Kërko

Kardinali Lazzaro You Heung-sik Kardinali Lazzaro You Heung-sik

Paraguaj, në Ditët Kombëtare të Klerit, kardinali You: të kthehemi te thelbi i thirrjes meshtarake

Meshtarë të ardhur nga dioqezat e të gjithë Paraguajit morën pjesë në një tërheqje shpirtërore të përqendruar në formimin, lutjen dhe bashkësinë vëllazërore, të organizuar nga Zyra Kombëtare e Baritores Meshtarake, e cila përfundon sot. Në këtë rast u përcoll edhe mesazhi i prefektit të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Klerin, i cili solli afërsinë dhe përshëndetjen e Papës

Vatican News

Në një botë që ndryshon me shpejtësi, ku sekularizimi, kultura digjitale dhe transformimet shoqërore po sfidojnë gjithnjë e më shumë jetën e Kishës, meshtari është i thirrur të mos humbasë kurrë atë që është thelbësore: marrëdhënien e tij me Krishtin. Ky ishte mesazhi që kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Klerin, u drejtoi meshtarëve të Paraguajit me rastin e Ditëve Kombëtare të Klerit, të mbajtura nga 13 deri më 16 korrik.

Në Seminarin e vendit "Zoja e Madhe", meshtarë nga të gjitha dioqezat e vendit u mblodhën jo vetëm për të ndjekur sesione formimi, por edhe për të jetuar ditë lutjeje, reflektimi dhe bashkësie vëllazërore. Në qendër të takimit ishte pyetja mbi identitetin e meshtarit dhe mënyrën se si ai mund ta jetojë me besnikëri shërbesën e tij në kohën e sotme.

Përmes mesazhit të tij, kardinali You përcolli afërsinë dhe bekimin e Papës Leoni XIV për të gjithë meshtarët e Paraguajit. Ai vuri në dukje se Letra Apostolike "Një besnikëri që lind të ardhmen", e Papës, dhe Letra baritore e ipeshkvijve të Paraguajit mbi të mirën e përbashkët, të dyja të nënshkruara më 8 dhjetor 2025, ndajnë të njëjtin vizion: besnikëria ndaj thirrjes meshtarake dhe përkushtimi për të mirën e përbashkët burojnë nga Zemra e Krishtit, Bariut të Mirë.

Meshtari, kujtoi kardinali You, nuk është një funksionar fetar dhe as një administrator i strukturave kishtare. Ai është një njeri i shndërruar nga sakramenti i Urdhrit Shenjt, i thirrur ta bëjë Krishtin të pranishëm në jetën e popullit përmes një shërbese të përulur, bujare dhe të dhuruar plotësisht.

Por kjo rrugë nuk është pa rreziqe. Duke u mbështetur në mësimet e Papës Leoni XIV, prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Klerin paralajmëroi për tundimet që mund ta zbehin bukurinë e meshtarisë: dëshirën për t'i matur frytet vetëm me sukseset baritore, lodhjen që shndërrohet në dorëzim përballë vështirësive dhe një jetë shpirtërore që humbet zjarrin e saj. Meshtaria, theksoi kardinali You, nuk është një karrierë për t'u ndërtuar, por një dhuratë për t'u jetuar sipas shembullit të Krishtit, i cili erdhi në botë jo për t'u shërbyer, por për të shërbyer.

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Klerin i ftoi meshtarët të vazhdojnë të ecin pranë njerëzve, sidomos pranë të varfërve, familjeve, të rinjve dhe atyre që jetojnë në skajet e shoqërisë. Ai kujtoi gjithashtu se dëshmia e meshtarëve nuk kufizohet në altar, por shprehet në promovimin e drejtësisë, të së vërtetës dhe të dinjitetit të njeriut, gjithmonë në dritën e Ungjillit dhe të mësimit shoqëror të Kishës.

Një vend të veçantë në reflektimin e kardinali You zuri edhe kujdesi për thirrjet meshtarake. Nuk janë fushatat apo strategjitë ato që lindin thirrje të reja, por jeta e meshtarëve që rrezatojnë gëzim, besnikëri dhe dashuri për Krishtin. Kur një bashkësi jeton me lutje dhe me fe të gjallë, ajo bëhet tokë ku Zoti vazhdon të mbjellë fara të reja thirrjesh të shenjta.

Në fund, kardinali You ia besoi të gjithë meshtarët, ipeshkvijtë dhe seminaristët e Paraguajit mbrojtjes së Zojës së Caacupés, mbrojtëses qiellore të vendit, dhe shenjtorëve të Kishës paraguajane. Mirënjohja e tij shkoi për të gjithë ata që, çdo ditë, shërbejnë në famulli, në bashkësitë rurale, në periferitë e qyteteve, pranë të sëmurëve, të varfërve dhe të rinjve. Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Klerin uroi që secili prej meshtarëve të mbetet një bari i shenjtë, besnik dhe i lumtur, sepse vetëm një zemër e lidhur fort me Krishtin është në gjendje të ndërtojë të ardhmen e Kishës.

16 korrik 2026, 13:04