuar veten Marisë me besim, sepse - vazhdoi Kryeipeshkvi Gallagher - i Ligu, Djalli jo vetëm mbjell "urrejtje, përçarje dhe vdekje ndërmjet njerëzve", por edhe luan me tundimet e tij, duke na shtyrë "drejt çkurajimit, dëshpërimit dhe zhgënjimit, veçanërisht kur ndihemi të braktisur e askush në botë nuk na vjen në ndihmë e as na mbron".

Asgjë nuk duhet ta shkatërrojë dashurinë, shpresën dhe besimin në Zotin

Në Leximin II, nga Letra drejtuar Galatasve, Pali Apostull flet për "dinjitetin tonë si bij të Zotit", falë të cilit ne "nuk jemi skllevër të dobësive tona fizike, të varfërisë sonë, pavarësisht nga shkaqet personale dhe kolektive për të cilat na mungon ushqimi, uji, energjia elektrike dhe ngrohja në dimër", shpjegon imzot Gallagher. Sepse "askush nuk është i aftë të na zvogëlojë dinjitetin tonë në sytë e Zotit; as djalli i luftës, që na sulmon". Por vetëm "kur jemi vërtet të vetëdijshëm se jemi bijtë e Zotit dhe të Nënës së Zotit, askush nuk është i aftë të na trishtojë thellë, as kur vajtojmë me hidhërim të vdekurit tanë".

Ky është inkurajimi që imzot Gallagher ofroi gjatë predikimit të tij, si dhe ftesa për të mos lejuar "lotët e çastit të tanishëm të shkatërrojnë besimin, dashurinë dhe shpresën që vetë Zoti e ka mbjellë ndër ne, pikërisht sepse asnjë luftë dhe asnjë vdekje nuk mund ta zvogëlojë dashurinë e Zotit për ne dhe hiret që Ai na i ka dhuruar". I dërguari i Papës Leoni përfundon më pas me një lutje drejtuar Zojës sonë të Berdychiv:

Nënë e Zotit e nderuar në ikonën e Berdychiv dhe Nënë e Shpresës, ndërmjetësoni për Ukrainën, ndërmjetësoni për Kishën Katolike dhe për të gjitha Kishat e komunitetet fetare në këtë vend. Ndërmjetësoni për autoritetet shtetërore që përballen me sfida të shumta në këtë periudhë. Ndërmjetësoni për ata që janë në vijën e parë, ndërmjetësoni për të vdekurit dhe të plagosurit. Lutuni për të gjithë ne, që nëpërmjet besimit dhe veprave tona të drejtësisë dhe të paqes, dinjiteti ynë i vërtetë si bij të Zotit të shkëlqejë. Ndërmjetësoni për ne, mëkatarë të varfër, që Zoti i mëshirshëm të japë paqen që dëshirojmë kaq shumë këtu në Ukrainë dhe në kaq shumë pjesë të tjera të botës!

Dhuratat e të rinjve. Për ta, "afërsia e Papës është një gëzim".

Në lutjet e besimtarëve, ishte edhe një lutje që të krishterët të ruhen nga grumbullimi i urrejtjes në zemrat e tyre. Në fund të Meshës, disa të rinj dhe të reja i dhanë Imzotit Gallagher lule dhe një figure prej druri të Zonjës sonë të Berdychiv.

"Është gëzim që Papa është pranë Ukrainës dhe popullit të saj", thonë të emocionuar. "Me të këtu, ne ndiejmë se Kisha është bashkësi e bashkuar".

Pastaj erdhën fjalët përshëndetëse të Presidentit të Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Ukrainës, Fortlumturisë së Tij Sviatoslav Shevchuk, Kryeipeshkvit të Madh Katolik Grek të Kiev-Halych, përfaqësuesve të administratës lokale dhe Provincialit të Karmelitanëve në Ukrainë. Në fund, ikona e Zojës Mari u vendos përsëri në baldachin dhe u soll në Kishë, ku Kryeipeshkvi imzot Gallagher, ipeshkvijtë dhe meshtarët bashkëpunues nisën lutjen për disa minuta të tjerë.

Takimet e 20 korrikut

Dje pasdite, rikthimi në Kiev ku i dërguari i Papës imzot Gallagher u takua me përfaqësues të Këshillit gjithë-Ukrainas të Kishave dhe Organizatave fetare. Sot, 20 korrik, takime me udhëheqës politikë ndërmjet të cilëve Ministri i Jashtëm në detyrë, Andriy Sybiha dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

20 korrik 2026, 12:16