Kërko

Ruajtja e kujtesës fotografike të një Pape, që bëri histori

Në pritje të pesëdhjetëvjetorit të zgjedhjes së Shën Gjon Palit II, filloi projekti për dixhitalizimin e arkivit të tij fotografik: një iniciativë e Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, që synon ruajtjen dhe përmirësimin e një trashëgimie të jashtëzakonshme prej miliona imazhesh, që kanë rrëfyer dhe kanë shënuar një epokë

Vatican News

         Nëse teknologjia arkivon të dukshmen, njerëzit ruajnë të padukshmen. Në këtë rast, është fjala për historinë gati tre-dekadëshe të papnisë së Shën Gjon Palit II, përshkruar në mbi katër milionë fotografi. Një trashëgimi vizive e jashtëzakonshme, që më në fund do të dixhitalizohet dhe do të ndahet me botën.

Imazhe gjurmësh të pashlyeshme

Papnia e Karol Ëojtyła-s ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën bashkëkohore. Për këtë arsye, Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin ka vendosur të fillojë një proces për të mbrojtur dhe për të vlerësuar arkivin e çmuar fotografik. Projekti - i paraqitur më 8 korrik, në Sallën Marconi të të njëjtit Dikaster - është pjesë e një programi shumë më të gjerë, nisur nga Drejtoria e Teknologjisë në vitin 2023, nën udhëheqjen e Francesco Masci-t.

Krahas Dikasterit do të punojnë Francesco Sforza - një fotograf, që vuri zemrën, sytë dhe objektivin e aparatit fotografik në shërbim të Papëve, nga Pali VI deri te Leoni XIV - laboratori i restaurimit të filmave "Immagine Ritrovata" i Kinetekës së Bolonjës, i cili është përgjegjës për koordinimin shkencor dhe restaurimin, së bashku me teknologjinë e dixhitalizimit Bucap.

Një portret, që përfshin tri dekada

Qëllimi është t’i rikthehet botës kujtesa fotografike e 27 viteve të papnisë së Gjon Palit II, shprehur, ndër të tjera, në 104 udhëtime apostolike dhe 146 vizita baritore, për një total prej mbi 4,7 milionë fotografish, të cilat dokumentojnë një magjister me intensitet të jashtëzakonshëm dhe shtrirje ndërkombëtare. Këto shifra tregojnë edhe rolin qendror, që luajtën imazhet gjatë viteve të Papës polak.

Studioja e parë e fotografisë

Fotografitë e para të këtij koleksioni datojnë që nga viti 1977, kur, për të përmbushur nevojat e gazetës vatikanase L'Osservatore Romano, u improvizua një studio e parë fotografike, e vendosur në dy dhoma të vogla, njëra prej të cilave ishte nën shkallë. Me kalimin e viteve, u zhvillua një arkiv, që sot rrëfen, përmes miliona imazheve, një periudhë të rëndësishme në historinë e Kishës.

Ruajtja dhe përhapja

Programi përfshin një proces të ndërlikuar operativ: nga blerja e negativave fotografikë deri te përzgjedhja editoriale, te zhvendosja dhe sigurimi i materialit origjinal, me punë restaurimi aty ku është e nevojshme. Rezultati do të jetë, pra, një trashëgimi dixhitale për ruajtjen dhe vlerësimin e kujtesës vizive, në dispozicion të të gjithëve.

08 korrik 2026, 14:53