Një medalje në emër të Papës Leoni XIV për ata që kujdesen për shtëpinë tonë të përbashkët
Vatican News
Një nismë e re ndërkombëtare do të vërë në qendër të vëmendjes ata që, me punën dhe përkushtimin e tyre, kontribuojnë për një botë më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më njerëzore. Universiteti katolik augustinian Villanova, në Pensilvani (afër Filadelfias) në SHBA-së, ku Papa Leone XIV – atëherë Robert Prevost – u diplomua në Matematikë në vitin 1977, ka themeluar Medaljen "Papa Leoni XIV për Qëndrueshmërinë", një vlerësim që do të jepet çdo dy vjet për figura dhe organizata që promovojnë ekologjinë integrale, përgjegjësinë ndaj krijimit dhe zhvillimin e gjithanshëm të njeriut.
Medalja e parë do të dorëzohet nga vetë Ati i Shenjtë Prevost në tetor të vitit 2026, në përfundim të Konferencës Ndërkombëtare për Qëndrueshmërinë, që Universiteti Villanova do të organizojë nga 12 deri më 15 tetor ndërmjet Romës dhe Borgo Laudato Si' në Castel Gandolfo. Fituesi do të shpallet një muaj më herët, ndërsa ceremonia solemne do të zhvillohet në vendin që Papa Françesku deshi ta kthente në një laborator të edukimit për kujdesin ndaj krijimit.
Nisma synon të nderojë ata që e kuptojnë qëndrueshmërinë jo vetëm si mbrojtje të mjedisit, por si një angazhim që bashkon kujdesin për natyrën me drejtësinë shoqërore, mbrojtjen e më të pambrojturve dhe administrimin e përgjegjshëm të burimeve. Pikërisht ky vizion i ekologjisë integrale, i frymëzuar nga mësimi shoqëror i Kishës katolike, e dallon këtë medalje nga çmimet e tjera ndërkombëtare.
Rektori i Universitetit Villanova, Atë Peter M. Donohue, theksoi se medalja shpreh bindjen e thellë të universitetit se kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe kujdesi për njëri-tjetrin janë të pandashëm. Duke vlerësuar ata që punojnë njëkohësisht për mbrojtjen e mjedisit dhe të mirën e përbashkët, shtoi Atë Donohue, synohet të frymëzohen komunitete në mbarë botën për një angazhim afatgjatë në shërbim të njerëzimit.
Lidhja e Universitetit Villanova me Papën Leoni XIV është e veçantë. Pikërisht në këtë institucion augustinian Robert Prevost mori diplomën universitare në Matematikë në vitin 1977, ndërsa në vitin 2014 iu dha titulli Doctor Honoris Causa në Shkencat Humane. Krijimi i medaljes "Papa Leoni XIV për Qëndrueshmërinë" përfaqëson edhe një homazh ndaj këtij rrugëtimi akademik e shpirtëror, duke e lidhur emrin e Papës Prevost me promovimin e një kulture globale të kujdesit dhe të përgjegjësisë.
Konferenca ndërkombëtare, me temën "T'i përgjigjemi britmës së Tokës dhe britmës së të varfërve", pritet të mbledhë rreth 300 pjesëmarrës, ndër ta studiues, punonjës kërkimorë-shkencorë, përfaqësues të Kishës, fondacione dhe drejtues institucionesh publike e private. Qëllimi është të kalohet nga reflektimi në veprim konkret, duke ndërtuar ura bashkëpunimi përballë sfidave ekologjike dhe sociale të kohës sonë.
Veprimtaria frymëzohet nga enciklikat Laudato Si' dhe Laudate Deum të Papa Françeskut, si edhe nga mësimet e Papa Leoni XIV, veçanërisht nga thirrja e tij për kujdes ndaj të varfërve dhe të përjashtuarve. Në këtë mënyrë, konferenca dëshiron të nxisë kërkime dhe iniciativa të reja që bashkojnë shkencën, etikën dhe fenë në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm e të denjë për çdo njeri.
Duke përshëndetur krijimin e medaljes, kardinali Fabio Baggio, drejtor i përgjithshëm i Qendrës së Formimit të Lartë Laudato Si', vlerësoi se ky çmim nderon njerëzit që me jetën dhe veprën e tyre dëshmojnë lidhjen e pandashme ndërmjet kujdesit për krijimin dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Sipas tij, shembulli i tyre do të frymëzojë brezat e ardhshëm të jetojnë një ekologji integrale që u përgjigjet, me shpresë, si britmës së Tokës, ashtu edhe britmës së të varfërve.