Kërko

Vatikan: ekspertët e Inteligjencës Artificiale dhe prijësit botëror, ballë për ballë për çarmatimin

Nga 14 deri më 16 korrik, pranë Borgo Laudato Si' të Kopshteve Papnore në Castel Gandolfo, Vatikani do të presë Asamblenë Globale të Laureatëve të Çmimit Nobel për Inteligjencën Artificiale dhe Luftën Bërthamore, duke mbledhur mbi 200 nga figurat më autoritare të botës si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare kërkimore në fushat e paqes dhe të inteligjencës artificiale.

Vatican News

E frymëzuar nga enciklika e re e Papës Leoni XIV “Magnifica Humanitas” kushtuar mbrojtjes së njeriut në epokën e inteligjencës artificiale, Asambleja zhvillohet në rrethana tronditëse nga konflikti ndërkombëtar, paqëndrueshmëria dhe skenari bërthamor në keqësim, e radhitet edhe në vizionin e Papës për "paqen e çarmatosur dhe çarmatosëse".

Bisedimi do të arrijnë kulmin me hartimin e Deklaratës së Romës për "paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse" në epokën e inteligjencës artificiale, armëve bërthamore dhe autonome, protokolleve të reja dixhitale dhe modeleve të ngutshme të zhvillimit dixhital. Ngjarja do të përfundojë më 16 korrik, me një seancë zyrtare, në Sala Giulio Cesare mbi Kodrën e Kapitolit.

Për tri ditë me radhë, 30 fitues të Çmimit Nobel, krerë shtetesh dhe qeverish të merituar, 20 nga liderët kryesorë të inteligjencës artificiale në botë - përfshirë OpenAI, Google DeepMind, AARU dhe Anthropic - dhe 30 nga universitetet dhe institucionet kërkimore më prestigjioze në botë, do të takohen në një lloj konklavi, për të diskutuar sfidat kryesore të botës bashkëkohore: sigurinë ndërkombëtare, qeverisjen e teknologjive në zhvillim, çarmatimin dhe ndërtimin e një ekonomie të orientuar drejt paqes.

Në qendër të diskutimit do të jetë kërkimi për një paradigmë të re globale, të aftë për të kombinuar risinë, përgjegjësinë dhe etikën.

Iniciativa organizohet nga Asambleja e Laureatëve të Çmimit Nobel për Parandalimin e Luftës Bërthamore, Iniciativa e Grave të Nobelit, IPPNW - Mjekët Ndërkombëtarë për Parandalimin e Luftës Bërthamore, Pugwash, Qendra Yunus, Universiteti Katolik i Amerikës, Universiteti i Çikagos - Laboratori i Riskut Ekzistencial, Shkolla Mjekësore e Harvardit, Spitali Brigham dhe i Grave, Universiteti i Notre Dame, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë dhe Soka Gakkai, me Fondacionin Domus Communis në rolin e Sekretariatit të Përgjithshëm.

Përfaqësues nga universitetet kryesore të mbarë botës do të jenë të pranishëm, duke përfshirë Universitetin e Harvardit, Universitetin Stanford, Universitetin e Kolumbias, Universitetin e Princetonit, Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, Institutin Middlebury të Studimeve Ndërkombëtare në Monterey, Universitetin e Oksfordit, Universitetin e Mançesterit, Collegiate de France, Université Paris 1 Panthéon-Sorbonne, Universitetin Tsinghua, Universitetin Queen's, Universitetin Simon Fraser, Universitetin Kombëtar Australian, Universitetin e Antwerpit,Universitetin Papnor të Shën Patrikut, Universita' degli Studi di Roma Tor Vergata, Institutin Balseiro, Universitetin e Kalifornisë Jugore dhe Universitetin Ndërkombëtar Telematik UniNettuno.

Deklarata e Romës për Paqen e çarmatosur e çarmatosëse në epokën e Inteligjencës Artificiale, e armëve bërthamore dhe autonome, protokolleve të reja dixhitale dhe modeleve në zhvillim dixhital, që do të paraqitet në përfundim të konferencës, synon të përcaktojë parimet dhe udhëzimet për qeverisjen e inteligjencës artificiale, duke nxitur vizionin e sigurisë ndërkombëtare të bazuar mbi bashkëpunim, dinjitet njerëzor, zhvillim integral dhe paqe ndërmjet popujve.

15 korrik 2026, 11:02