Kërko

Një konferencë në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (foto arkivore) (Vatican Media) Një konferencë në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (foto arkivore) (Vatican Media)

Papa: në shtator do të vizitojë Bibliotekën Apostolike dhe do të përurojë ekspozitën "Aqva" kushtuar ujit

Papa do të vizitojë ekspozitën e parë të një cikli të titulluar "Katastrofë dhe mrekulli". Veprat e tre krijuesve bashkëkohorë – artistit JR, tipografit Bill Moran dhe shefit të kuzhinës Fulvio Pierangelini – do të shtjellojnë një reflektim kushtuar ujit, i paraqitur si kërcënim ashtu edhe si burim. Ekspozita "Aqva" do të jetë e hapur për t'u vizituar deri më 14 maj 2027.

Vatican News

Më 14 shtator, Papa Leoni XIV do të vizitojë Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, ku do të përurojë kapitullin e parë të ciklit të ekspozitave "Katastrofë dhe mrekulli", me titull "AQVA". Në këtë ekspozitë, veprat e tre krijuesve bashkëkohorë – artistit JR, tipografit Bill Moran dhe shefit të kuzhinës Fulvio Pierangelini – do të hyjnë në dialog me thesarin dhe ambientet e Bibliotekës së Papës, në një reflektim mbi ujin si kërcënim dhe si burim jete.

Organizatorët shpjegojnë se cikli i ekspozitave "Katastrofë dhe mrekulli", i realizuar me mbështetjen e Fondacionit Roma, me të cilin do të nisë një partneritet institucional trevjeçar, si edhe të Intesa Sanpaolo, përfaqëson një kapitull të ri në historinë shekullore të misionit të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit për ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore.

Ky projekt i kushtohet një reflektimi mbi elementet natyrore si pasqyrim i frikërave dhe shpresave të njerëzimit. Të njëjtët elementë, që përbëjnë një nga kërcënimet kryesore për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe, rrjedhimisht, të kujtesës kolektive, shndërrohen në një alegori universale të shqetësimeve të mëdha të njeriut përballë gjithçkaje që i shpëton kontrollit të tij.

"Biblioteka Apostolike, së bashku me Arkivin Apostolik, është e lumtur ta mirëpresë Atin e Shenjtë, Papën Leoni XIV, i cili do të inaugurojë ciklin e ekspozitave 'Katastrofë dhe mrekulli'. Këto ekspozita synojnë të nxisin dialogun ndërmjet artit bashkëkohor dhe trashëgimisë shumë shekullore të Bibliotekës së Vatikanit. Në raste të ndryshme, Papa Leoni XIV ka theksuar rëndësinë e besnikërisë ndaj së kaluarës dhe ndaj së ardhmes. E tashmja, përfshirë edhe të tashmen e kësaj ekspozite, mund të bëhet shtëpia ku e kaluara dhe e ardhmja takohen si miq. Me misionin që i është besuar, Biblioteka Apostolike – do të thotë Biblioteka e Apostullit, Biblioteka e Papës – dëshiron të japë kontributin e saj në ndërtimin e kësaj shtëpie", u shpreh bibliotekari dhe arkivisti i Kishës, imzot Giovanni Cesare Pagazzi.

Nga ana e tij, prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, don Mauro Mantovani, kujtoi suksesin e madh të ekspozitës "En Route" në vitin 2025, si nga kritika ashtu edhe nga publiku. "Ky sukses na ka bërë edhe më të guximshëm e më kureshtarë për të eksperimentuar forma të reja dialogu me botën bashkëkohore, të bindur për aktualitetin e trashëgimisë që ruajmë dhe për rëndësinë e promovimit të saj edhe sot. Te Fondacioni Roma dhe Intesa Sanpaolo kemi gjetur të njëjtin vizion dhe të njëjtën thellësi shpirtërore, prandaj ishte e natyrshme të bashkëpunonim. Po aq frytdhënës ka qenë edhe bashkëpunimi me Guvernatoratin e Shtet Qytetit të Vatikanit dhe me dikasteret e tjera të Selisë së Shenjtë", deklaroi don Mantovani.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në maj 2027

"Pika e nisjes për të gjithë ciklin e ekspozitave ishte traktati bibliofil 'Del furore d'aver libri' (1756) i Gaetano Volpit, ku renditen rreziqet që kërcënojnë ruajtjen e librave: nga uji te zjarri, nga drita te kafshët, deri te dëmet që vetë njeriu është në gjendje t'i shkaktojë trashëgimisë së tij kulturore. Me bindjen se, përballë frikës, është më e mençur të ndalemi dhe ta përshkojmë atë, kërkuam ndihmën e tre krijuesve me talent të jashtëzakonshëm – një artisti, një tipografi dhe një shefi kuzhine – dhe zbuluam horizonte të papritura pikërisht në atë që zakonisht na frikëson.

Ekspozita 'AQVA' është gjithashtu edhe një rast për të kremtuar 470-vjetorin e botimit të traktatit të mrekullueshëm mbi peshqit, të hartuar nga mjeku Ippolito Salviani, i cili u botua në Romë më 1557 me nismën dhe me shpenzimet e Bibliotekës së Vatikanit", shprehet don Giacomo Cardinali, zëvendësprefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit dhe komisioner për veprimtaritë ekspozuese.

Ekspozita  'AQVA' do të hapet për publikun më 25 shtator dhe do të jetë e vizitueshme, në ditë të caktuara të javës, deri më 14 maj 2027.

15 korrik 2026, 11:40