Imzot Gallagher homazhe dhe lutje përpara memorialit të Maidanit
Vatican News
Me nderimin te memoriali i viktimave të revolucionit të Maidanit të viteve 2013-2014 dhe të luftës – e nxitur nga Rusia në vitin 2014 dhe e intensifikuar më tej në shkurt të vitit 2022 – nisi sot, më 20 korrik, në Kiev dita e pestë dhe e fundit e misionit në Ukrainë për kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë. Imzot Gallagher është i dërguari i posaçëm i Papa Leonit për kremtimet në Shenjtëroren karmelitane të Berdiçivit (Berdychiv, rreth 180 kilometra nga kryeqyteti) për 35-vjetorin e rihapjes së strukturave të Kishës Katolike të ritit latin në vend. Mesha në lëndinën përpara Shenjtërores kushtuar Marisë Nënë e Hyjit u mbajt të dielën, më 19 korrik, përpara më shumë se 3 mijë njerëzve.
Takimet me presidentin Zelensky edhe ministrin e Jashtëm
Vizita në memorial, i cili ndodhet pranë Maidanit, u shoqërua nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Andrij Sibyha, me të cilin imzot Gallagher u ndal më pas për një takim dypalësh. Gjatë bisedës u konfirmua rishtazi afërsia e Selisë së Shenjtë me popullin ukrainas, veçanërisht në këtë kohë lufte, duke uruar që të arrihet sa më parë një paqe e drejtë dhe afatgjatë. Më vonë gjatë paradites u zhvillua takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Mbledhja me Këshillin Pan-Ukrainas të Kishave dhe Organizatave Fetare
Mbrëmjen e djeshme u mbajt një takim me Këshillin Pan-Ukrainas të Kishave dhe Organizatave Fetare. Përfaqësuesit e tij folën për sfidat me të cilat përballen vazhdimisht, së bashku me popullsinë, si dhe për bashkëpunimin pozitiv të krijuar mes emërtimeve të ndryshme fetare. Problemi kryesor, shpjeguan ata, mbetet padyshim lufta. “Njerëzit janë të lodhur, të rraskapitur”, nënvizuan ata, “e megjithatë përpiqemi të jetojmë me dinjitet dhe me dëshirën për t'ia nisur nga e para çdo ditë. Askush më shumë se ne nuk e dëshiron paqen, por ajo duhet të jetë një paqe e drejtë”. Duke falënderuar më pas Selinë së Shenjtë dhe nuncin apostolik në Kiev, imzot Visvaldas Kulbokas, për punën, afërsinë e vazhdueshme dhe ndihmën në këto kohë konflikti, ata ritheksuan rëndësinë e vazhdimësisë së mbështetjes shpirtërore dhe me lutje, duke vënë në dukje gjithashtu nevojën për t'u kërkuar liderëve politikë, përmes diplomacisë, një angazhim gjithnjë e më të madh për të arritur në fundin e konfliktit.
Përjashtimi i klerikëve nga ushtria
I rëndësishëm është rezultati i arritur nga Këshilli me qëllim përjashtimin e shërbyesve të shenjtë nga thirrja në ushtri. “Qeveria dhe autoritetet politike treguan se e kuptojnë rëndësinë e Kishave, duke njohur rolin e tyre si shërbime thelbësore ndaj personit dhe si mbështetje për popullsinë”, deklaruan ata. Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet imzot Gallagher shprehu inkurajim për rezultatet konkrete të arritura, të cilat nuk janë gjithmonë të vetëkuptueshme, veçanërisht në kohë lufte.