Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin

Vatikan: Kardinali Parolin, guximi i paqes kundër kulturës së forcës

Sekretari i Shtetit i Vatikanit rikujton ngjarjet që kanë shënuar përvojën e tij diplomatike: “Sot bota e ka zëvendësuar fuqinë e së drejtës me të drejtën e forcës. Por lufta ka gjithmonë një alternativë”.

Vatican News

“Paqja kërkon guxim. Mbi të gjitha, guximin për të mposhtur vetveten”. Me këto fjalë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për të përditshmen italiane Avvenire, bëri thirrje për një angazhim të përbashkët në mbrojtje të paqes.

“Gjatë këtyre viteve, madje edhe kohët e fundit, më ka ndodhur që shumë autoritete të më thonë se pajtohen me qëndrimin e Selisë së Shenjtë për paqen”, tha kard. Parolin. “Përgjigjja ime është gjithmonë e njëjtë: atëherë shpreheni publikisht, ngrini zërin dhe bashkojeni atë me të gjithë ata që ndajnë të njëjtin vizion. Guximi për paqen lind dhe forcohet së bashku. Ka edhe njerëz që kryejnë gjeste të jashtëzakonshme, shpesh larg vëmendjes së publikut, por një zë i përbashkët është vendimtar për të krijuar alternativa ndaj dhunës”.

Sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, bota po kalon një moment tejet të vështirë, pasi është dobësuar rendi ndërkombëtar i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. “Pas tragjedive të dy luftërave botërore, udhëheqësit ndërkombëtarë kuptuan se ishte e domosdoshme të ndërtohej një sistem që do të parandalonte përsëritjen e katastrofave të tilla. Pavarësisht mangësive, ai rend siguroi një periudhë relativisht të gjatë paqeje, sidomos në Evropë”, u shpreh ai.

Kardionali Parolin theksoi se sistemi shumëpalësh, i njohur si multilateralizëm, kishte për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve përmes dialogut dhe mekanizmave të përbashkët. “Sot, në vend të tij, po fiton terren kultura e forcës, siç thekson edhe Papa Leoni XIV në dokumentin Magnifica humanitas. Fuqia e së drejtës po zëvendësohet nga e drejta e më të fortit”.

Duke folur për perspektivën e paqes, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u shpreh optimist, por realist. “Paqja është e mundur dhe duhet ta besojmë këtë. Megjithatë, ajo ndërtohet çdo ditë, me durim dhe përkushtim, siç thoshte Papa Françesku. Nuk prodhohet në seri dhe nuk ndërtohet nga institucione të mëdha, por nga angazhimi i secilit për ta shndërruar konfliktin në një mundësi për dialog, pajtim dhe zhvillim të marrëdhënieve njerëzore e shoqërore”.

I pyetur për negociatat që e kanë vënë më shumë në provë, kardinali Parolin u ndal te lufta në Ukrainë. “Negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila vazhdon prej më shumë se pesë vitesh, fatkeqësisht ende nuk kanë nisur realisht. Ndërkohë, Selia e Shenjtë mbetet e angazhuar në ndihmën humanitare, kthimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia dhe shkëmbimin e të burgosurve”.

Sa i përket Lindjes së Mesme, kardinali Parolin tha se problemi themelor mbetet çështja palestineze. “Selia e Shenjtë e ka njohur prej më shumë se dhjetë vitesh zgjidhjen me dy shtete, përmes marrëveshjes së nënshkruar me Palestinën. Pas tragjedisë së Gazës, edhe shumë shtete të tjera kanë ndërmarrë të njëjtin hap. Megjithatë, situata në terren po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, pasi territori i Bregut Perëndimor, ku duhet të krijohet shteti palestinez, po zvogëlohet nga zgjerimi i vendbanimeve izraelite. Është një situatë tepër komplekse dhe rruga drejt zgjidhjes duket e vështirë, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston. Ndoshta nevojitet më shumë krijimtari dhe guxim politik”.

14 korrik 2026, 16:55