Imzot Gallagher në Moskë, diplomacia dhe dialogu në shenjë të paqes
Vatican News
Nga 24 deri më 28 gusht zhvillohet vizita në kryeqytetin rus e Sekretarit të Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, monsinjor Paul Richard Gallagher. Gjatë misionit në Moskë janë parashikuar takime me autoritetet e Federatës Ruse, me përfaqësues të Patriarkanës së Moskës dhe me komunitetin katolik.
Do të jenë katër ditë dialogësh dhe takimesh intensive, në të cilat dimensionit të mirëfilltë diplomatik të vizitës do t’i bashkohet edhe ai kishtar, me takime me ipeshkvijtë dhe komunitetin katolik të Federatës Ruse. Në këtë mision të rëndësishëm nuk do të mungojë as dimensioni ekumenik, i cili do të përfshijë takimin me përfaqësuesit e Patriarkanës së Moskës. Një axhendë që konfirmon vullnetin e Selisë së Shenjtë për të vazhduar rrugën e dialogut edhe në një nga fazat më të vështira të marrëdhënieve ndërkombëtare në nivelin global.
Nuk është hera e parë që Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet imzot Gallagher shkon në kryeqytetin rus. Vizita e fundit daton në nëntor të vitit 2021. Me atë rast, prelati u takua me kryeministrin Mikhail Mishustin, ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov dhe drejtuesin e atëhershëm të Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të Kishës të Patriarkanës së Moskës, mitropolitin Ilarion Alfeev. Që nga viti 2022, Departamenti për Marrëdhëniet me Jashtë të Kishës të Patriarkanës së Moskës drejtohet nga mitropoliti Antonij Sevriuk, i cili pasoi mitropolitin Ilarion.
Përveç takimeve diplomatike, kjo vizitë do t’i japë imzot Gallagher mundësinë të takohet me komunitetin katolik në Moskë. Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet do të zhvillojë bisedime me ipeshkvijtë dhe përfaqësues të komunitetit lokal, do të kryesojë një kremtim Eukaristik dhe do të takohet me klerin, motrat e murgeshat dhe rregulltarët.
Kisha Katolike në Rusi përfaqëson një realitet numerikisht minoritar dhe është e shpërndarë gjeografikisht në një territor shumë të gjerë. Organizimi i saj territorial përfshin Kryedioqezën e Nënës së Zotit në Moskë dhe dioqezat e Shën Klementit në Saratov, të Shpërfytyrimit (ose Shndërrimit) të Zotit në Novosibirsk dhe të Shën Jozefit në Irkutsk.