Kërko

2020.08.02 CROCE

Kard. Parolin: të lutemi për të krishterët e persekutuar në mbarë botën

Në Katania, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kryeson meshën papnore për 900-vjetorin e zhvendosjes së relikeve të Shën Agatës. Në homelinë e tij, ai fton të mos shihet shenjtëria si diçka për muze, por si shenjtëri në gjendje të sjellë fe, shpresë dhe dashuri. Ai kujton se ekziston edhe një martirizim "pa gjak", një "martirizim i besnikërisë" për të cilin jemi të thirrur. Pastaj, nxit "të mos kemi frikë", jo “thjesht një inkurajim psikologjik, por vetë themeli i fesë së krishterë"

Vatican News

Në kulmin e Jubileut të Shën Agatës, që përkujton 900-vjetorin e zhvendosjes së relikeve të Shën Agatës nga Kostandinopoja në Katania (Itali), mbrëmjen e 17 gushtit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kryesoi meshën në katedralen kushtuar asaj, duke sjellë "në këtë tokë të dashur të Siçilisë" bekimin dhe dashurinë e Papës, duke u bashkuar shpirtërisht me gëzimin e qytetarëve të mbledhur me përkushtim ndaj pajtores së tyre.

"Kremtimi i këtij përvjetori", theksoi kardinali Parolin, "do të thotë të pranosh se Zoti i ka qëndruar besnik Kishës së tij gjatë shekujve, duke e mbështetur atë në sprova, duke e purifikuar atë në vështirësi dhe duke e ringjallur vazhdimisht përmes dëshmisë së shenjtorëve". Në homelinë e tij, ai kërkoi lutje për "vëllezërit dhe motrat në të gjithë botën, që vuajnë persekutime për hir të emrit të Zotit dhe të Ungjillit të tij". Pas kremtimit, një procesion me reliket e shenjtores u mbajt nëpër disa nga rrugët kryesore të qendrës historike.

Një shenjtëri e gjallë, përtej muzeve të kujtesës

Shën Agata nuk i përket thjesht historisë së Katanies, por është prani e gjallë në rrugëtimin e Zotit me popullin e tij. Duke iu referuar Shën Augustinit dhe Tertulianit, kardinali Parolin theksoi se vlera e martirëve nuk qëndron në vuajtjet e pësuara, por në qëndresën e tyre. Gjaku i martirëve nuk është shenjë humbjeje, por farë e jetës së re për Kishën. Kështu, Shën Agata frymëzon fenë e sotme si dëshmitare e një shenjtërie, që nuk mbyllet në «muzeumet e kujtesës», por vazhdon të fjellë fe, shpresë dhe dashuri.

Shën Agata
Shën Agata   (Saint Agatha)

Zoti është besnik, pavarësisht nga kufizimet njerëzore

Duke analizuar Shkrimet e Shenjta, kardinali vuri në dukje se fakti që i përkasim Krishtit kapërcen çdo tundim për kompromis. Martirizimi i Shën Agatës, ashtu si ai i Shën Palit, është dëshmi e një dashurie që asnjë dhunë nuk mund ta shuajë. Vetë Kisha nuk mbështetet në rendimentin njerëzor, por në hirin dhe në besnikërinë e Zotit, që vepron përmes brishtësisë njerëzore. Thirrja «Mos kini frikë» nuk është ngushëllim i thjeshtë psikologjik, por shtylla e jetës së krishterë: Jezusi nuk premton një ekzistencë pa sprova, por jep një premtim me vlerë më të madhe. Pikërisht me këtë këndvështrim, kardinali kërkoi që lutja të përfshijë të krishterët e përndjekur në gjithë botën.

Shenjtëria e përditshme: martirizimi i besnikërisë

Krahas martirizimit të gjakut, vërejti ai më tej, ekziston një "martirizim pa gjak" ku të gjithë janë të thirrur të marrin pjesë: shenjtëria e jetës së përditshme. Është martirizimi i besnikërisë, që jetohet nga ata që zgjedhin koherencën çdo ditë: bashkëshortët që mbrojnë lidhjen e tyre, prindërit që edukojnë, të rinjtë që refuzojnë kulturën e dukjes, të shuguruarit, të moshuarit dhe çdo njeri që vë drejtësinë para kompromisit, të vërtetën para leverdisë, faljen para hakmarrjes. Kjo është "shenjtëria e përditshme" e dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit.

Të mposhtet e keqja me dashuri

Kardinali Parolin e nxiti Katanien të vlerësojë trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme të fesë, të kulturës dhe të bamirësisë. Ky trashëgim nuk duhet të mbetet i shterpët, por duhet të japë fryt për të përballuar sfidat konkrete të territorit: varfërinë, pabarazitë, largimin e të rinjve dhe vështirësitë e familjeve. Duke u mësuar të gjithëve se e keqja mposhtet vetëm me dashurinë që lind nga Kryqi – e cila është e aftë ta transformojë historinë nga brenda – dëshmia e krishterë bëhet përgjigjia e nevojshme për varfëritë e reja materiale dhe shpirtërore të qytetit.

18 gusht 2026, 10:24