Kërko

FRANCE-SOCIETY-POVERTY

Selia e Shenjtë: duhen planifikime urbane që nuk i përjashtojnë të fundmit e të varfrit

Duke folur dje, më 28 korrik, në Nju Jork, në Takimin e nivelit të lartë të 2026-tës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi Axhendën e Re Urbane, në dhjetëvjetorin e miratimit të saj, Imzot Murphy, këshilltar pranë Misionit të përhershëm vëzhgues të Selisë së Shenjtë, theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm urban ka të bëjë, para së gjithash, me njerëzit dhe se të gjithë duhet të kenë një shtëpi. Nevojiten "investime më të mëdha në strehime të arsyeshme e të përshtatshme"

Vatican News

Zhvillimi urban nuk mund të vlerësohet vetëm duke pasur parasysh ndërtesat ose ekonominë e tij; duhet të ketë në konsideratë mundësitë që ka secili person për të realizuar veten në shoqëri dhe për të kontribuar në të mirën e përbashkët. Sa më shumë që një qytet është në gjendje të përballojë format e shumta të varfërisë, pabarazive të vazhdueshme dhe degradimit mjedisor, aq më i qëndrueshëm është. Kjo u theksua nga Imzot Robert Murphy, Këshilltar në Misionin e përhershëm vëzhgues të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në një deklaratë dhënë dje, 28 korrik, në Nju Jork, në Takimin e Nivelit të Lartë 2026 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi Axhendën e Re Urbane, në dhjetëvjetorin e miratimit të saj. Është një përvjetor i rëndësishëm, theksoi diplomati i Vatikanit, i cili "ofroi mundësinë për të riafirmuar angazhimin për zhvillimin e zonave urbane në shërbim të personit", sepse "çdo qytet është në fund të fundit bashkësi individësh", secili me dinjitetin e vet e secili "dhuratë nga Zoti", ndaj "duhet të respektohet e të mbrohet".

Të sigurohet një shtëpi për të gjithë

Siç shkroi Leoni XIV në Letrën enciklike Magnifica Humanitas, kujton Imzot Murphy, "shoqëria e drejtë kërkon Shtet të pranishëm dhe institucione civile të afta për të tejkaluar logjikën e thjeshtë të efikasitetit, duke drejtuar në mënyrë të qartë burimet, aftësinë krijuese dhe normat në dobi të më të ligshtëve". Prandaj, "nëse qytetet dhe hapësirat urbane nuk arrijnë t’i mbështesin ata që jetojnë në varfëri si dhe të pastrehët, nuk janë në lartësinë e vizionit të përshkruar në Axhendën e Re Urbane". Prandaj, ndërmjet shumë sfidave që lidhen me zhvillimin urban, sigurimi që të gjithë të kenë një shtëpi është përparësi. "Padyshim që mungesa e strehimit përfaqëson një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor", vëren këshilltari pranë Misionit të përhershëm vëzhgues të Selisë së Shenjtë në OKB, duke shtuar se mungesë strehimi do të thotë "të mos kesh siguri, stabilitet, privatësi dhe ndjenja përkatësie" dhe se "mungesa e strehimit dëmton aftësinë për të ushtruar shumë të drejta themelore të njeriut dhe shpesh i bllokon individët e familjet në cikle vicioze përjashtimi dhe varfërie".

Nevojiten investime në strehime të arsyeshme dhe të përshtatshme

Për Kryeipeshkvin Murphy, "problemi i mungesës së strehimit" duhet të zgjojë "ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare", sepse të gjithë duhet "të jenë në gjendje të ndërtojnë marrëdhënie, të kultivojnë jetën familjare dhe të marrin pjesë plotësisht në bashkësinë e tyre". Për këtë arsye, një shtëpi, një banesë, nuk duhet të "konsiderohet thjesht mall ose një pasuri financiare, por gur themeli i shoqërisë në shërbim të së mirës së përbashkët". Prandaj, Selia e Shenjtë bën thirrje për "investime më të mëdha në strehime të arsyeshme dhe të përshtatshme, si dhe në shërbime sociale të integruara" edhe për "planifikim urban", që të përballojë "shkaqet rrënjësore të mungesës së strehimit, siç janë varfëria, papunësia, vartësia nga droga, problemet e shëndetit mendor, prishja e familjeve, zhvendosja dhe konfliktet", njëheresh me përfshirjen e "bashkësive vendase, shoqërive civile, organizatave fetare" dhe vetë individëve të interesuar.

Të ndihmohen vendet më pak të zhvilluara

Ne kemi nevojë për "politika strehimi që inkurajojnë sigurimin e strehimit lokal" dhe krijojnë "lidhjet e ngushta ndërmjet arsimit, punësimit, strehimit dhe shëndetit", thekson diplomati i Vatikanit, i cili beson se "solidariteti ndërkombëtar i ripërtërirë" është i nevojshëm për të zbatuar Axhendën e Re Urbane. Duke pasur parasysh se "shumë vende në zhvillim", veçanërisht vendet pa dalje në det dhe ishujt, kanë "mungesa financiare" dhe kapacitet të kufizuar për "urbanizimin e shpejtë", ato duhet të mbështeten "përmes rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar, transferimit të teknologjisë, ndërtimit të kapaciteteve dhe financimit të përshtatshëm" nëse duan të "ndërtojnë qytete gjithëpërfshirëse, të sigurta, elastike dhe të qëndrueshme për të gjithë". Siç thekson Leoni XIV, përsëri në Magnifica Humanitas, "zhvillimi është njerëzor, kur i vendos njerëzit në qendër", prandaj, përfundon Imzot Murphy, ky "parim duhet të udhëheqë zbatimin e Axhendës së Re Urbane në dekadën e ardhshme", në mënyrë që "solidariteti", "përfshirja" dhe "kujdesi për ata që kanë më shumë nevojë" t'i bëjnë qytetet "vende takimi, vëllazërie dhe shprese".

29 korrik 2026, 15:58