Kërko

Kremtimi në Ecône me shugurimin episkopal të katër ipeshkvijve të rinj të Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X pa mandat papnor Kremtimi në Ecône me shugurimin episkopal të katër ipeshkvijve të rinj të Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X pa mandat papnor

Në Ecône, lefebvrianët shugurojnë katër ipeshkvij të rinj pa mandat papnor

Në Zvicër, në selinë qendrore të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X, kremtimi i udhëhequr nga ipeshkvijtë de Galarreta dhe Fellay me ritin e shugurimit episkopal. Mijëra njerëz të pranishëm. Eprori Pagliarani: "Ditë historike, ndonjë ndëshkim apo censurë e mundshme ndaj këtij akti nuk ka asnjë vlerë për ne"

Vatican News

Në Ecône të Zvicrës, në selinë qendrore të Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X (FSSPX), sot, më 1 korrik, u shuguruan katër ipeshkvij të rinj pa mandatin e Papës. Ceremonia u kryesua nga ipeshkvijtë Alfonso de Galarreta dhe Bernard Fellay, sipas ritit të shugurimit ipeshkvnor, në praninë e mijëra besimtarëve.

Ky veprim u krye pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Selisë së Shenjtë për të shmangur një përçarje të re në Kishë. Vetëm dy ditë më parë, Papa Leoni XIV, në një letër drejtuar Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, kishte bërë apel që të mos "shqyhej petku i Krishtit", ndërsa prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, kardinali Victor Manuel Fernández, kishte paralajmëruar për pasojat e një veprimi të tillë.

Lefebvrianët, ndjekës të imzot Marcel Lefebvre, e justifikuan shugurimin duke pohuar se ai është i domosdoshëm për të siguruar vazhdimësinë dhe mbijetesën e bashkësisë së tyre. Megjithëse gjatë ritit kandidatët iu përgjigjën me "po" pyetjes liturgjike: "A e keni mandatin apostolik?", shugurimi u krye pa autorizimin e Papës.

Në kremtim morën pjesë mbi një mijë meshtarë, rregulltarë e rregulltare, si edhe rreth 15 mijë besimtarë laikë. Ceremonia u zhvillua në një strukturë të përkohshme pranë seminarit të Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X dhe u transmetua drejtpërdrejt në gjashtë gjuhë përmes faqes zyrtare të Vëllazërisë.

Katër ipeshkvijtë e rinj janë: zvicerani Pascal Schreiber, amerikani Michael Goldade dhe francezët Michel Poinsinet de Sivry e Marc Happier. Shugurimin e kryen ipeshkvijtë Alfonso de Galarreta dhe Bernard Fellay, dy nga katër ipeshkvijtë e shuguruar nga imzot Marcel Lefebvre në vitin 1988.

Në fillim të liturgjisë, eprori i Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, don Davide Pagliarani, deklaroi se anëtarët e saj janë "të gatshëm të paguajnë çdo çmim për ta shpëtuar Kishën". Ai e cilësoi situatën si "krejtësisht të jashtëzakonshme", duke pretenduar se autoritetet kishtare, që nga Koncili II i Vatikanit e deri më sot, kanë mbajtur qëndrime në kundërshtim me fenë dhe traditën e shenjtë. Sipas tij, transmetimi i hirit ipeshkvor ishte një detyrë e rëndë dhe çdo dënim apo censurë që mund të rrjedhë nga ky akt "nuk ka asnjë vlerë".

Për lefebvrianët, kjo ishte "një ditë historike" dhe një festë. Për Kishën Katolike, megjithatë, dita shënon rihapjen e një plage të vjetër: asaj të përçarjes.



01 korrik 2026, 12:24